Teksa dimri po troket, situata në ishullin grek të Lesbosit është e paqëndrueshme. Kushtet në kampet e refugjatëve janë të tmerrshme, dhe banorët e ishullit janë lodhur duke u lënë vazhdimisht në baltë nga Athina dhe Bashkimi Evropian…
Nga Giorgos Christides dhe Katrin Kuntz “Der Spiegel”/Ata që dëshirojnë të vizitojnë katin e nëndheshëm të shëmtisë evropiane, duhet thjesht të ngjisin me makinë një kodër të mbuluar me dru ulliri në ishullin Lesbos, derisa të ndeshin muret e larta prej çimentoje të kampit Moria. “Mirë se vini në burg”- ka shkruar dikush.
Era e rëndë e urinës dhe mbeturinave “përshëndet” vizitorët, dhe toka është e mbuluar nga qindra qese plastike. Bie shi, dhe uji i ndotur është grumbulluar cepave të rrugës. Emigrantët që dalin nga kampi, mbajnë në kokë kapuça të hollë plastike, dhe shumë prej tyre kanë në këmbë vetëm shapka verore. Dëgjohen të qara fëmijësh, teksa burrat çajnë përmes turmës.
Mirë se vini në një nga vendet më të turpshme në të gjithë Evropën. Kampi Moria u ndërtua fillimisht për të mirëpritur 2.330 refugjatë. Por aktualisht ai mban 6.489 njerëz. Omar Sherki del nga një çadër e vendosur jashtë kampit. Një njeri i hollë dhe i zbehtë, që dikur studionte për inxhinieri në Siri, dhe luante si kitarist në një grup roku.
Ai jeton me qindra burra të tjerë nën një pemishte jashtë mureve të kampit, për shkak se Moria është bërë kaq e rrezikshme. Dysheku i tij shtrihet mbi një tavolinë druri, nën të cilin është krijuar një pellg nga uji i shiut. Omari pret që punonjësit humanitarë të shpërndajnë ushqimin: qofte zgare me një aromë të keqe, dhe një tas me oriz. “Unë u largova për t’i shpëtuar një lufte, dhe përfundova në një luftë të re!”- thotë ai.
Situata në ishullin e Lesbosit, ka qenë rrallë kaq e pasigurt sa është sot. Teksa dimri në Greqi po troket, rreth 15.000 refugjatë e gjejnë veten të bllokuar në pesë “vatrat e nxehta”, të vendosura në ishujt grekë në Detin Egje. Plot 8.357 prej tyre ndodhen në Lesbos, dhe jetojnë në kushte të tmerrshme, në qendra strehimore të mbipopulluara dhe krejtësisht të papërshtatshme.
Një numër i madh refugjatësh, janë të detyruar të flenë në çadra të përshtatura për stinën e verës, dhe shumë prej tyre kanë frikë për sigurinë e tyre, për shkak të hapësirave të ngushta, dhe përplasjeve të përsëritura në kampin kryesor. Marrëveshja mbi refugjatët mes Bashkimit Evropian me Turqisë, mund të ketë arritur të ulë me 97 për qind numrin e njerëzve që arrijnë në Greqi, por dhjetëra emigrantë vazhdojnë të mbërrijnë çdo ditë.Që nga fillimi i këtij viti e deri më tani, rreth 11.000 njerëz kanë hyrë në ishull nga Turqia – një numër i vogël në krahasim me 12.500 që arritën në një ditë të vetme në gushtin e vitit 2015. Por në atë kohë, të sapoardhurit u zhvendosën në kontinent, dhe u lejuan të vazhdonin udhëtimet e tyre përmes Ballkanit drejt Hungarisë, Austrisë dhe përfundimisht Gjermanisë. Ndërsa sot ish-zyrat e regjistrimit janë shndërruar në burgje.
Procedura të stërzgjatura dhe protesta
Ata që vijnë nga Turqia për të kërkuar azil në Greqi, duhet ta bëjnë këtë në një prej pesë ishujve: Samos, Lesbos, Kios, Kos dhe Leros. Rregullorja ka hyrë në fuqi që nga marsi i vitit 2016, por përpunimi i kërkesave zgjat shumë. Qeveria në Athinë, ka pasur mjaftueshëm kohë në dispozicion për të nxjerrë mësime nga dimri i kaluar, kur 5 refugjatë vdiqën në Kampin Moria, disa prej tyre teksa po përpiqeshin të ngroheshin në çadrat e tyre.
Tani, ministri grek i Emigracionit po kërkon ta zgjidhë këtë problem në minutën e fundit, kur dimri është në prag, duke marrë me qira hotele në Lesbos, dhe duke sjellë dy anije nga Pireu që mund të strehojnë gjithsej 3.000 refugjatë. Megjithatë, në këtë ishull, ku banorët kanë treguar deri më tani një durim të jashtëzakonshëm, kanë filluar të rebelohen ndaj këtij plani.
Të hënën, kryebashkiaku i Lesbosit, Spyros Galinos, i njohur si një politikan i moderuar, bëri thirrje për një grevë të përgjithshme, dhe i shpalli luftë qeverisë greke. Ai akuzoi qeverinë se po kërkon të përdorë nevojën për të ndërtuar pika pritjeje dimërore, si një justifikim për ta transformuar Lesbosin në një ishull-burg.
“Gjatë 3 viteve të fundit, kemi mbajtur një barrë të madhe në emër të Greqisë dhe Evropës. Por ata na kanë lënë të pambrojtur dhe të vetëm. Refugjatët duhet të dërgohen menjëherë në kontinent! Kjo është një emergjencë!”- deklaroi ai para një turme protestuesish. Duke akuzuar qeverinë si përgjegjëse për 5 refugjatët e vdekur në Moria, kryebashkiaku shprehu qëndrimin e tij të prerë: “Ne s’kemi më vend për të ndërtuar kampe të tjera këtu. Nuk do të ketë hotele-anije në portin tonë. Përndryshe, do të bllokojmë hyrjen ose do të hidhemi në det për t’i penguar anijet ta ankorohen. Nëse doni luftë, luftë do të keni!”.Nga ana e saj, qeveria ka një argument shtesë për të justifikuar kushtet në Lesbos: Emigrantët që po mbërrijnë aktualisht në ishull, s’mund të përzihen me ata në kontinent për shkak të marrëveshjes me Turqinë. Tek e fundit, marrëveshja, do të funksionojë vetëm nëse Ankaraja është e sigurt se emigrantët që kthehen në Turqi, janë në fakt të njëjtët njerëz që sapo kanë kaluar Egjeun drejt Greqisë.
Një katastrofë humanitare, rebelim i banorëve vendas
Megjithatë, Galinos nuk e konsideron bindës këtë argument. Në fakt, ai beson se Athina ka krijuar qëllimisht kushtet katastrofike në Lesbos, para dimrit që është në prag. “Ata na shantazojnë, në mënyrë që të pranojmë hotelet e improvizuara, dhe një pikë të re akomodimi për refugjatët”. Ai e ka të vështirë të kuptojë, se si qeveria e majtë Syriza po toleron një katastrofë humanitare në ishullin e tij.
Por a është vërtetë kështu? Marios Kaleas, kreu i Zyrës së Azilit në Lesbos, tha për “Der Spiegel”, se ai ka vetëm 37 punonjës grekë në dispozicion, së bashku me 100 asistentë të siguruar nga BE. Çdo javë, ata regjistrojnë 350 aplikime për azil dhe kryejnë mbi 150 intervista. Por s’mund të përballojnë një fluks me 100 të sapo-ardhur në ditë.
Kjo situatë nuk i ka bërë më agresivë vetëm emigrantët, por edhe banorët vendas. ”Refugjatët masakruan një nga delet e mia”- thotë Dimitris Kathiotis, 86-vjeç, teksa qëndron ulur në kuzhinën e shtëpisë së tij në fshatin Moria. Ishte delja e tij e preferuar. “Më jepte dy litra qumësht në ditë”- thekson i moshuari që gjithë jetën është marrë më bagëtitë.
Kathiotis pohon se nuk është ksenofob, por shton se nuk ndihet më i sigurt këtu. “Tridhjetë dele e dhi janë zhdukur nga arat e mia. Emigrantët kanë shkatërruar gardhin dhe vreshtat e mia, dhe ata e përdorin këtë arë si banjën e tyre”. Ai thotë se u detyrua të paguante 1.500 euro për të rregulluar gardhin, ndërsa merr një pension prej vetëm 338 eurosh në muaj.
Në një rast, kur emigrantët e rinj tentuan ta dëbonin nga toka e vet, Kathiotis thotë se rrëmbeu pushkën e tij dhe qëlloi dy herë në ajër. Tashmë, arma e tij është sekuestruar nga policia. “Për fat të keq”- thotë ai. Kathiotis thotë se e ruajti kokën e deles në frigorifer, deri kur në fshat erdhi vetë kryebashkiaku Galinos. “I hodha kokën e përgjakur të deles para këmbëve”- thotë i moshuari. Kur edhe ky gjest nuk e ndihmoi, fermeri bleu një qen të madh për mbrojtje. Ai dëshiron t’i shohë të gjithë emigrantët diku.
Poshtë në portin e Mitilinit, 4 motra të reja nga Afganistani kanë ngritur çadrën e tyre në asfalt, pranë tendës së dhjetëra afganëve dhe iranianëve të tjerë. Para çadrës qëndrojnë disa banera: ”Duam liri!”, “Grevë urie për të drejtat tona”. “S’kemi ngrënë asgjë për 18 ditë”- thotë Karime, 17-vjeçe. Ajo është një grua e re serioze, me një shall të kuq të mbështjellë lirshëm përreth kokës. “Nuk e dimë se çfarë duhet të bëjmë tjetër, që njerëzit të na dëgjojnë”.Pasi u larguan nga talebanët në krahinën afgane të Helmandit, ato përfunduan këtu në Moria. Por gjatë një konflikti në kamp, Karime u godit në kokë nga një gur, ndaj u ishte një nga shumë refugjatët që u larguan nga kampi për t’i shpëtuar rreziqeve brenda tij.
Motrat kanë ëndrra ambicioze për të ardhmen e tyre, njëra dëshiron të bëhet dentiste, një tjetër projektuese, dhe një e tretë shpreson të ketë një karrierë në inxhinieri. “Ne mendonim se Evropa i respektonte të drejtat e njeriut. Por kjo nuk është e vërtetë”- thotë Karime. Prandaj ato kanë ndryshuar planet. S’duan të shkojnë në Gjermani, përkundrazi tashmë synojnë të shkojnë të ndërtojnë një jetë të re në Kanada.
Shënim: Emrat dhe detajet biografike janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e të intervistuarve.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce