Kina, të hënën, mohoi një raportim se tre punonjës të Institutit të Virologjisë Wuhan u shtruan në spital me simptoma të mundshme të koronavirusit në nëntor 2019, 1 muaj para rastit të parë zyrtar, një pretendim që, nëse është i vërtetë, do të nxisë më tej debatin mbi origjinën e pandemisë.
The Wall Street Journal citoi një raport të inteligjencës amerikane se informacioni i pazbuluar më parë ofron detaje të reja mbi kohën e shtrimit të tre shkencëtarëve në spital rreth një muaj para se Kina të raportonte infeksionet e para. Kina dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë minimizuan thirrjet për një hetim më të gjerë për të përcaktuar nëse virusi mund të ketë dalë nga laboratori.
Yuan Zhiming, drejtori i laboratorit, i tha Global Times se raporti i Journal ishte “i pabazuar”. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian gjithashtu e quajti deklaratën “plotësisht të rreme”.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin teorinë e rrjedhjes së virusit nga laboratori. A është qëllimi i vërtetë shqetësimi në lidhje me origjinën e virusit apo e bëjnë për të devijuar vëmendjen?” – pyeti Zhao