Ish-kryeministri Nikola Gruevski, aktualisht azilant në Hungari, në mungesë është dënuar me 9 vite burg për rastin “TNT” për rrënimin e kompleksit “Kosmos” të biznesmenit Fijat Canoski.
Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, me 9 vite burg për “shpërdorim të detyrës” dhe të autoritetit zyrtar, në vitin 2011 dhe 2012.
Gruevski, i cili është arratisur në Hungari, së bashku me disa ish-zyrtarë maqedonas, janë dënuar për rastin e njohur si “Kosmos”, rrënimin e një objekti të një biznesmeni që kundërshtonte politikën e partisë asokohe në pushtet VMRO-DPMNE, që drejtohej nga Nikolla Gruevski.
Nga trupi gjykues, kjo vepër është vlerësuar si e motivuar për hakmarrje politike.
Për veprën e njëjtë, ish-ministri i Transportit, Mile Jakanievski është dënuar me 3 vjet burg. Sakaq, me 4 vjet burg është dënuar ish-kryetari i Komunës së Gazi Babës në Shkup, Toni Trajkovski.
Sipas aktgjykimit, të dënuarit duhet bashkërisht t’ia kompensojnë dëmin e shkaktuar biznesmenit Fiat Canovski, në shumën mbi 11 milionë euro.
Hetimi kundër Gruevskit dhe zyrtarëve të tjerë ishin iniciuar nga afera e përgjimeve që ishte publikuar në vitin 2013 nga Zoran Zaev, ish-kryetari i Lidhjes Social Demokrate, e cila në atë kohë ishte në opozitë.