1 Shkurt 1979 – Ajatollah Ruhollah Khomeini rrikthehet në Iran, pas triumfit të Revolucionit Islamik
Më 1 shkurt 1979, Ajatollah Khomeini rrikthehet në vendin e tij në mënyrë triumfale, pas 15 viteve në mërgim të detyruar. Shahu dhe familja e tij, ishin larguar nga Irani dy javë më parë, dhe revolucionarët iranianë mezi prisnin të krijonin një qeveri fondamentaliste islamike, nën udhëheqjen e Khomeinit.
Khomeini ishte biri i një studiuesi fetar islamik, dhe që në rininë e tij mësoi përmendësh Kuranin. Ai ishte besimtar i sektit shiit, dhe si një klerik i devotshëm, u rrit shpejt në hierarkinë informale shiite, duke tërhequr rreth vetes shumë ndjekës.
Në 1941, trupat britanike dhe sovjetike pushtuan Iranin dhe vendosën në krye të vendit Mohammed Reza Pahlavin, si Shahun e dytë modern të Iranit. Ky mbajti lidhje të ngushta me Perëndimin, dhe në vitin 1963 filloi “Revolucionin e Bardhë”, një program i gjerë qeveritar që synonte reduktimin e pasurive të klerit në emër të rishpërndarjes së tokës, të drejtat e barabarta për gratë dhe reforma të tjera moderne.
Khomeini, ishte udhëheqësi i parë fetar që u ngrit haptazi kundër këtij programi. Në predikimet e tij të zjarrta nga selia e tij në qytetin Qom, ai bëri thirrje për përmbysjen e Shahut dhe krijimin e një shteti islamik. Në vitin 1963, Mohammad Reza e burgosi, akt që shkaktoi trazira të mëdha, ndërsa më 4 nëntor 1964 e dëboi nga Irani.
Khomeini u vendos në një Naxhaf, një qytet i shenjtë shiit në Irak, shumë pranë kufirit me Iranin, ku vazhdoi predikimet e tij, dhe i dërgonte ato të regjistruara në Iran, ndërsa ndjekësit vazhduan të shtohen kryesisht në mesin e të rinjve. Në vitin 1978, në Iran shpërthyen demonstratat të mëdha kundër Shahut. Në dhjetor të atij viti, edhe ushtria iu bashkua popullit, ndaj më 16 janar 1979, Shahu u arratis nga vendi.
Me rrikthimin e tij, Khomeini e konsolidoi shpejt autoritetin e tij, dhe filloi të transformojë Iranin në një shtet fetar. Më 4 nëntor 1979, në 15-vjetorin e mërgimit të tij, qindra studentë iranianë sulmuan ambasadën amerikane në Teheran dhe morën peng personelin.
Me miratimin e Khomeinit, radikalët kërkuan kthimin e Shahut në Iran, dhe mbajtën peng 52 amerikanë për 444 ditë. Shahu vdiq në Egjipt, për shkak të kancerit në korrik 1980. Në dhjetor 1979, u miratua një kushtetutë e re iraniane, duke emëruar Khomeinin si udhëheqës të përjetshëm politik dhe fetar të vendit.
Nën sundimin e tij, grave iraniane iu mohuan të drejtat e barabarta, dhe iu kërkua të mbanin shami, kultura perëndimore u ndalua, teksa u rivendos ligji islamik i Sharias, dhe dënimet e saj shpesh të ashpra. Khomeini u tregua i pamëshirshëm në shtypjen e kundërshtarëve, dhe mijëra disidentë politikë u ekzekutuan gjatë dekadës që ai sundoi vendin.
Në vitin 1980, Iraku pushtoi provincën iraniane të Kuzestanit, tejet të pasur me naftë. Pas përparimeve fillestare, forcat irakiane u zprapsën. Në vitin 1982, Iraku u tërhoq vullnetarisht dhe kërkoi një marrëveshje paqeje, por Khomeini rifitoi luftimet. Lufta e përgjakshme Iran-Irak, përfundoi vetëm më 1988.
Ajatollah Khomeini vdiq më 3 qershor 1989. Më shumë se 2 milionë njerëz morën pjesë në funeralin e tij. Në fillim të viteve 1990, vendi iu nështrua një demokratizimi gradual, duke kulmuar me mbajtjen e zgjedhjeve të lira në vitin 1997, kur u zgjodh president reformatori i moderuar Mohammed Khatami.
1 Shkurt 1915 – Nis genocidi 11 mujor i Perandorisë Osmane mbi 1 milionë armenë
Pas disfatës së rëndë të ushtrisë osmane në Sarikamish gjatë Luftës së Parë Botërore, ushtria ruse përparoi përmes Armenisë turke, dhe pas një sulmi të befasishëm ndaj osmanëve pranë Erzerumit, kapi rob komandantin e përgjithshëm të forcave osmane, dhe një sasi të madhe armatimi.
Në fillim të shkurtit 1915, pasi osmanët u dëbuan nga Ardahani, u tërhoqën në Ardanutem, një qytet pranë kufirit armen, dhe nga aty nisën masakrat sistematike kundër qindra mijëra armenëve, të cilët akuzoheshin për tradhti ndaj perandorisë dhe shitjen tek rusët.
Shumë njerëz njerëz vdekjen në mënyra çnjerëzore, duke u gjymtuar, ndërsa kreu i kishës armene në Etchmiadzia i dërgoi Presidentin amerikan Ëilson një letër, për të reaguar ndaj atyre tmerreve. Departamenti Amerikan i Shtetit, udhëzoi ambasadorin amerikan në Syamboll, Henry Morgenthau, t’i kërkojë qeverisë osmane të ndalte menjëherë masakrat ndaj civilëve.
Duke mos pranuar përgjegjësinë për masakrat, qeveria osmane turke pohoi se fajtorë për masakrat ishin banorët kurdë. Megjithatë, me kërkesën e Morgenthau, Stambolli dërgoi trupa në terren për të vendosur rendin. Raportet zyrtare britanike dhe ruse të kohës, flasin për afro 1 milionë armenë të vdekur, nga një popullsi prej 4 milionë banorësh. Vlerësohej se 250.000 armenë u arratisën në Rusi, pas vuajtjeve të papërshkrueshme.
1 Shkurt 1974 – Zjarri i madh në grataçelën e njohur në Sao Paolo, shkakton 179 të vdekur
Zjarri që përfshiu “Joelma”, qiellgervishtësen e famshme 25-katëshe të Sao Paolos, përbën një nga tragjeditë më të renda që kanë ndodhur ndonjëherë në Brazil. Zjarri u zbulua rreth orës 8:50 të mëngjesit, dhe iu raportua Departamentit të Zjarrëfikësve të Sao Paulos 15 minuta më vonë, nga një banor i një ndërtese aty pranë.
Njësitë e para të zjarrfikëseve mbërritën 5 minuta më vonë, dhe menjëherë nisën operacionin e shpëtimit. Brenda pak minutave zjarri u ngjit me shpejtësi deri në katin e 15-të, dhe mbeti aty për shkak të mungesës së lëndëve të djegshme. Rreth 300 njerëz u evakuan duke përdorur ashensorët, një praktikë që zakonisht nuk rekomandohet nga zjarrfikësit.
Ndërkohë qindra të tjerë, hipën në tarracën e godinës, me shpresë se do të shpëtonin me helikopter. Por nxehtësia e madhe dhe tymi i dendur, e bënte jashtëzakonisht të rrezikshëm afrimin e këtyre të fundit. Dy orë më vonë zjarri u arrit të vihej nën kontroll, ndërsa pas përfundimit të kërkimeve, autoritetet zbuluan 179 viktima.
1 Shkurt 1908 – Mbreti Karlos I i Portugalisë dhe djali i tij i mitur Luis Filipe, qëllohen për vdekje në Lisbonë, nga një grup revolucionarësh.
1 Shkurt 1942 – “Voice of America”, shërbimi i jashtëm zyrtar i radios dhe televizionit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, fillon transmetimin zyrtar, me programe që synonin zonat e kontrolluara nga fuqitë e Boshtit.
1 Shkurt 2003 – Anija hapësinore amerikan “Columbia”, shpërthen papritur gjatë misionit të rrikthimit në atmosferën e Tokës, duke vrarë të 7 astronautët që gjendeshin në bord.
1 Shkurt 2004 – Gjatë pelegrinazhit në Arabinë Saudite, 251 njerëz shkelen për vdekje dhe 244 të tjetër plagosen, për shkak të turmës së madhe të njerëzve.
1 Shkurt 2012 – Të paktën 72 persona vdesin dhe mbi 500 plagosen, si rezultat i përplasjeve mes tifozerive të ekipeve të futbollit egjiptian Al-Masry dhe Al-Ahly në qytetin Port Said.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce