Pas publikimit të një fotoje, ku pretendohej se një person i veshur me uniformë të ISIS ka qarkulluar në qytet, madje thuhet se ka tentuar të rrëmbejë edhe dy fëmijë, një reagim i menjëhershëm ka ardhur nga policia e Burrelit.
Uniformat blu janë vënë në lëvizje, duke ngritur një grup të posaçëm, i cili ka monitoruar qytetin ditën dhe natën me dron, ndërsa janë verifikuar edhe kamerat e bizneseve ku pretendohej se kishte lëvizur personi në fjalë.
Policia, me anë të një deklarate për mediat sqaron se nuk është verifikuar asnjë person i dyshuar dhe se nuk ka pasur asnjë denoncim për rrëmbim personash. Ky është një lajm i rremë, për të përhapur panik tek qytetarët.
Po kështu, në deklaratë theksohet se këto informacione të pavërteta me prapavijë të errët, kanë për qëllim të nxijnë punën e policisë, dhe të sfumojnë rezultatet që Policia e Shtetit po arrin në luftën ndaj krimit të organizuar.
“Nisur nga këto, Drejtoria Vendore e Policisë Dibër dhe Policia lokale e Burrelit, shprehin keqardhje për këto disinformacione dashakeqe, duke përhapur panik tek qytetarët.
Këto informacione të pavërteta dhe tërësisht dashakeqe me prapavijë të errët, kanë për qëllim të nxijnë punën e policisë dhe të sfumojnë sadopak rezultatet që Policia e Shtetit po arrin në luftën ndaj krimit të organizuar, dhe krimit në tërësi.
Theksojmë se në qytetin e Burrelit dhe rrethin e Matit, prej një viti nuk është shënuar asnjë vrasje, apo ngjarje e rëndë kriminale, janë ulur ndjeshëm rastet e vjedhjes kundër pronës, si dhe nuk është konstatuar asnjë rast i kultivimit të bimëve narkotike.
Të gjitha këto tregojnë angazhim dhe seriozitet të strukturave të policisë, si dhe bashkëpunim mjaft të mirë me komunitetin”, thuhet në reagimin e policisë.