Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu nuk i ka cilësuar si presion apo ndarje politike me PD prezantimin e 36 kandidatëve të saj për Tiranën ditën e sotme.
Në një intervistë për ”Report Tv”, Mediu ka zbardhur detajet e takimit në selinë blu ditën e sotme me grupin negociator të demokratëve
Kryetari i Partisë Republikane, nuk përjashtoi mundësinë që me LSI-në në disa qarqe edhe mund të dali me kandidatë të përbashkët, por e la të paqartë se kush do të jetë udhëheqja e listës.
Fatmir Mediu: “PR kërkon që të fitohen zgjedhjet me në krye PD-n, por kërkohet respekt reciprok. Është më mirë një kandidat që është i vlefshëm për të dyja partitë se një kandidat i imponuar. Unë ofroj shqyrtimin e njerëzve që ofron PR dhe atyre që ofron PD. PR ofron në këtë koalicion votat e saj dhe burimet e saj njerëzore. Unë jam më i prirur që të kandidohet kandidati më i mirë, qoftë nga PD apo nga PR.
Qëllimi i partisë Republikane është largimi i Edi Ramës. Kujtojmë që në vitin 2005 bëmë një marrëveshje me Berishën, ku në listat e Republikanëve u futën edhe kandidatë të PD-së, dhe nga 12 deputetë që fitoi PR, 7 prej tyre ishin kandidatët demokratë.
Unë pres një përgjigje zyrtare nga PD se si i shikon marrëdhëniet me PR-në. Ende nuk kam marrë një përgjigje. Me Bashën sot diskutuam analizën politike në vend. Me LSI-në mund të dalim në disa qarqe me kandidatë të përbashkët, ashtu siç mund të dalim edhe me PD-në. Ndërkohë në disa zona të dy koalicionet mund të dalin me kandidatë të përbashkët”.