Daniela Schwarzer, “Financial Times”/ Kur Angela Merkel u betua si kancelare për mandatin e saj të tretë qeverisës në dhjetorin e vitit 2013, Krimeja ishte ende pjesë e Ukrainës dhe marrëdhëniet e Berlinit me Moskën apo Ankaranë, nuk i mbanin zgjuar natën diplomatët e lartë. SHBA-ja qeverisej nga një president me mendësi liberale, që mbështeste integrimin evropian.
Mbretëria e Bashkuar dukej milje larg nga Brexit, dhe prirjet antidemokratike në BE nuk ia vlenin pasjen e ndonjë shqetësimi politik. Evropa nuk priste një seri sulmesh të mëdha terroriste islamike në territorin e saj. Me gjithë vëmendjen ndaj krizave në zhvillim në zonën e euros, kriza e emigracionit në të gjithë Mesdheun, u pa përgjithësisht si një problem ekskluziv i Evropës Jugore.
Që atëherë, Gjermania ka dalë nga zona e saj e rehatisë. Duke e kuptuar se zakonet e vjetra të pritjes mënjanë dhe mbështetjes nuk janë më të mjaftueshme, zonja Merkel udhëhoqi përplasjen mes Rusisë dhe anëtareve të BE-së mbi sanksionet ndaj Moskës.
Qeveria e saj nënshkroi një marrëveshje me Turqinë për t’i ndalur emigrantët nga Lindja e Mesme të kalonin në Greqi, dhe mbajti një qëndrim të rreptë ndaj presidentit turk Rexhep Taip Erdogan lidhur me rritjen e autoritarizmit në vendin e tij, burgosjen e gazetarëve gjermanë dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut.
Merkel u përplas me administratën Trump mbi çështje të ndryshme, nga tregtia e lirë tek angazhimi ndaj vlerave liberale perëndimore, dhe i bëri thirrje Evropës “ta marrë fatin në duart veta”.
Mantra e Gjermanisë së pasluftës, ka qenë ajo sipas së cilës interesat e vendit shërbehen më së miri kur mbështetet fort tek strukturat evropiane dhe ato ndërkombëtare, të cilat janë duke u sfiduar gjithnjë e më shumë.
BE dhe NATO, i kanë mundësuar fuqi të reja Gjermanisë, në veçanti suksesin e saj ekonomik. Qeveria e ardhshme, do të duhet të vendosë se cilën kosto është e gatshme të paguajë, për të mbrojtur të paktën një pjesë të këtij rendi.
Nën dritën e Brexit, presidentit amerikan Donald Trump, dhe rritjes së populizmit kundër BE-së, qëllimi i Berlinit është “të mbajë të bashkuar bashkësinë e 27-anëtarëshe “. Momenti i së vërtetës është pranë.
Zgjedhjet franceze, sollën në pushtet reformatorin pro-evropian Emanuel Makron. Zgjedhjet gjermane në shtator, janë pengesa përfundimtare përpara ndërmarrjes së nismave të reja evropiane.
Por përparimet në të dyja fushat që kërkojnë një integrim më të thellë në kuadrin e BE-së, bashkimin monetar dhe politikën e përbashkët në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes,
janë të vështira.
Në zonën e euros, narrativat konkurruese janë ato që flasin mbi atë që shkoi gabim, dhe atë se cili do të qe mjeti më i mirë. Presidenti Makron, e sheh me të drejtë konkurrencën ekonomike të Francës, si një parakusht për një integrim më të thellë të Eurozonës.
Por Berlini ka frikë se “jugorët” i përhapin kostot e rregullimit të bilanceve të tyre ekonomike në mesin e anëtarëve të eurozonës, dhe kërkojnë transferime financiare në vend të vendosjes së rregullit në shtëpinë e tyre. Prej këtej lind hezitimi për të shtuar mekanizmat e sigurimit të ndërsjellë dhe ndarjes së rrezikut.
Për ta bërë të qëndrueshme zonën e euros, qeveria e re gjermane duhet të përshtasë politikat e saj të brendshme ekonomike dhe buxhetore, dhe të rrisë investimet. Berlini duhet të pajtohet
të përfundojë bashkimin bankar dhe instrumentet fiskale, në këmbim të mekanizmave më të fuqishme të kontrollit.
Kjo kërkon mbështetje nga parlamenti – që ndoshta mund të përfshijë edhe anëtarë të partisë anti-evropiane dhe nacionaliste “Alternativa për Gjermaninë” – inteligjenca ekonomike dhe gjykata kushtetuese. Politikëbërësit kuptojnë se diçka duhet të japin. Problemi i tyre është të arrijnë ta identifikojnë atë.
Për sigurinë dhe mbrojtjen, nevojitet një debat strategjik më i gjerë. Konsensusi mbi përdorimin e forcës nuk është ende i fuqishëm, edhe pse Gjermania është angazhuar më shumë në Mali dhe Afganistan, në një kohë që ka përkrahur luftëtarët kurdë në Irak dhe Siri. Ndërkohë trupat e saj janë vendosur në territoret e aleatëve të NATO-s.
Politika gjermane e jashtme dhe e sigurisë, duhet të jetë më fleksibile, proaktive dhe me një vendosmëri gjithëpërfshirëse, dhe të gjitha këto kërkojnë një Këshill të Sigurisë Kombëtare. Berlini nuk ka alternativë ndaj partneritetit transatlantik të sigurisë.
Por, për të vepruar më fuqishëm brenda saj, bashkëpunimi evropian duhet të thellohet. Shpenzimet e mbrojtjes duhet të rriten në përputhje me synimin e NATO-s prej 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Që projektet e mëdha të mbrojtjes të zbatohen në konsorciumet evropiane, shqetësimet e bashkëpunimit industrial dhe sovranitetit, do të kërkojnë një angazhim të rreptë politik.
Megjithëse bashkëpunimi brenda një rendi evropian dhe global të bazuar në rregulla, do të mbetet prioriteti i Gjermanisë, një president i çuditshëm i SHBA-së, si dhe renegatë të tjerë në lagjen e saj dhe brenda BE-së, do ta detyrojnë udhëheqjen e ardhshme gjermane të angazhohet më shumë në politikën e pushtetit.
Kjo nuk nënkupton heqjen dorë nga politika e saj e jashtme e bazuar në vlera, përkundrazi. Për të rritur ndikimin, qeveria e ardhshme duhet të përdorë fuqinë e saj ekonomike për t’i imponuar kushtëzimin politik “partnerëve” të saj më të ngathët, si dhe për të ndihmuar në zvogëlimin e varësisë së BE-së nga Rusia, Turqia, Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce