Komiteti i Transportit të Parlamentit Europian ka dhënë alarmin për Santorinin, një ndër destinacionet më të preferuara për turistët. Në një raport të fundit, Komiteti i Transportit nënvizon se mungesa e qeverisjes së turizmit, mund të rrezikojë të ardhmen e destinacionit. Sipas raportit, vendi po gjendet në këtë situatë për shkak se nuk ka patur mbështetje nga sektori publik në zhvillimin dhe zbatimin e politikave efektive, që menaxhojnë fluksin e turistëve.
Në raport cilësohet si domosdoshmëri zbatimi i politikave efektive, që synojnë menaxhimin dhe rregullimin e rritjes së flukseve të turistëve, me qëllim ruajtjen e imazhit të destinacionit.
Shifrat e përfshira në raport janë mjaft ‘të frikshme.’ Numri i qëndrimeve në ishull është rritur me 66% në pesë vjet, duke u rritur nga 3.3 milionë në vitin 2012, në 5.5 milionë në vitin 2017. Ndryshe nga ishujt e tjerë grekë, qytetet dhe fshatrat këtu kanë popullsi të dendur.
Duke zënë vend në lartësinë e shkëmbinjve të lartë, dhe i cilësuar si një nga ishujt më magjikë të Greqisë, Santorini ofron panoramë të mahnitshme, me pamje fantastike të plazheve të zeza dhe të kuqe, tokës poshtë si dhe perëndimit mbresëlënës.
Është një ishull i jashtëzakonshëm me karakter unik, që ju ofron magjepsje të shumëfishtë dhe përveç veçantisë gjeologjike, ka shumë gjëra të tjera që e bëjnë Santorinin destinacion të përsosur pushimesh.
Në përgjithësi, Santorini është një vend i mirë për të filluar shëtitjet nga një ishull në tjetrin, meqenëse lidhet me shumicën e ishujve të tjerë të arkipelagut.