Nevojitet “arti i politikës në nivelin më të lartë” për të formësuar një koalicion në Berlin është shprehur kreu i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, pas zgjedhjeve në Gjermani.
Në samitet e ardhshme të Bashkimit Europian në muajt e ardhshëm nga karrigja gjermane do të dëgjohen vetëm përgjigje të përmbajtura. Sigurisht që kryetarja e unionit konservator, Angela Merkel do të jetë sërish e ulur në tavolinën e Brukselit, po në shtëpinë e saj, ajo duhet të formësojë një koalicion me liberalët dhe Të Gjelbrit. Kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker megjithatë nuk pret që Gjermania të ndryshojë kursin. “Për shkak se Gjermania ka qenë është dhe do të mbetet spiranca e stabilitetit në BE nën zonjën Merkel, tani duhet që të krijohet sa më shpejt një qeveri stabël.”
“Rruga është e gjatë”
FDP, partia liberale është për një kurs kursimi në eurozonë dhe një politikë më rigoroze kundrejt refugjatëve. Të Gjelbrit mund të përfytyrojnë reforma në eurozonë, por në çështjen e klimës ata do të paraqesin kërkesa më të ashpra se sa qeveria e tanishme. Eurodeputeti i Gjelbër, Sven Giegold beson, se rruga e koalicionit kosnservator-liberal-Të Gjelbrit do të jetë e gjatë. “Qeverisje e gjelbër do të thotë më shumë mbrojtje të klimës. Por edhe tek tema e pabarazisë sociale, Europës, politikës së tregtisë dhe refugjatëve, një marrëveshje koalicioni duhet të mbante qartë nënshkrimin e gjelbër. Si do të bëhet kjo me CSU, FDP dhe CDU, kjo nuk është e qartë për mua.”
Ministri i Jashtëm belg, Didier Reynders nuk pret ndonjë ndryshim dramatik të kursit. Ai pret që “pas zgjedhjeve në Gjermani të vazhdohet më me hov në Europë. Tani kërkohet që Franca, Gjermania, Holanda dhe të tjera të ecin përpara në reformat praktike në eurozonë, edhe në temën e migracionit, mbrojtjes, sigurisë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili uroi kancelaren gjermane në telefon, shkroi në twitter se “do të vazhdojmë me vendosmëri punën e pazëvendësueshme për Europën dhe vendet tona.”
E djathta e Orbanit
Ndërsa nga Hungaria u dëgjua edhe zëri i kryeministrit të djathtë, Viktor Orban, i cili e refuzon politikën europiane të refugjatëve. “Budapesti uron!” Përkrahësit e tij e shohin këtë si mbështetje për partinë populiste të djathtë, AfD, që u fut furishëm në parlamentin gjerman. Ndërsa ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, u shpreh se nuk është i habitur me rezultatin. Për të politika e refugjatëve ishte thembra e Akilit për Merkelin. Kriza e refugjatëve nuk u mor seriozisht nga partitë në Europë. Kurz kërkon ta ndryshojë këtë.
Jo suflerë të djathtistëve
Kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker është “i shqetësuar” për futjen e partive populiste në parlamentin gjerman. Por sipas tij “kush mendon se tani në Europë, sidomos në Gjermani, ka ardhur momenti që të themi ato që thotë e djathta ekstreme, ai gabon thellësisht, dhe e vë Europën në rrezik të madh”, ka thënë Juncker për DW. Ndërsa për socialistin francez, Pierre Moscovici, përgjegjës për euron në KE, futja e AfD-së në Bundestag është një “shok” i vërtetë, shkruan DW.
Por Europa sërish e vendos besimin e saj tek Merkeli, siç u shpreh edhe kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker. Gjithsesi pas 12 vitesh në pushtet, ajo ia ka dalë të zgjidhet sërish, këtë duhet ta arrijë njëherë një burrë tjetër shteti në Europë. Sipas tij ajo nuk është e dobësuar, megjithëse ka humbur vota. “Ndikimi i Gjermanisë në botë ka të bëjë mjaft me rolin që luan Gjermania në BE. nuk besoj se ata që do ta çojnë anijen e qeverisë gjermane në detërat e trazuar do të braktisin atë që është baza e politikës gjermane- një politikë gjithmonë proeuropiane.”