Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë ka zbuluar vendimin lidhur me banorët e Astirit, të cilët preken nga projekti i Unazës së Madhe.
Damian Gjiknuri reagoi sot me anë të një statusi, teksa publikoi edhe një video për projektin që pritet të zgjidhë problemin e trafikut.
Sipas Gjiknurit, pronarët do të shpronësohen 100%, ndërsa banorët pa leje do të marrin 3 vite qira dhe do të trajtohen me përparësi për banesa sociale.
“Segmenti i përfunduar urban i Unazës së Madhe nga Komuna e Parisit tek Shkolla Teknologjike është modeli ynë për Tiranën e së ardhmes. Për çdo skeptik, ky është standardi me të cilin do ndërtohet dhe segmenti nga Shkolla Teknologjike tek sheshi Shqiponja. Pronarët shpronësohen 100%. Ata pa leje do marrin 3 vite qira dhe do trajtohen me përparësi për banesa sociale”, shkruan Gjiknuri.
Banorët e Astirit po protestojnë prej 11 ditësh, duke bllokuar rrugët e kryeqytetit, ndërsa ka pasur edhe tensione gjatë protestës duke goditur me vezë godinën e Bashkisë e duke djegur flamurin e Partisë Socialiste.