Bledar Corra, 41-vjeç u vu në pranga, pasi dhunoi dy punonjës së burgut të Fushë-Krujës, ndërkohë që duhet të ishte në banesën e tij, sepse gjykata i kishte caktuar dënimin alternativ “Qëndrim në Shtëpi”.
Në kundërshtim me vendimin e gjykatës, 41-vjeçari kishte dalë nga banesa e tij dhe ishte drejtuar në ambientet e burgut të Fushë-Krujës, për të kërkuar shpjegime për transferimin e nipit të tij. Ky shtetas ka thyer vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, e cila i ka caktuar dënimin alternativ “Qëndrim në Shtëpi”, për periudhën e mbetur të dënimit për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Në ambientet e IEVP Fushë Krujë, ka goditur për shkak të detyrës 2 punonjës të këtij institucioni.
41-vjeçari është përballur me dy policë të burgut, dhe pas konfliktit verbal me ta i ka dhunuar. Ai ka qenë në gjendje të dehur në momentet kur është konfliktuar fizikisht me policët e burgut.
Njoftimi nga Policia e Krujës:
Goditi për shkak të detyrës 2 punonjës të IEVP Fushë Krujë, arrestohet në flagrancë 41-vjeçari që vuante dënimin alternativ “Qëndrim në Shtëpi”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasin B. C., 41 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Ky shtetas ka thyer vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, e cila i ka caktuar dënimin alternativ “Qëndrim në Shtëpi”, për periudhën e mbetur të dënimit për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe në ambientet e IEVP Fushë Krujë, ka goditur për shkak të detyrës 2 punonjës të këtij institucioni.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimi” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.