29 Mars 1973 – SHB-ja tërhiqet nga Vietnami
Dy muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes mbi Vietnamin, trupat e fundit luftarake amerikane largohen nga Vietnami i Jugut, pasi Hanoi i liroi të burgosurit e tjerë amerikanë të luftës, që mbaheshin në Vietnamin e Veriut. Kështu, ndërhyrja e drejtpërdrejtë 8-vjeçare e Amerikës në Luftën e Vietnamit mori fund pa lavdi.
Në Saigon, rreth 7.000 punonjës civilë të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA, qëndruan edhe për disa kohë për të ndihmuar Vietnamin e Jugut në zhvillimin e asaj që dukej të ishte një luftë e ashpër dhe e vazhdueshme me Vietnamin e Veriut komunist. Në vitin 1961, pas 2 dekadave të ndihmës ushtarake indirekte, presidenti amerikan Xhon F.Kenedi, dërgoi forcën e parë të madhe të personelit ushtarak amerikan në Vietnam, për të forcuar regjimin e paefektshëm autokratik të Vietnamit të Jugut kundër Veriut komunist.
Tre vjet më vonë, me rënien e qeverisë së Vietnamit të Jugut, presidenti Lindon B.Xhonson urdhëroi bombardime të kufizuara mbi Vietnamin e Veriut, dhe Kongresi autorizoi dërgimin e trupave amerikane. Në vitin 1965, trupat komuniste të Vietnamit të Veriut i lanë presidenti Xhonson dy zgjedhje:të përshkallëzonte përfshirjen e SHBA-së ose të tërhiqej. Xhonson zgjodhi opsionin e parë, duke dërguar në luftë më shumë se 300.000 trupa, ndërsa forcat ajrore amerikane nisën fushatën më të madhe të bombardimeve në histori.
Gjatë viteve që pasuan, numri i madh i viktimave në radhët e trupave amerikane dhe ekspozimi i përfshirjes së tyre në krimet e luftës, si për shembull masakra në My Lai, i ktheu shumë amerikanë kundër përfshirjes së Shtetet e Bashkuara në Luftën e Vietnamit.
Ofensiva komunistëve vietnamezë në vitin 1968, shkatërroi shpresat amerikane për një përfundim të afërt të konfliktit, dhe e elektrizoi kundërshtimin e amerikanëve ndaj luftës. Në kundërpërgjigje, Xhonson njoftoi në marsin e vitit 1968, se nuk do të kërkonte rizgjedhjen në detyrë, për shkak të përgjegjësisë që ndjente në krijimin e një ndarjeje të rrezikshme kombëtare mbi Vietnamin. Ai autorizoi ndërkohë fillimin e bisedimeve të paqes.
Në pranverën e vitit 1969, ndërsa protestat kundër luftës u përshkallëzuan, trupat amerikane
në Vietnam mbërritën kulmin në gati 550.000 burra. Presidenti i ri i SHBA, Riçard Nikson filloi tërheqjen e trupave amerikane, por në të njëjtën kohë përshkallëzoi bombardimet.
Tërheqjet e mëdha të trupave amerikane, vazhduan në fillim të viteve 1970, ndërsa presidenti Nixon zgjeroi operacionet ajrore dhe tokësore në Kamboxhia dhe Laosi, në përpjekje për t’i bllokuar vietnamezo-veriorëve rrugët e furnizimit.
Më në fund në janarin e vitit 1973, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Vietnamit të Veriut dhe atyre të Jugut, nënshkruan një marrëveshje paqeje në Paris, duke i dhënë fund përfshirjes së drejtpërdrejtë ushtarake amerikane në Luftën e Vietnamit. Dispozitat e saj kryesore përfshinin një armëpushim në të gjithë Vietnamin, tërheqjen e forcave amerikane, lirimin e të burgosurve
të luftës dhe ribashkimin e Vietnamit të Veriut dhe Jugut nëpërmjet mjeteve paqësore.
Megjithatë, në realitet marrëveshja ishte pak më shumë se sa një gjest i qeverisë amerikane për të shpëtuar fytyrën. Edhe përpara se trupat e fundit amerikane të largoheshin nga vendi më 29 mars, komunistët e shkelën armëpushimin dhe në fillim të vitit 1974, nisi një luftë në shkallë
të gjerë.
Më 30 prill 1975, amerikanët e fundit që gjendeshin ende në Vietnamin e Jugut u evakuan nga vendi, ndërsa Saigoni ra nën kontrollin e forcave komuniste. Lufta e Vietnamit, ishte lufta më e gjatë dhe më e papëlqyeshme në historinë e SHBA, dhe i kushtoi jetën mbi 58.000 ushtarëve amerikanë. Ndërkohë u vranë deri në 2 milionë ushtarë dhe civilë vietnamezë.
29 Mars 1974 – Në Kinë zbulohet Ushtria e Terrakotave
Ushtria e Terrakotave ,u zbulua rastësisht nga disa fermerë që gërmonin nën tokë, dhe rreth 1.5 kilometra në lindje të varrit të perandorit Qin Shi Huang në malin Li. Terrakotat ishin një forme artit funerar që përdorej gjatë ceremonisë së varrimit të perandorëve, dhe qëllimi i të cilave ishte të mbronin perandorin në jetën e tij të përtejme.
Vlerësimet në vitin 2007, ishin se gropat e hapura, përmbajnë përmbajnë më shumë se 8.000 ushtarë prej qeramike, 130 karroca me 520 kuaj dhe 150 kuaj me kalorësit sipër. Sipas historianëve puna në mauzole filloi në vitin 246 P.E.S, shumë shpejt pasi perandori Qin (asokohe vetëm 13 vjeç) u ngjit në fron, dhe projekti përfshiu rreth 700.000 punëtorë.
29 Mars 1430 – Perandoria Osmane nën drejtimin e Muratit II, pushton qytetin bizantin të Selanikut.
29 Mars 1798 – Formohet Republika e Zvicrës. Në vitin 1798, trupat franceze e pushtuan plotësisht Zvicrën – Konfederata e vjetër zvicerane u shpërbë. Deputetët e kantoneve e shpallën Republikën Helvetike, ndërsa forcat pushtuese themeluan një shtet të centralizuar, bazuar mbi idetë e Revolucionit Francez.
29 Mars 1831 – Fillon kryengritja e madhe boshnjake. Shkak u bënë reformat nga sulltani, ndaj u kërkua heqja e sistemit feudal të administrimit (Tanzimati). Pavarësisht disa fitoreve të para, kryengritësit u mundën në betejën përfundimtare pranë Sarajevës më 1832.
29 Mars 1864 – Britania i kthen Greqisë Ishujt e Jonit. Ato kishin qenë më parë pjesë e Republikës së Venedikut, më pas u përfshinë në Republikën Franceze. Në vitin 1799, francezët u dëbuan nga një forcë e përbashkët ruso-osmane, dhe më 1815 u vunë nën kontrollin e britanikëve.
29 Mars 1962 – Presidenti i Argjentinës, Arturo Frondizi, rrëzohet nga pushteti në një grusht shteti ushtarak të ndërmarrë nga forcat e armatosura të vendit, duke i dhënë fund një krize kushtetuese dy javore.
29 Mars 1994 – Serbët dhe kroatët nënshkruajnë një armëpushim, për t’i dhënë fund luftës në Kroaci.
29 Mars 2004 – Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia bëhen anëtare të NATO-s.
29 Mars 2004 – Republika e Irlandës bëhet vendi i parë në botë, që ndalon pirjen e duhanit në të gjitha vendet e punës, duke përfshirë baret dhe restorantet.
29 Mars 2010 – Dy bomba shpërthejnë në Metrone e Moskës në Rusi, në kulmin e frekuentimit nga udhëtarët në mëngjes, duke vrarë 40 persona.
29 Mars 2017 – Mbretëria e Bashkuar evokon nenin 50 të Traktatit të BE-së, duke filluar procesin formal të Brexit .