26 Dhjetor 2004- Një tërmet i fortë, dhe më pas një cunami shkaktojnë qindra mijëra të vdekur në Indonezi dhe jo vetëm
Një tërmet i fuqishëm pranë brigjeve të Sumatrës në Indonezi, krijon një cunami, një dallgë të madhe detare, që shkakton vdekjen e qindra mijëra njerëzve, dhe shkatërrimin e mijëra ndërtesave. Tërmeti ishte i dyti më i fortë i regjistruar ndonjëherë, dhe rreth 230.000 të vdekurit e bënë atë katastrofë, një nga 10 më të rëndat e të gjitha kohërave.
Ishte ora 7:58 e mëngjesit, kur një tërmet me magnitudë 9.3 ballë tronditi fundin e Oqeanit Indian, 160 milje në perëndim të Sumatrës. Sipas llogarritjeve në gati 10 minuta, lëkundjet e forta zhvendosën ujërat e një sipërfaqe detare prej 750 kilometrash. Tërmeti shkaktoi një të çarë disa kilometra nën ujë, ndërsa shkëmbinj të mëdhenj që peshonin mijëra tonë u zhvendosën për disa milje përgjatë oqeanit, duke shkaktuar një zhvendosje masive të ujit.
Vlerësohet se cunami i atij viti, çliroi një energji dy herë më të madhe se sa të gjithë bombat e përdorura gjatë Luftës së Dytë Botërore. Brenda 15 minutash, dallgët e cunamit u përplasën në bregun e Sumatrës. Në veri të ishullit, ndodhej rajoni tejet populluar i Aceh.
Atje, dallgët arritën në një lartësi prej 80-100 metrash. Komunitete të tëra u zhdukën nën ujë brenda pak minutash. Numri i të vdekurve në Indonezi, vlerësohet ndërmjet 130.000- 160.000 vetë, ndërsa 500.000 njerëz të tjerë mbetën të pastrehë. Rreth një e treta e viktimave ishin fëmijë.
Dallgët e mëdha shmangën bregun verior të Indonezisë, ndërsa shkuan deri në Tajlandë, ku vdiqën 5.000-8.000 njerëz. Cunami u zhvendos gjithashtu në lindje të Oqeanit Indian. Në Sri Lanka, cunami u përplas në breg rreth 90 minuta pas tërmetit. Edhe pse valët nuk ishin aq të larta sa në Aceh, ato sërish shkaktuan një katastrofë.
Rreth 35.000 njerëz humbën jetën, dhe gjysmë milioni të tjerë humbën shtëpitë e tyre. Ndërkohë rreth 15.000 të tjerë vdiqën në Indi. Dallgët vrasëse arritën madje 5.000 milje larg në Afrikën e Jugut, ku dy njerëz humbën jetën. Në total, rreth 190.000 njerëz u konfirmuan të vdekur, ndersa 40.000-45.000 u supozuan të humbur dhe të vdekur.
Pavarësisht miliarda dollarëve ndihma humanitare në rajonin e prekur – rreth 7 miliardë dollarë brenda 18 muajve të parë – disa zona vuajnë ende pasojat e cunamit. Një vit para atij tërmeti dhe cunami, pothuajse në të njëjtën orë, një tërmet me magnitudë 6.6 tronditi qytetin e Bam në Iran, duke vrarë mbi 30.000 njerëz.
26 Dhjetor 1991- Shpërbëhet zyrtarisht Bashkimi Sovjetik
Deklarata nr.142 Sovjetëve Supremë shpall shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, pas gati treçerek shekulli nga krijimi i tij. Deklarata pranoi pavarësinë e ish-republikave sovjetike, edhe pse pesë nga nënshkruesit e ratifikuan atë shumë më vonë, ose nuk e bënë fare diçka të tillë.
Një ditë më herët, presidenti sovjetik Mikhail Gorbaçov, shpalli shkrirjen e postit të tij, duke ia dorëzuar pushtetin, përfshirë kodet e lëshimit të raketave bërthamore – presidentit rus Boris Jelcin. Atë mbrëmje në orën 19:32, flamuri sovjetik u ul për herë të fundit në Kremlin, duke u zëvendësuar me flamurin e para revolucionit.
Disa nga ish-republikat sovjetike, ruajtën lidhje të ngushta me Federatën Ruse, dhe formuan organizata shumëpalëshe si Komonuelthi i Shteteve të Pavarura, Bashkësia Ekonomike Euroaziatike, Shteti i Bashkimit, Bashkimi Doganor Euroaziatik dhe Bashkimi Ekonomik Euroazian për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe të sigurisë. Nga ana tjetër, shtetet balltike u bashkuan me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.
26 Dhjetor 1941 – Winston Churchill mban një fjalim në Kongresin Amerikan
Më pak se tre javë pas hyrjes së SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore, Winston Churchill bëhet kryeministri i parë britanik që i drejtohet me një fjalim Kongresit Amerikan. Churchill, një orator i talentuar, i kërkoi Kongresit të mbështeste propozimin e presidentit Franklin D. Roosevelt që Amerika të bëhej “arsenali i madh i demokracisë”, ndërsa paralajmëroi se fuqitë e Boshtit nuk do të “ndaleshin para asgjëje” në ndjekje të qëllimeve të tyre të luftës.
26 Dhjetor 1972 – Vdes ish-presidenti amerikan Harry S. Truman
Truman u bë president i SHBA-së në prillin e vitit 1945 pas vdekjes së presidentit Roosevelt, ndërsa vendi ndodhej ende në Luftën e Dytë Botërore. Ai autorizoi hedhjen e dy bombave bërthamore në Japoni në gushtin e atij viti, me argumentin se kjo do të kursente jetën e mijëra amerikanëve dhe japonezëve të tjerë.
Ai ishte mbështetësi kryesor i Planit Marshall, që siguroi ndihmën e nevojshme për rindërtimin e vendeve evropiane të shkatërruara nga lufta. Truman mbështeti gjithashtu krijimin e një shteti të përhershëm izraelit.
26 Dhjetor 1825 – Mbështetësit e liberalizmit në Rusi, ngrihen kundër Carit Nikolla I, por shtypen në revoltën Dekambriste të Shën Petersburgut.
26 Dhjetor 1860 – Ndeshja e parë miqësore e futbollit ndërmjet dy klubeve angleze, zhvillohet midis ekipeve të Hallam dhe Sheffield United në qytetin e Sheffield.
26 Dhjetor 1944 – Ushtria e tretë e gjeneralit amerikan George S. Patton, çan rrethimin gjerman në Bastonjë të Belgjikës, duke i dhënë fund ofensivës naziste në Ardene.
26 Dhjetor 1998 – Iraku njofton synimin e tij për të sulmuar avionët luftarakë të SHBA-ve dhe Britanisë së madhe, që patrullojnë zonat e ndalim-fluturimit në veri dhe jug të vendit.
26 Dhjetor 2004 – Pas triumfit të Revolucioni Portokallit në Ukrainë, zgjedhjet e reja parlamentare mbahen nën një vëzhgim të rreptë ndërkombëtar.
26 Dhjetor 2006 – Një tubacion nafte në Lagos të Nigerisë shpërthen, duke vrarë të paktën 260 njerëz.
26 Dhjetor 2009 – Kina hap rrugën më të gjatë hekurudhore në botë për trenat e shpejtësisë së lartë, e cila lidh Pekinin dhe Guangzhoun.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce