Nesër, kancelarja Angela Merkel do të përballet me një sfidë tjetër. Debati për kufirin maksimal të refugjatëve, është tema qendrore e takimit të nivelit të lartë mes CDU dhe CSU-së si parapërgatitje për bisedimet e koalicionit të njohur si „Xhamajka” – Konservatorët, Të Gjelbrit, Liberalët.
Partia kristiansociale, CSU ka precizuar kërkesën e saj për kufirin maksimal të refugjatëve para takimit të dielën. CSU e vë kufirin tek një kontigjent prej 200.000 refugjatësh në vit. Por Merkel e refuzon një përcaktim të tillë të përgjithshëm. Të Gjelbrit dhe Liberalët po ashtu. Unioni konservator rinor, JU kërkon një kufizim të qartë të imigrimit, që duhet të sanksionohet në një ligj migracioni, kërkojnë të rinjtë konservatorë, shkruan DW.
Politikani kristiansocial, Joachim Herrmann u shpreh për gazetën gjermane „Die Welt” të shtunën lidhur me kufirin maksimal, se „bëhet fjalë për qëllimin politik dhe rezultate të prekshme”. Ai nuk sheh rrezikun e një shpërbërjeje të unionit. „Askush nuk e do ndarjen”, tha Herrmann. Edhe politikani i CDU-së, Jens Spahn është shprehur, se „për të nuk ka rëndësi, se si do të quhet, për mua është i rëndësishëm sinjali.”
Liberalët e Të Gjelbrit po ashtu kërkojnë prej ditësh një ujdi brenda partive simotra, CDU e CSU për këtë çështje. Politikanja liberale, Marie-Agnes Zimmermann (FDP) është shprehur, se nëse do të punojmë në një qeveri,” nuk duhet të interferojë problematika CDU/CSU.”