Ish-drejtuesi në Policinë e Shtetit, Emri Vata, tha se Klement Balili nuk ka pasur asnjë presion për tu vetëdorëzuar, pasi ky proces ndodh zakonisht në kushtet e flagrancës. I ftuar në studion e lajmeve në “Fax News”, ai deklaroi se shoqërimi i “Eskobarit të Ballkanit” nga Ardi Veliu, ngre pikëpyetje të mëdha për funksionimin e shtetit. Vata iu referua edhe trumbetimit që i është bërë nga ana e medias. Sipas tij, rasti në fjalë është fryrë shumë, kjo për të tërhequr vëmendjen nga çështje të tjera.
“Vetëdorëzimi është një praktikë e njohur, po në këtë rast nuk mund të quhet më i tillë, pasi ka kaluar një periudhë shumë e madhe kohore. Vetëdorëzimi kryhet në kushtet e flagrancës. Në rastin e Balilit është vetëdorëzim në letër, është detyrë e policisë për t’i kapur personat e shpallur në kërkim. Policia në rastin Balili është anashkaluar. Çdo person që është në kërkim, dhe e mbush mendjen për tu dorëzuar, nuk ka më rol policia në këtë rast.
Nëse flasim për gjendjen ku ndodhet sot Shqipëria, ka plot organizata kriminale që operojnë në vend, që kanë lidhje me parlamentarët. Policia ka procedura të duhura, nuk mund të futet në rolin e negociatorit kreu i Policisë së Shtetit. Ja një ditë, një kriminel që kërkon ta shoqërojë kryeministri?
Shoqërimi nga Ardi Veliu ngre pikëpyetje të mëdha për funksionimin e shtetit, sa kohë që dhe vetë personi e ka pranuar që ka qëndruar për tre vite në vendet më të populluara dhe nuk është kapur. Nëse do ishin zgjatur afatet e hetimit, ai sërish nuk do të dorëzohej. Këtij personi nuk i rrezikohej jeta, pasi çdo veprim i policisë është i kontrolluar, nuk e kemi luksin që çdo kriminel të ketë një shoqërim të tillë. Ky nuk është aksion, është një paraqitje e personit pranë organeve të drejtësisë.
Arrestimi i Balilit në vitin 2006 ka qenë një zbatim i urdhërit të gjykatës, në sajë të hetimeve disa-mujore nga ana e Prokurorisë. Ky i sotmi theksoj që nuk mund të quhet operacion. Si është gjendja e kriminalitetit sot në vend, nuk ka nevojë që ta themi ne në studio. Nuk është puna e policisë që të merret me peshkimin, apo gjuetinë e paligjshme, policia është një organizatë që duhet të garantojë sigurinë e qytetarëve.
Rasti Balili është fryrë aq shumë, për të tërhequr vëmendjen nga çështje të tjera. Ka shumë elementë të tjerë kriminalë, që duhet të jenë përpara drejtësisë. Është e dhimbshme të mendosh që grupe kriminale përcaktojnë sot qeverisjen e vendit.
Ka shumë pikëpyetje që lidhen me negociatat e Veliut, nëse Prokuroria do ta kërkojë, do të zbardhet patjetër biseda e bërë mes drejtuesit të Policisë së Shtetit dhe Balilit. Ajo që është më shqetësuese se shoqërimi nga Veliu, është ajo që atij i është garantuar”, u shpreh Vata.