Ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, teksa ka komentuar ngjarjen e rëndë në Kombinat, është shprehur se ky rast nuk ka asnjë lidhje me krishtërimin e as me islamin. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, Gurra i mëshoi fort faktit se asnjë fe nuk e predikon ringjalljen. Ai e ka cilësuar si makabritet faktin që trupin e së resë e kanë mbajtur për muaj me radhë në shtëpi, e ndërsa e dënon këtë akt të rëndë.
“Kjo ishte një ngjarje e kobshme për pjesën qytetare dhe fetare në Shqipëri. As në krishtërim dhe as në islam nuk ka asnjë shkronjë, e cila nxit ose që t’ju kërkojë besimtarëve që të vetëflijohen.
Përkundrazi, religjioni është kthjellësi dhe zgjedhje e lirë në raport me Zotin tënd, Zotin e gjithësisë. Të gjitha fetë predikojnë se parajsën ta bëjmë këtu dhe kudo. Është makabritet edhe fakti që ka mbajtur disa muaj në banesë. Është thjesht ngjarje e rëndë dhe pa lidhje me fenë. As Bibla dhe as Kurani nuk predikojnë vetëflijimin”, tha Gurra.
Ylli Gurra theksoi se devijimi i Kuranit dhe Biblës dërgon në ide të rrezikshme. Ai nxori në pah faktin se ekzistojnë shumë sekte, të cilat nuk kanë lidhje me besimin.
Duke qëndruar në të njëjtën linjë, Gurra tha se janë sekte që mundet te proklamojnë edhe maskarallëqe. E po kështu sipas tij, devijimi i Kuranit dhe Biblës janë të rrezikshme, të cilat dërgojnë drejt ekstremit. Referuar sektit që ato ndiqnin, ish-Myftiu i Tiranës tha se ato çojnë në keq-interpretime të librave të shenjtë. Ai e shpjegon mjaft qartë më tej se fetë tradicionale dhe librat e shenjtë si Bibla e Kurani, kurrë nuk flasin për vetëflijim.
“Kurani dhe Bibla flasin për vdekjen. Vdekja është e pashmangshme, kjo gjë dihet. Vija ndarëse është se jeta prevalon mbi vdekjen. Janë sekte që mundet te proklamojnë edhe maskarallëqe. Nuk dua të komentoj komunitetin që akuzohet, por ata kanë vetëm 100 vjet. Devijimi i Kuranit dhe Biblës janë të rrezikshme, që dërgon në udhën drejt ekstremit.
Sektet qoftë brenda islamit, qoftë brenda krishtërimit, nuk kanë jetë të gjatë. Sektet fetare çojnë në keq-interpretime të librave të shenjtë. Fetë tradicionale dhe librat e shenjtë Bibla e Kurani kurrë nuk flasin për vetëflijim. Akoma më e rëndë është se trupi i mumifikuar, është mbajtur për disa muaj. Sekti duhet parë nëse e ka bazën tek librat e shenjtë, apo janë të kota, në ide të tyre”, u shpreh Gurra.
“Janë raste sporadike, por në një globalizëm të tillë ku jetojmë, mund të ketë ndikime të jashtme. Unë gjykoj që institucionet fetare duhet të jenë të fuqishme, që mos të dilet nga ndikimet fetare tradicionale. Interneti mund të manipulojë më kollaj. Institucionet fetare duhet të bashkëpunojnë me shtetin. Nuk e ka askund të shkruar se duhet të vetëfljohemi, asnjë libër i shenjtë. Ringjallja është vetëm diku dhe aty thuhet se është ekskluzivitet i Jezuit, aspak dhe askund i njerëzve”, përmbylli Gurra.
Zhaneta Josifi 56-vjeçe dhe e bija Anisa Josifi 30-vjeçe, u përcollën në banesën e fundit në Përmet, aty ku prehet dhe bashkëshorti i Zhanetës dhe babai i Anisës, prej 6 vitesh, i cili edhe ai vrau veten duke u hedhur nga pallati.
Të afërmit kanë përcjellë Zhanetën dhe Anisën në banesën e fundit, ku mbi arkivolin e 30-vjeçares Anisa ishte vendosur dhe një vello nusërie.
Historia e kësaj familje ka tronditur mbarë opinionin publik. Blerta ka thënë se e motra e saj kishte 15 muaj që kishte vdekur, dhe se familja po priste ringjalljen e saj.