Gjatë shekullit XVIII, shtetet në të gjithë Evropën filluan të rishikojnë bazat e pasurisë dhe fuqisë kombëtare. Në zemër të ideve të reja, ishte një vlerësim i ri i asaj që tashmë do të quhej shëndeti publik.
Ndërsa në shekujt e mëhershëm, sundimtarët dëshironin të parandalonin zinë e bukës, që mund të shkaktonte trazira publike, në shekullin XVIII, politikanët u bënë gjithnjë e më të bindur se fuqia kombëtare dhe zhvillimi ekonomik, kërkonin më shumë se një popullatë të bindur, dhe që nuk e kishte mendjen tek trazirat.
Ata besonin se kërkohej një fuqi punëtore e shëndetshme, dhe ushtarë energjikë. Vetëm kjo do të siguronte suksesin e industrisë. “Themelet e vërteta të pasurisë dhe fuqisë” pohonte filantropisti i shekullit XVIII, Xhonas Henuej, “qëndrojnë tek numri i të varfërve që punojnë”.
Për këtë arsye, ai arritin në përfundimin se “çdo propozim racional për shtimin e numrit të tyre meriton respektin tonë Njerëzit janë asetet tona kombëtare:prona, që nuk është një organizëm i gjallë që mund të punojë, nuk ka asnjë vlerë pa njerëzit; dhe një rregull i ngjashëm vlen në çdo vend apo komb”.
Kjo kërkonte një furnizim të mjaftueshëm me ushqime të shëndetshme. Ne mbarë Evropën, kishte një konsensus në rritje, se shumica e popullsisë po e dëmtonte veten me zakonet e këqija të të ngrënit. Mjeku i njohur skocez, Uilliam Bukan, e trajtoi këtë çështje në librin e tij të vitit 1797, “Vëzhgime mbi dietën e njerëzve të zakonshëm”.
Ai besonte se shumica e njerëzve ”të zakonshëm” konsumonin shumë mish dhe bukë të bardhë, dhe pinin shumë birrë. Ata nuk hanin mjaftueshëm perime.
Rezultati i pashmangshëm, shprehej ai, qe një gjendje e rënduar shëndetësore, me sëmundje të tilla si skorbuti që shkaktonin dëmtime të rënda në trupat e burrave, grave dhe fëmijëve që punonin.
Kjo, nga ana tjetër, e minoi tregtinë e Britanisë së Madhe, dhe e dobësoi ndjeshëm kombin.
Por si njerëzit mund të ushqeheshin shëndetshëm? Çfarë lloj ushqimi do të ofronte një bazë më të mirë ushqyese, sesa birra dhe buka e bardhë? Bukan inkurajoi një dietë të bazuar kryesisht në bishtaja dhe perime rrënjore – të cilat sipas tij ishin jo vetëm më të lira, por pafundësisht më të shëndetshme.
Ai qe veçanërisht entuziast për patatet.”Çfarë thesari është një lopë qumështore, dhe një kopsht me patate për një fshatar të varfër me një familje të madhe!” –shkruante ai me entuziazëm. Patatja siguronte ushqimin ideal.
Prandaj, klubet lokale në Finlandë sponsorizuan gara që synonin inkurajimin e fshatarëve për të mbjellë sa më shumë patate, gazetat spanjolle shpjegonin si zihej patatja në stilin irlandez, ndërsa mjekët italianë shkruan receta të shumta mbi “pataten e mrekullueshme”.
Ndërkohë monarkët në të gjithë Evropën, nxorën dekrete duke inkurajuar kultivimin dhe konsumin e sa më shumë patateve.
Por nuk është rastësi që ky besim tek një bashkim i mrekullueshëm i zgjedhjes individuale dhe
të së mirës publike, lindi pikërisht në momentin që po zhvilloheshin parimet e ekonomisë klasike moderne.
Sikurse argumentoi ekonomisti me famë botërore Adam Smith, një ekonomi që funksiononte mire, ishte rezultat i lejimit të të gjithëve për të ndjekur interesin e tyre vetjak.
Mënyra më e mirë për të garantuar një ekonomi të fortë kombëtare, sipas pikëpamjes së ekonomistëve klasikë si Smith, është që secili person të kujdeset për mirëqenien e vet.
Gjëja më e keqe që mund të bënte shteti, ishte të përpiqej të ndërhynte në treg. Ndërhyrjet në tregun e ushqimit u konsideruan veçanërisht të dëmshme, pasi mund të provokonin shumë mungesa që ato synonin në fakt të parandalonin.
Kjo ide shumë novatore filloi të shprehej në fillim të shekullit XVIII, dhe u bë gjithnjë e më e zakonshme kur Iluminizmi po përparonte.
Siç e dimë, besimi tek tregu i lirë është bërë tashmë një gur themeli i kapitalizmit modern. Këto ide e kanë formësuar thellësisht botën tonë.
Ishte ndoshta e pashmangshme që Adami Smithi do të rekomandonte veçanërisht patatet.
Ideja e tij për tregun e lire, u krijua me bindjen se pasuria kombëtare ishte e mundur vetëm kur njerëzit ishin të lumtur dhe ndiqnin interesin e tyre vetjak.
Lumturia dhe rehatia, nga ana tjetër, kërkonin një furnizim të pasur me ushqime të këndshme dhe ushqyese – dhe kjo sipas Smithit është ajo që ofron patatja.
Smith i lidhi përfitimet personale të individëve, me një konsum më të madh të patateve në një lulëzim më të madh të ekonomisë.
Nëse mbilleshin më shumë patate, toka bujqësore do të mbështeste një popullsi më të madhe, dhe “punëtorët që përgjithësisht ushqehen me patate” do të prodhonin sasi më të mëdha se nevojat, në dobi të vetes, pronarëve dhe ekonomisë së përgjithshme.
Për këtë arsye gjatë shekullit XX-të, shtetet dhe institucionet arsimore në të gjithë Evropën krijuan institute kërkimore mbi pataten, financuan ekspedita shkencore në Andet e Amerikës së Jugut, që synonin zbulimin e varieteteve të reja edhe më produktive, dhe në përgjithësi promovuan konsumin e patates.
Lidhja mes patates, ekonomisë politike dhe një shteti të fortë, shpjegon fiksimin e qeverisë kineze me pataten.
Kina tani është sot prodhuesja kryesore e patates në botë, e cila mbërriti në këtë vend në shekullin XVII-të, dhe është parë prej kohësh si një ushqim i të varfërve, ndërsa orizi mbetet ende ushqimi prestigjioz.
Prej disa dekadash, shteti kinez po punon për të rritur konsumin e patates, dhe që nga viti 2014, ka pasur një nxitje veçanërisht të madhe. Programet televizive shtetërore promovojnë receta dhe inkurajojnë diskutimin publik rreth mënyrave më të shijshme të përgatitjes së gjellëve me patate.
Librat e kuzhinës, nuk përshkruajnë vetëm se si patatet mund ta ndihmojnë Kinën të arrijë sigurinë ushqimore – ato gjithashtu shpjegojnë se patatet janë të shijshme, dhe se mund të shërojnë edhe kancerin.
Kjo histori e shkurtër e patateve, na lejon të shohim vazhdimësitë afatgjata që bashkojnë ekonominë politike dhe dietat individuale, në një model më të gjerë liberal të shtetit.
Lidhjet mes jetës së përditshme, individualizmit dhe shtetit të krijuar në fundin e shekullit XVIII, vazhdojnë të formësojnë debatet e sotme, rreth asaj se si të balancojmë lirinë personale të dietës ushqimore, me shëndetin publik të një popullate.