Johannes Hahn i ka cilësuar deklaratat e Ramës dhe Thaçit si të papranueshme. Edhe pse nuk përmendi emra, Hahn iu referua deklaratave kontraproduktive për ndryshimin e kufijve të disa liderëve në rajon.
“Shpreh zhgënjimin tim dhe mërzinë lidhur me deklaratat nxitëse të bëra nga disa liderë në rajon. Deklarata të tilla mund të cilësohen si ndërhyrje në punët e vendeve fqinje dhe në ndryshimin e kufijve dhe këto janë të papranueshme, të panevojshme dhe jo produktive”, deklaroi Hahn.
I pyetur nga gazetarët, nëse kjo është një manovër për t’i bërë presion BE-së, Hahn tha:
“Nëse dikush mendon se deklarata të tilla mund të na vënë nën presion neve, do të ishte një gabim i madh, sepse godet zemrën e këtij mesazhi. Bashkimi Europian ka interesa të forta për të pasur paqe, stabilitet, prosperitet në rajon dhe këto mund të arrihen vetëm me marrëdhënie të mira me fqinjët dhe kur të gjithë punojnë bashkë dhe kontribuojnë në zhvillimin e rajonit”, theksoi Hahn.