Ja si vendet po e përdorin Covid-19, për të rritur fuqinë e tyre të butë

Nga: Michael Jennings “The Conversation”

Pandemia e Covid -19 ka popullarizuar disa terma, të ripërdorur ose të rinj. Hyrja më e re në leksikun e pandemisë mund të jetë “diplomacia e vaksinave”, ku disa vende po i përdorin vaksinat e tyre për të forcuar lidhjet rajonale, dhe për të rritur fuqinë dhe statusin e tyre global.

Në fillim të shkurtit, gjysmë milionë doza të vaksinës kineze Sinopharm kundër Covid-19 mbërritën në Pakistan, përpara se të arrinin shumë shpejt edhe në 13 vende të tjera, përfshirë Kamboxhian, Nepalin, Sierra Leonen dhe Zimbabven.

Ambasadori kinez në Pakistan, foli për një “manifestim të vëllazërisë tonë” ndaj vendeve aleate, një deklaratë e përsëritur edhe nga qeveria pakistaneze. Rusia e ka përdorur në mënyrë të ngjashme vaksinën e saj Sputnik V për të fituar miq dhe mbështetje ndërkombëtare, duke siguruar qasje në vendet që nuk janë ende në gjendje të nisin programet e tyre të vaksinimit.

India u ka dhuruar doza vaksinash të AstraZeneca/Oxford të prodhuara në vend, fqinjëve rajonalë si Bangladeshi, Mianmari dhe Nepali, duke forcuar jo vetëm reputacionin e saj si një furnizuese e vaksinave të lira dhe të arritshme në jugun global, por duke sfiduar gjithashtu përpjekjet e Kinës për të dominuar në rajon, dhe pikërisht në një kohë tensionesh të rritura midis dy vendeve.

Ndërkohë, Izraeli thuhet se ka rënë dakord që të paguajë Rusinë për të dërguar disa sasi të vaksinës së saj Sputnik V qeverisë siriane, si pjesë e një marrëveshjeje për shkëmbimin e të burgosurve. Diplomacia e vaksinave, ka përfshirë gjithashtu përpjekjet për të minuar besimin tek synimet dhe efikasiteti i fuqive rivale.

Kina dhe Rusia, janë akuzuar nga qeveritë në Evropë dhe Amerikën e Veriut për fushata dezinformimi të mbështetura nga Moska, që kërkojnë të minojnë besimin tek vaksinat e prodhuara në Perëndim. Ndërkohë, Rusia i ka dërguar vaksinat e saj edhe në Hungari, një lëvizje që është parë nga shumë analistë si e projektuar për të minuar unitetin dhe besueshmërinë e BE-së.

Evropa dhe Amerika e Veriut, kanë hyrë vonë në lojë për sigurimin e vaksinave për vendet dhe rajonet më të varfra. Thirrjet nga udhëheqës si presidenti francez Emanuel Markon për t’i dhuruar vaksina vendeve më të varfra dhe premtimet e Britanisë për t’i dhuruar furnizimet e veta të tepërta, janë shfaqur vetëm ditët e fundit.

Në mungesë të sigurimit të vaksinave nga vendet e varfra, disa analistë në Perëndim janë përpjekur që të vënën në dyshim besueshmërinë e përpjekjeve kineze dhe ruse, duke i paraqitur ato si dredhi cinike për avantazh diplomatik.

Ata po u thonë vendeve se mund ti marrin vaksinat ruse dhe kineze, por ato duhet të kenë shumë mirë parasysh koston dhe detyrimet e mëvonshme ndaj Moskës dhe Pekinit. Reagimi ndaj koronavirusit, është diktuar që në fillim nga lufta mes fuqive globale dhe grindjet diplomatike.

Administrata Trump iu referua në çdo rast Covid-19 si “virusi kinez”, si pjesë e luftës së saj më të gjerë politike dhe ekonomike me Kinën, ndërsa Pekini e përdori suksesin e vet për të rritur legjitimitetin e masave të rrepta dhe kufizimeve të lirive politike dhe shoqërore.

Lufta ndaj viruseve, është përdorur prej kohësh si një mjet për të zgjeruar fuqinë e butë dhe për të fituar miq të rinj. Rivalitetet mes superfuqive për ndikim kanë qenë ndonjëherë edhe pozitive:suksesi i fushatës së çrrënjosjes së sëmundjes së lisë, u bazua pjesërisht nga rivaliteti midis Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së.

Në kundërpërgjigje ndaj epidemisë së SARS-it në vitin 2002, Kina u ofroi ndihmë dhe mbështetje vendeve të prekura për të forcuar statusin e saj si fuqi botërore, duke përfshirë në të edhe Tajvanin. Ai moment qëndron në kontrast të plotë me marrëdhëniet më të tensionuara me Tajvanin gjatë pandemisë aktuale.

Një ndihmë e tillë ka prirjen që të grumbullojë një ndikimin më të madh të fuqisë së butë, atëherë kur ndihma shihet si e paanshme dhe e zhveshur nga ndonjë interes personal. Për shembull, përpara se t’i bashkohej Zyrës së Jashtme të Komonuelthit, reputacioni i ish-Departamentit të Mbretërisë së Bashkuar për Zhvillim Ndërkombëtar (DfID) u rrit pjesërisht nga fokusi i tij mbi luftën kundër varfërisë.

Mundësia që shëndeti global, të shndërrohet në një arenë të re për konkurrencën dhe rivalitetin mes fuqive globale, duhet të na shqetësojë të gjithëve. Pavarësisht nga përfitimet që mund të ketë pasur nga rivalitete të tilla në të kaluarën, ato erdhën përmes një rivaliteti bashkëpunues.

Ndërkohë, përgjigja globale ndaj Covid-19 ka tentuar deri më tani që të jetë jo-bashkëpunuese dhe shumë përçarëse, duke i hedhur fajin njëri-tjetrit, apo duke tentuar përhapjen e mosbesimit. Kompleksiteti i çështjeve të shëndetit global dhe nevojat për miliarda dollarë fonde, kërkojnë një përgjigje me të vërtetë globale.

Nëse përgjigjja ndaj Covid-19 do të çojë në një partneritet më të barabartë për të garantuar shëndet për të gjithë, apo do të forcojë disa nga instinktet më të këqija të shfaqura gjatë vitit të kaluar, kjo do të përcaktojë jo vetëm ecurinë e pandemisë, por do të ndikojë edhe në epidemitë e ardhshme që kërcënojnë shëndetin global.

Burimi i lajmit: https://theconversation.com/vaccine-diplomacy-how-some-countries-are-using-covid-to-enhance-their-soft-power-155697

Përshtatur nga TIRANA TODAY