Ai dështoi tek Interi, por në Spanjë ka zhvilluar një kampionat mjaft të mirë me Valencian dhe tashmë kushton 80 milionë euro. Bëhet fjalë për mesfushorin francez, Geoffrey Kondogbia i cili pas një viti huazim u bë lojtarë i ekipit spanjoll për rreth 30 milionë euro.
Por tani ai është i lidhur me një transferim tek Tottenham, pasi këta të fundit kanë bërë sondazhet e para duke e ditur që është një ndër dëshirat e Pochetinos. Bisedimet kanë vazhduar me 25-vjeçarin dhe ai shihet si zëvendësuesi ideal i Mousa Dembele, i cili është shumë pranë largimit nga klubi.I lindur në rrethinat e Parisit nga prindër nga Afrika qendrore, Kondogbia është i aftë të luajë edhe si mbrojtës i majtë ose qendërmbrojtës. Ai e filloi karrierën me Lens, më pas luajti për Sevilla dhe Monaco përpara se Inter të paguante £32 milion paund për të në 2015. Por në rast se Valencia pranon ofertën e Tottenham do të jetë edhe Interi që mbush arkat, pasi ka akoma në posedim 25% të kartonit.
Karriera e mesfushorit në dy vitet në San Siro u duk shumë pranë dështimit, por ai nxori më të mirën tek Valencia, duke luajtur 30 ndeshje e duke ndihmuar klubin të arrinte zonën Champions League.