Ç’thotë shkenca në lidhje me efektet e ankthit dhe frikës në trurin e njeriut? Çfarë ndodh realisht në nivelin fiziologjik, kur përjetojmë këto ndjesi të këqija? Nga një perspektivë fetare, frika është produkt i injorancës. Njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për natyrën e tyre të vërtetë. Ata nuk e dinë se s’janë duke vdekur. Ata nuk zhduken; nuk hyjnë në gjendjen e mosekzistencës pas vdekjes së tyre.
Frika nga vdekja, është nëna e të gjitha frikërave të tjera që ne përjetojmë. Kemi frikë nga lartësitë, pasi druhemi se mund të rrëzohemi dhe… vdesim. Tmerrohemi nga spitalet, pasi ato na kujtojnë sëmundjet dhe vdekjen. Çdo frikë është e lidhur me këtë ankth të madh, që ne të gjithë e bartim në mendjen tonë të nëndërgjegjeshme. Por, le të lëmë mënjanë spiritualitetin. Jo të gjithë besojnë në jetën pas vdekjes, prandaj duhet të shqyrtojmë argumentet dhe faktet e vërtetuara, në lidhje me efektet e ankthit dhe frikës në trupin tonë.
Çfarë thotë shkenca mbi frikën dhe ankthin?
Ne mund ta gjejmë origjinën e frikës dhe stresit te teoria e evolucionit. Shkencëtarët kanë vërtetuar se edhe organizmat më të thjeshta qelizore shfaqin frikë. Ky është një reagim vazhdimisht i pranishëm te të gjithë organizmat e gjallë, duke përfshirë edhe kurrizorët. Nga kjo pikëpamje, njerëzimi s’mund të kishte mbijetuar dot pa këtë fenomen, që është vendimtar në marrjen e masave të nevojshme në situata të rrezikshme.
Nëse s’do të kishit frikë nga vdekja, nuk do të bënit asgjë kur një ari t’iu sulmonte në pyll. Instinkti i mbijetesës, që mbështetet nga frika, do të bëjë që ta qëlloni me ç’të mundni, të bërtisni, të hipni me vrap mbi një pemë apo çdo gjë tjetër, që duhet për të shpëtuar veten. Problemi i vetëm është ky: ne e përjetojmë frikën jo vetëm në situatat që e justifikojnë atë.
Një nënë mund të jetë gjithnjë e frikësuar se diçka do të ndodhë me fëmijët e saj, edhe pse ata janë të sigurt në shkollë. Ju mund të tmerroheni deri në palcë nga një provim në universitet, ndonëse keni studiuar mjaftueshëm. Kjo frikë do të bllokojë aftësinë tuaj për të shprehur atë që tashmë e dini. Në këto lloj situatash, frika do t’iu pengojë dhënien e më të mirës tuaj. Në tërësi, frika ka fuqinë t’i parandalojë njerëzit të jenë të lumtur. Kur dikush është i frikësuar, deri në pikën kur këto emocione ndikojnë në jetën e tij të përditshme, diagnostikohet me çrregullimin e ankthit.
Çfarë ndodh në tru? Ja efektet që shkakton ankthi dhe frika
Kërkimet tregojnë se amigdala, një rajon i trurit në formën e një bajameje, luan një rol vendimtar në zbulimin automatik të kërcënimit dhe prodhimin e ndjesisë së frikës. Kur kjo zonë e trurit u studiua fillimisht tek kafshët, u zbulua se këto të fundit nuk i përgjigjeshin stimujve kërcënues, në rastin kur amigdala ishte e dëmtuar. Tek njerëzit, disa kushte të caktuara mjekësore (si të prekurit nga epilepsia) mund të shkaktojë dëmtime të amigdalës. Këta pacientë janë më pak të përgjegjshëm ndaj kërcënimeve, edhe pse ende mund të ndjejnë frikë. Amigdala është përgjegjëse për reagimin e trupit ndaj frikës (reagimi impulsiv, zëri i mekur apo djersitja). Këto reagime mund të ndodhin, edhe kur s’jemi të vetëdijshëm për praninë e një kërcënimi. Jemi duke folur për frikën e pajustifikueshme – një eksperiencë që askush nuk dëshiron ta përjetojë.
Si ndodh që truri të prodhojë frikën?
Pasi truri i përpunon informacionet në rajone të ndryshme, amigdala zbulon një kërcënim. Në atë moment, truri çliron hormone (si, kortizoli dhe adrenalina) dhe kimikate (si, serotonina, acetilkolina, norepinefrina dhe dopamina). Ky aksion kimik në tru paralajmëron organizmin mbi kërcënimin, dhe të gjitha sistemet e vëmendjes vihen në gatishmëri të plotë. Sipas neuroshkencëtarit amerikan, Joseph E. Ledoux , kjo mund të ndodhë vetëm te një tru me një “vetëdije autonoetike”, që është aftësia për të shqyrtuar mendimet tona.
A e kuptojnë shkencëtarët frikën dhe ankthin?
Shkencëtarët kanë shënuar shumë progres në deshifrimin e fenomenit të frikës dhe ankthit. Para së gjithash, ne kemi nevojë të bëjmë një dallim të qartë midis këtyre dy reagimeve – frika është fizike, ndërsa ankthi është reagimi psikologjik, ndaj rrezikut që percepton truri. Efektet e ankthit në trurin dhe trupin tonë, janë të lidhura me nivelin biologjik të veprimtarisë së amigdalës. Gjenetika, në lidhje me stresin e përjetuar në moshën e hershme, i bën njerëzit të prirur për të pasur çrregullime të ankthit. Edhe pse reagimi neutral i trurit ndaj ankthit dhe frikës kuptohet relativisht, ne nuk kemi ende trajtimin përfundimtar të çrregullimeve të lidhura me këto reagime. Trajtimet aktuale, përfshijnë përdorimin e barnave që prekin zona të mëdha të trurit, dhe shkaktojnë efekte anësore të padëshiruara. Shkencëtarët shpresojnë të zhvillojnë një trajtim që ndikon pikërisht tek amigdala dhe reagimi i saj panatyrshëm ndaj stimujve. Deri atëherë, na mbetet të përpiqemi për t’u bërë më të vetëdijshëm mbi mendimet tona dhe stimujt që na shkaktojnë frikë.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce