“Open Data Albania” ka hulumtuar mbi ndërtimin me koncesion si Partneritet Publik Privat, të shtatëmbëdhjetë shkollave në bashkinë e Tiranës.
Afati për realizimin e objektit koncesionar parashikon 18 muaj për ndërtimin dhe vënien në funksion të projektit dhe 7 vite për mirëmbajtje të objekteve infrastrukturë shkollore.
Në artikullin e hulumtuar nga ODA po analizohen disa nga elementët që përkojnë me kosto të koncesionit Partneritetit Publik Privat, bazuar në përllogaritejt e Studimit të Fizibilitetit. Studimi mban datën Nëntor 2016, dhe çdo e dhënë i referohet vlerësimeve të këtij momenti kohor.
Projekti Parashikon ndërtimin e 17 institucioneve arsimore të reja. Institucionet arsimore që do të ndërtohen, do të jenë në katër tipologji të ndryshme. Sipas llojit ato ndahen në dhjetë (10) shkolla nëntëvjeçare dhe shtatë (7) shkolla të mesme. Studimi i fizibilitetit ka kategorizuar shkollat në katër tipe.
Programi në total ka vlerën totale të parashikuar prej 8 811 760 212 (tetë miliard e tetëqind e njëmbëdhjete milion e shtatëqind e gjashtëdhjetë mijë e dyqind e dymbëdhjetë) Lekë.
Duke qenë një formë Partneriteti Publik Privat, është parashikuar që kostot e investimit të mbulohen fillimisht përmes fondeve të veta të subjektit privat fitues i koncesionit. Shkollat do të ndërtohen njëkohësisht. Bashkia Tiranë do të fillojë të shlyej kostot e projektit pas 18 muajve, dhe shlyerja do të vijojë për shtatë vite me rradhë. Në momentit e shlyerjes së plotë do të bëhet edhe dorëzimi i shkollave nga Koncesionari tek Autoriteti Prokurues që është Bashkia. Bashkia Tiranë do të përballojë me fondet e veta shpronësimet e trojeve private që do të përdoren për këtë qëllim.
Financimi (final) për shlyerjen e kostove të projektit do të sigurohet nga Taksa e përkohshme për Infrastrukturën Arsimore dhe nga transferta specifike të buxhetit të shtetit.
Taksa e përkohëshme paguhet nga familjet, personat juridik e fizik, vendas ose të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të bashkisë Tiranë. Taksa do të mblidhet në vitet 2016 deri 2022, dhe parashikohen të mblidhen prej saj mesatarisht një miliard lekë në vit. Ndërsa në shtatë vite të pagesës së kostove të projektit, Ministria e Financave do të alokojë në formën e transfertave specifike vlerën 700 milion lekë në vit.
Kostot e drejtpërdrejta të investimit janë përllogaritur:
1. kostot për shpronësimin e truallit vlera 814 242 252 lekë;
2. kostot e ndërtimit plus instalime vlera 4 720 118 027 Lekë;
3. kostot e studim projektimi 123 794 213 Lekë; kostot e supervizimit 53 506 790 Lekë;
4. kostot e kolaudimit 1 907 078 Lekë; oponencat teknike 3 703 980 Lekë;
5. kosto për mobilje dhe orendi 335 605 000 Lekë;
6. kosto të pajisjeve të laboratorëve 166 773 267 lekë.
7. Taksa e infrastrukturës është përllogaritur në vlerën zero.
8. Në total të gjitha kostot e drejtpërdrejta të investimit janë përllogaritur 6 miliardë e 221 milionë lekë.
Ku kosto të drejtpërdrejta të investimit (për Koncesionarin) janë 5.4 miliard Lekë, dhe kjo pasi është hequr kosto e shpronësimit e cila mbulohet drejtpërdrejt nga vetë Bashkia.
Shpronsime: Për ndërtimin dhe vënien në funksion e shtatëmbëdhjetë shkollave është parashikuar të shpronësohen nga subjekte private 58 547,5 metër katror troje si dhe të mirat infrastrukturore që janë mbi këtë sipërfaqe (banesa, godina të tjera, pemë frutore). Vlera për shpronësime është parashikuar 814 242 252 lekë. Shpronësimet janë parashikuar vetëm për ato sipërfaqe ndërtimi që rezultojnë të jenë pronësi private. Një pjesë e sipërfaqes tashmë është përzgjedhur nga Bashkia dhe rezulton pronë publike nën administrim të një institucioni publik. Kjo do të merret në administrim sipas procedurave të administrimit të pronës publike.
Kostot për ndërtimin e shkollave, sipas studimit të fizibilitetit të Bashkisë Tiranë, janë parashikuar katër pikë shtatë miliard Lekë (ose 34.7 milionë euro). Shkollat e Tipit 1, 2 dhe 3 kanë edhe klasa kopshti, ndërsa tipi i katërt jo. Sipërfaqja për ndërtimin e shkollave është 88 036 metra katror. Sipërfaqja për ndërtimin e kopshteve është 11 729 metra katror. Çmimi mesatar për ndërtimin e një metër katror sipërfaqe shkollë është parashikuar 46 332 lekë për metër katror, ndërsa për kopësht është parashikuar 54 381 lekë për metër katror. Kosto të tjera të investimit si ajo për Studim Projektimi, Mbikëqyrje të Punimeve, Kolaudimi, Oponenca Teknike, Mbrojtje ndaj Zjarrit, Leja Mjedisore, Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë janë përllogaritur sipas Relacionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Punëve Publike me numër protokolli 21407/2, datë 09. 08. 2016.
Mobilimi i 17 shkollave është parashikuar të kushtojë pesëqind e dy milion e treqind e shtatëdhjetë e tetë mijë lekë, prej të cilave treqind e tridhjetë e pesë milion do të shkojnë për mobilime ndërsa njëqind e gjashtë dhjetë e gjashtë milion do të kushtojnë pajisjes me laborator të shkollave. Përllogaritjet janë bërë pa Tatim mbi Vlerën e Shtuar.
Veç nderimit dhe kostove të ndërtimit projekti ka edhe mirëmbajtje të objekteve arsimore për periudhën kohore shtatëvjeçare, periudhë gjatë së cilës Bashkia si autoritet kontraktues do të paguaj investimin për privatin vit pas viti. Tek kosto të mirëmbajtjes ky studim fizibiliteti dokument në procesin e kontraktimit me tenderim për projektin koncesionar përllogarit këta zëra: Kosto për mirëmbajtje të aseteve (ndërtesa, pajisje, mobile dhe sistem laborator IT), kosto për staf ku janë parashikuar personel roje, personel sanitare, personel sekretarie. Për këtë kategori kostosh, përllogaritjet janë bërë duke u bazuar tek të dhënat të kostove që aplikohen nga Drejtoria e Përgjithshme Nr. 3 e Punëtorëve të Qytetit, drejtori në vartësi të Bashkisë. Kostot vjetore të mirëmbajtjes për efekt llogaritjesh janë parashikuar deri në përfundim të PPP-së, periudhë shtatëvjeçare.
Në total Kostot e Mirëmbajtjes përllogariten se do të jenë një 1.15 miliard lekë.
Në përllogaritjen e kostove të drejtpërdrejta të investimit është përllogaritur brenda kostove preventive edhe marzh fitimi për kontraktonin apo nënkontraktonin. Por në Studimi i Fizibilitetit parashikon edhe nevojën për përllogaritje të marzh fitimi shtesë. Kjo pasi koncesionarit vlerat e investuara për këtë qëllim do ti mbulohen në harkun kohorë të shtatë viteve. Gjatë këtyre shtatë viteve është parashikuar të rimbursohet për vlerën në kohë të parasë, si dhe për pjesën e mbajtjes së zakonshme dhe jo të zakonshme për këtë periudhë. Për këtë arsye si marzh fitimi është marrë si tavan norma mesatare e obligacioneve të qeverisë shqiptare për obligacione shtatëvjeçare fikse gjate 2015 dhe 2016. Në total Partnerët privat të këtij koncesioni do të marrin marzh fitimi vjetor mbi fitimin kontraktor prej 6.28% dhe kjo përqindje do të paguhet për vlerën e pa kthyer të kostove të projektit çdo vit për periudhën shtatëvjeçare.
Në total partnerët privat të koncesionit është parashikuar të marrin 1 358 180 210 (një miliard e treqind e pesëdhjetë e tetë milion e njëqind e tetëdhjetë mijë e dyqind e dhjetë) Lekë.
Në vitin e parë të shlyerjes së kostos së investimit, këto kompani koncesionare do të fitojnë vetëm nga interesi si marzh fitimi për vlerën në kohë të parasë treqind e tridhjetë e nëntë milion e pesëqind e dyzet e pesë mijë e pesëdhjetë e tre) Lekë