Neymar është duke kaluar sërish një moment të vështirë në karrierën e tij, pasi dëmtimi që pësoi një vit më parë i është rikthyer dhe do të qëndrojë jashtë fushave për një muaj, e pakta. Duke pasur parasysh se ka humbur edhe përballjet me Manchester United ne Champions League, ylli brazilian dukej shumë i nervozuar.
Kjo, edhe për shkak se mediat vijojnë të shkruajnë për të, se dëshiron të kthehet te Barcelona, skuadra ku pati kulmin e vet në nivel klubi dhe prej nga u lirua për shumën rekord botëror të 222 milionë eurove.
Neymar, edhe pse po ecte me patericë, duke zbritur nga makina, u përball me gazetarët, me të njëjtën pyetje: a do të kthehesh te Barcelona? Ai shpërtheu para kësaj pyetjeje, me përgjigjen “mos më çani trapin”, ndërkohë që shqetësimi madhor është dëmtimi, që thuhet se është i njëjti me atë të një viti më parë, kur iu desh të operohej e të qëndronte tre muaj pushim absolut.
Ta pyesësh atë në këtë moment, nëse do ta lërë PSG-në, kur ka dyshime për vazhdimësinë e karrierës, për shkak të lëndimeve të shpeshta, është si të “përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit”. Ndaj edhe ky shpërthim duket më se i ligjshëm përpara mediave.