Federata Shqiptare e Basketbollit ka reaguar pas ngjarjes së mbrëmshme në Durrës, ku një basketbollist sulmoi gjyqtarin e ndeshjes.
Përmes një postimi në Facebook, Federata dënon ashpër ngjarjen në takimin mes Teutës dhe Tiranës. Ata shtojnë se ngjarje të tilla bien ndesh me të gjitha vlerat që përçon sporti, ndërsa i uron gjyqtarit Jurgen Muho, shërim sa më të shpejtë.
Federata shprehet se i mbështet plotësisht veprimet e Policisë dhe autoriteteve të ligjit, në përputhje me legjislacionin përkatës.
VIDEO/ Qëlloi me grushte arbitrin, arrestohet basketbollisti i Tiranës
Kujtojmë se gjatë ndeshjes së mbrëmshme, basketbollisti i Tiranës, Bruno Deliu, goditi me grushte gjyqtarin e ndeshjes. Deliu u arrestua nga policia gjatë ditës së sotme.
Postimi i plotë:
Federata Shqiptare e Basketbollit dënon ashpër ngjarjen e shëmtuar të ndodhur të shtunën në mbrëmje në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”, në takimin midis Teutës dhe Tiranës, e vlefshme për javën e 7-të të Superligës së Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj.
Dhuna barbare e ushtruar nga njëri prej lojtarëve të Tiranës kundrejt njërit prej gjyqtarëve të takimit është krejtësisht e pa përligjur, e pa papranueshme dhe thellësisht e dënueshme.
Skena të tilla, që për më tepër u përcollën drejtpërdrejt në ekranet e shqiptarëve nuk janë asgjë të përbashkët me basketbollin dhe bien ndesh me të gjitha vlerat që përçon sporti.
Federata Shqiptare e Basketbollit i uron gjyqtarit Muho shërim sa më të shpejtë, ndërsa mbështet plotësisht veprimet e Policisë dhe autoriteteve të ligjit, në përputhje me legjislacionin përkatës.
Federata Shqiptare e Basketbollit njofton opinionin publik se teksa po administrohet protokolli i ndeshjes dhe dëshmitë e ngjarjes, si dhe pamjet filmike ditën e hënë do të mblidhet Komisioni i Disiplinës në FSHB për të shqyrtuar dhe për vendosur mbi këtë ngjarje.