Kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj ka dëshmuar në polici pas djegies së automjetit të tij pak pas mesnate.
Frrokaj mendon se zjarrvënia e automjetit tip fuoristradë Benz ML ka qenë e qëllimshme, ndërsa sqaroi se automjeti përdorej nga ai, por ishte i bashkisë:
“Mjeti përdorej nga unë, por është i baskisë. Ai ka qenë i parkuar, pra i fikur, nuk besoj se ka pasur defekt. Besoj se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme,” ka thënë Frrokaj në polici.
Ngjarja ndodhi në lagjen Besëlidhja, ku u dogjën dy automjete, konkretisht një Mercedes ML me targë AA 400 JK në pronësi të shtetases Sh.P. dhe në përdorim nga shtetasi Frrokaj, si dhe mjeti Mercedes Benz me targë LE 7495 E në pronësi të shtetasit K.Ll.
Ndërkohë, po bëhet kqyrja e kamerave përgjatë rrugës dhe në afërsi të vendit të ngjarjes me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Gjithashtu po bëhet vlerësimi i rastit nga eksperti piroteknik me qëllim përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.