Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sulmet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit ishin terroriste, dhe se kishin për qëllim vrasjet. Të premten në një konferencë të jashtëzakonshme, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti bënë të ditur se brenda tri ditëve Policia e Kosovës ishte sulmuar katër herë. Sulmet kishin ndodhur me granata dore. Kryeministri i Kosovës tha se u takon organeve të rendit për të bërë hetime mbi ata që sulmuan, për të zbardhur rastin.
“Ne e kemi dënuar ashpër këtë sulm, i cili ishte sulm terrorist meqenëse me plumba me granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë të cilët patën fat që në veturat e tyre pësuan vetëm dëme materiale.
U takon organeve të rendit edhe për të bërë hetime mbi ata që sulmuan, për të zbardhur rastin, por edhe për të vlerësuar situatën e sigurisë se çfarë duhet të ndërmarrim në vijim që të pamundësojmë sulme të këtilla. Nuk janë sulme mbi të mirat materiale, as mbi qytetarët, por janë sulme mbi policët që kanë pasur për qëllim të vrasin”, ka thënë Kurti.
“Me strukturat ilegale të Serbisë, me krimin e organizuar kurrë nuk do të ketë asnjë gram tolerancë nga Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës nga MPB dhe Policia e Kosovës”, u shpreh Kurti.