Në konferencën e radhës për shtyp mbrojtësi i Napolit, Elseid Hysaj përcolli optimizëm për dy sfidat eliminatore të muajit shtator, ndaj Lihtenshtajnit dhe Maqedonisë. Ai vuri theksi te Lihtenshtajni, pavarësisht se përballë është një kundërshtar modest, mbetet një prioritet për Shqipërinë.
“Duhet të shohim ndeshjen e parë me Lihtenshtajnin të fitojmë njëherë këtë ndeshje dhe pastaj të mendojmë për Maqedoninë, e dimë që Maqedonia është një skuadër më e përgatitur por ne duhet të kalojmë njëherë Lihtenshtajnin dhe të shkojmë me entuziazëm drejt Maqedonisë”, ka deklaruar Hysaj.
Tifozët kuqezi gjithmonë kanë qenë lojtari i 12-të dhe Hysaj nuk ngurroi tu bënte thirrje fansave të jenë sa më të shumtë në numër për të mbështetur Shqipërinë në sfidën e radhës ndaj Lihtenshtajnit.
“Tifozët duhet të vinë gjithmonë ta përkrahin kombëtaren sepse ekipi përfaqësues nuk është si klubet që luan çdo javë, ne futbollistët vijmë këtu për të përfaqësuar kombin tonë dhe tifozët duhet të vinë të përkrahin kombin e tyre. Unë mendoj që tifozët shqiptarë na kanë mbështetur gjithmonë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë”, theksoi ai.
Me tërheqjen nga futbolli të Lorik Canës shiriti i kapitenit në kombëtare mbahet nga Ansi Agolli, i cili është afër pensionimit. Në ardhmen kapiteni i ri synon të jetë Elseid Hysaj.
“Shiriti i kapitenit do të thotë shumë për një lojtar, por shiriti nuk është gjithçka, rëndësi ka të jesh pjesë e kombëtares. Gjithsesi dëshira do ishte e madhe që të isha unë kapiteni në të ardhmen edhe pse nuk jam nga ata lojtar që shiritin e kapitenit e vendos në radhë të parë”, ka përfunduar ai.