Daniel Drobaj është i riu i cili u prangos një ditë më parë, si i dyshuari për hedhjen e kapsollave, që dëmtuan edhe dorën e efektives së “Shqiponjave”, Ina Nuka. Në dëshminë e tij para forcave të policisë, ai ka pranuar se ka hedhur tre kapsolla në drejtim të llamarinave. Sipas 18-vjeçarit, ai nuk ka patur për qëllim që të dëmtonte policinë.
“Protestova dhe unë para Parlamentit, por nuk kam përdorur sende të kundraligjshme. Pranoj që kisha 3 kapsolla që ndeza dhe i hodha te llamarinat te Xhamia. Disa punonjës policie donin të më ndalonin, por unë nuk pranova të futesha në makinë. Ndërhynë disa persona të tjerë, dhe e gjeta veten në turmë, dhe më pas u largova”, është shprehur ai.
Në ngarkim të këtij shtetasi do të referohen materialet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, si dhe “Goditja për shkak të detyrës”.