Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shokuar opinionin publik sot lidhur me një status ngushëllimi në adresë të kompozitorit Alfred Kaçinari.
Ai shkruante se “arti dhe kultura shqiptare sot humbën një profesionist prestigjioz në fushën e muzikës në Shqipëri, të madhin Alfred Kaçinari”.
Për fat të mirë, kompozitori është shëndosh e mirë. Ajo çfarë ka ndodhur është se ka ndërruar jetë Gjergj Kaçinari në Kosovë.
Ky gabim është kapur në kohë nga Haradinaj. Ja se çfarë shkruan ai më tej:
“Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta e kompozitorit të njohur prizrenas Gjergj Kaçinari. Arti dhe kultura sot humbën një mjeshtër që ka kontribuar shumë për muzikën e vjetër shqiptare.
Botës së kulturës do t’i mungojnë veprat dhe gjithë krijimtaria e veçantë e z. Kaçinari. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve e kolegëve të tij.
I pushoftë shpirti në paqe!”.