Kush ishte Merkur Bua Shpata që lindi në Peloponez, luftëtari shqiptar që së bashku me ushtrinë e tij tërësisht shqiptare në fund shekullin e XV dhe në fillimin e atij të XVI mposhti disa nga ushtritë më të mëdha europiane të kohës.Në pemën gjenealogjike të familjes shënohet se, me mbiemrin Bua, familja u njoh më 1333, pasi mbiemri i tyre i mëparshëm ka qenë Shpata. Shpatajt, si dhe Zenebishët përmenden në dokumentat historike, që më 1304.
Si u thyen francezët, gjermanët, zviceranët, spanjollët, venecianet etj., ballë trupave të Buas. Si e ruanin identitetin shqiptar këto forca ushtarake dhe pse dështoi plani për t’u rikthyer në atdhe e për ta çliruar nga turqit.
Familja fisnike Bua është një nga familjet më të mëdha dhe më të dëgjuara në Shqipërinë e Jugut gjatë shek.XIV-XV. Në pemën gjenealogjike të familjes shënohet se, me mbiemrin Bua, familja u njoh më 1333, pasi mbiemri i tyre i mëparshëm ka qenë Shpata. Shpatajt, si dhe Zenebishët përmenden në dokumentat historike, që më 1304. Mendohet se Zenebishët dhe Shpatajt dalin nga i njëjti trung familjar.
Gjon Muzaka në librin e tij “Memorje” shkruan se Shpata (Gjin Bua) ishte nga shtëpi e Zenebishëve. Buajt gjithashtu janë degë me Skurrajt dhe Gribajt (Grivajt). Pema gjenealogjike e familjes Bua jepet prej Ch.Hopf në “Chroniques Greco-Romans”, Berlin 1873. Principata e Buajve pati shtrirje të gjerë që erdhi duke u rritur deri në lulëzim të plotë pas rënies më 1355 të Perandorisë serbe të Stefan Dushanit.
Qendra politike dhe administrative e kësaj principate ka lëvizur në kohëra të ndryshme, në bazë të zhvillimeve historiko-politike të atyre trevave. Së pari, u vendos më 1354 në Angjelokastër të Etolisë-Akarnanisë, pasi këto krahina aso kohe përbëheshin nga komunitete të fuqishme dhe aktive arbëreshe të cilat çuan në fazën e parë të shtetformimit të Buajve. Më 1358 shpallet despot dhe pas disa kohësh, më 1374, qendra politike dhe administrative e despotatit të tyre kalon në Artë.
Figura kryesore dhe më madhore e familjes fisnike Bua është, pa dyshim, despoti Gjin Bua Shpata, i biri i Petro Nikollë Buas (protovestir – kryetar i garderobës private të perandorit të Serbisë që njëherësh kryente dhe funksionin e komandantit të ekspeditave luftarake).
Gjin Bua Shpata është figura më e shquar e periudhës mesjetare në trevat e jugut të Shqipërisë. Jetoi dhe sundoi në gjysmën e dytë të shek. XIV. Në “Kronikën e Janinës” ai përshkruhet kështu: “Burrë aktiv dhe mbi të gjitha i shkëlqyer, i stolisur me vepra dhe fjalë dhe nga bukuria serioz.
Tek ai gjendeshin me të vërtetë teoria dhe veprimi”. Në “Kronikën e Tokove” gjejmë një tjetër përshkrim për të: “I bukur, i pashëm në pamjen e fytyrës, i guximshëm dhe i urtë në fisin arbëror”. Në vitin 1358 njihet prej mbretit Simeon Uroshi (qeveritar serb i Epirit) si despot i Etolisë-Akarnanisë me qendër politike dhe administrative në Angjelokastër. 16 vjet më vonë artiotët dhe rogiotët do e pranojnë Gjin Bua Shpatën (pas vdekjes së despotit të tyre arbër Pjetër Ljosha, 1374, i cili ishte despot i Artës dhe i Rogisë dhe bashkëluftëtar me despotin Gjin Bua Shpatën në betejën e Akeloit 1358 etj.), si despot të tyre dhe të mbarë krahinave të tyre duke u shtrirë në veri që nga kështjella Gliqi, pranë lumit Gliqi (Lumi i Zi ose lumi Akeron që rrjedh midis Çamërisë Qendrore dhe asaj Jugore) dhe në juglindje deri në Gjirin e Korintit.
Ai sundoi në Despotatin e Artës deri më 1399, duke udhëhequr principatën më të fuqishme në Shqipërinë e Jugut me qendër politike dhe administrative të vendosur në Artë. Më 1382 lidh aleancë politike dhe ushtarake me sebastin Gjon Zenebishi “që të jenë njish kufinjtë” me sebastën e Gjirokastrës që kufizohej në jug me atë të Despotatit të Artës në lumin Gliqi dhe në veri me Grykën e Këlcyrës.
Në Principatën e Zenebishëve përfshiheshin kështjella e Parakolosë (Parakalama) 50 km. në juglindje të Gjirokastrës, kështjella e Delvinës; e Vutrandës (Butrintit); e Srtevilit; kështjella e Shën Donatit (Paramithia); e Mazrekut; e Pargës dhe kështjella e Gliqisë. Betejat që i dhanë emër despotit Gjin Bua Shpatës ishin Beteja e Akeloit, më 1358, midis forcave arbërore dhe atyre bizantine të udhëhequra nga Perandori bizantin Niqifori II Engjëll Komneni. Kjo betejë e ashpër dhe e përgjakshme përfundoi me disfatën e plotë të trupave bizantine, ku dhe vetë Perandori mbeti i vrarë.
Beteja në fushën e Artës, (pranë mureve të Artës) më 1378 midis forcave arbërore dhe atyre të Joanitëve të Rodit të komanduara nga Huan Fernandes Heredia që kishin ardhur për të pushtuar Despotatin e Artës, të paguar nga Mbretëria e Napolit. Pas një rezistence të fortë të Despotit Gjin Bua Shpata, trupat arbërore hidhen në kundërsulm dhe i shpartallojnë keq trupat pushtuese dhe vetë Heredia iu dorëzua rob Gjin Bua Shpatës.
Beteja e Driskut (në lindje të liqenit të Janinës) kundër trupave osmane, 1396, të thirrura prej Despotit të Janinës, Ezau Buondelmonte Açajuoli. Në këtë betejë përkrah Gjin Bua Shpatës merr pjesë dhe Gjon Zenebishi. Kjo betejë ishte suksesplote për trupat arbërore. Historia e këtij despoti s’është thjeshtë historia e një heroi, ajo lidhet ligjërisht dhe pazgjidhmërisht me historinë e shtetformimit në trevat e Arbërisë së Jugut. Despotë të familjes Bua janë: Gjin Bua Shpata (1358-1399); Skurra Bua Shpata (1399-1404); Pal Bua Shpata (1399-1408) dhe Murik Bua Shpata (1399-1418).
Pas vdekjes së Gjin Bua Shpatës (29 tetor 1399), zotërimet e Shpatajve u ndanë midis të afërmve pasues të tij. Despotati u nda në dy njësi administrative: në veri despoti Murik Bua Shpata me qendër në Artë, i cili më pas bëhet dhe despot i Janinës (1403-1411) dhe në jug despoti Pal Bua Shpata me qendër në Angjelokastër. Më 1408 Angjelokastra bën pjesë në territoret e Despotatit të Qefalonisë nën despotin Karl Toko, vasal i Mbretërisë së Napolit. Më 1411 despoti Murik Bua Shpata përtërin lidhjen e “Gliqisë” të vitit 1382 midis Buajve dhe Zenebishëve “që të jenë njish kufinjtë, t’i mbajnë ashtu siç i kanë mbajtur”.
Më 1416 territoret veriore të Despotatit si dhe qendra e saj Arta përfshihen në Despotatin e Qefalonisë të Karl Tokos, duke shënuar fundin e këtij fomacioni shtetëror në Arbërinë e Jugut. Principata e Zenebishëve (Sebasta e Gjirokastrës) më anën tjetër do t’i bënte ballë Despotatit të Qefalonisë deri më 1418, vit ky kur kjo principatë u pushtua nga trupat osmane. (Gjirokastra pas pushtimit Osman bëhet qendër e Sanxhakut të Shqipërisë më 1431). Kur despoti Pal Bua Shpata humbi Naupaktin, pas vitit 1407, pasardhësit e tij i ndeshim si princa në More (1423-1489) me qendër në Davi (Dafni) të Arkadisë (Rosi Bua, 1423); Gjin dhe Aleks Bua, 1457; dhe Petro Bua i mbiquajtur “kolosi” komandant i gjithë arbëreshëve të Moresë nga 1453-1489). Me ardhjen e Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Arbëri, më 1443 sebasti Simon Zenebishi ( ? -1443) kthehet nga Korfuzi dhe fillon kryengritjen antiosmane për çlirimin e zotërimeve të Zenebishëve.
Më 1466 fisniku shqiptar i myslimanizuar Hamza Bua Shpata rikthehet në fenë e krishterë dhe kalon në anën e Venedikut. Më 1480 Teodor Bua që ishte në More nën shërbimin venedikas theu paqen që ishte vendosur midis venedikasve dhe osmanëve dhe sulmoi osmanët në afërsi të Argosit. Më 1585 Bua Griva nis revoltën antiosmane në trevën e tij në Akarnani.
Mërkur Bua është një pinjoll i lavdishëm i familjes princore Bua, i cili u bë me emër jashtë Arbërisë. Luftoi në ushtrinë e perandorit gjerman, Maksimiljani I, që prej vitit 1490, si komandant i përgjithshëm i kalorësisë së lehtë.
Mërkur Buas i njihet titulli kont në vitin 1510. Në pemën gjenealogjike të familjes koha e vdekjes së tij jepet midis vitit 1527 -1560. Mbajtja e titullit kont shoqërohet dhe me njohjen e simboleve heraldike, ku titulli jepet dhe bëhet i dallueshëm në trajtën e kurorës përkatëse të kokës (kurorë konti), që paraqitet edhe në stemë, si dhe njohja e paraqitja e origjinës fisnike familjare, e cila pasqyrohet në shqytin e tij. Deri më sot nuk kemi paraqitje artistike të stemës së kohës së Mërkur Buas e cila vjen e ndryshme në kohë të ndryshme. Jepet një përshkrim për stemën e tij, si dhe shoqërohet me një ilustrim po të këtij viti në librin “Ellenika anekdhota perisillehthenta kai ekdhidhomena kat egkrisin tis Bojlis Ellinikis Dapanis”, vëll.1-2, Athinë1867, të Sathas, K.N., por edhe ato kanë ngarkesa të lehta subjektivizmi. Stema është e punuar dhe botuar edhe nga N. Manesku dhe është e ribotuar në librin e Sturdza, M.D. “Dictionnaire historique et Genealogique des Grandes Familles de Grece d`Albanie et de Constantinople”, Paris 1983.
Varianti i dhënë i përshkruar është verifikuar nga autoritetet e Vjenës. Stema që njihet me emrin e Mërkur Buas përbëhet nga këto elementë: shqyti, përkrenarja e kurorëzuar, kreshta e përkrenares, si dhe pëlhura e kokës (ojnat). Nga pikëpamja heraldike kemi të bëjmë me një zhvillim thuajse të plotë të stemës në fjalë. Shqyti është i ndarë në katërsh. E para është e prerë në të blertë (në këtë blazon paraqitet gabimisht e purpurt) dhe në të kaltërt. Në të blertë paraqitet një kryq i artë patent, midis dy yjeve të arta tetëcepëshe. Në të kaltër paraqitet një ferrëgjatë i artë dhe i kurorëzuar. E dyta është e kaltër me një shqipe të artë flatrëhapur dhe e kurorëzuar. E treta është e brezuar në 12 pjesë (të valëzuara) të argjendta dhe të kaltërta. E katërta është e zezë, nga e majta futet një llërë e veshur me të kuqe, në dorë ka mbërthyer katër (bolla) vitore të blerta. Në qendër të shqytit ndodhet një “shqytëz tërfil” me krye të zbukuruara nga tri urora të arta dhe me buzim po të artë. Shqytëzi është i kaltër me një grifon të artë dhe të kurorëzuar.
Forma e tij simbolizon trininë e shenjtë, ndërsa kurorat simbolizojnë monarkinë, atë të perandorit gjerman Maksimiliani I.
Mbi shqytin përkrenarja e argjendtë është e kurorëzuar me pesë kangjella të arta, me pëlhurë koke të ojnëzuar, të kaltër nga brenda dhe të blertë nga jashtë (në këtë blazon paraqitet gabimisht e purpurt). Në konvencionin heraldik ngjyrat e pëlhurës së kokës rrëfejnë dhe ngjyrat e mantelit të përdorur prej Mërkurit. Kreshta përbëhet nga katër kokë të arta luani.
Numri i tyre lidhet formalisht me numrin e stemave që përbëjnë shqytin. Shqytëzi në formë tërfili që i lidh dhe i mbivendoset stemave të tjera tregon njohjen, aprovimin si dhe mbrojtjen e këtyre simboleve nga perandori Maksimiliani I. Analizimi heraldik i shqytit tregon se kemi të bëjmë me një bashkim, ndërthurje stemash të veçanta, që dikur kanë qenë më vete.
Ato vijnë të bashkuara në shqyt për arsye të panjohura prej nesh, por që më i shpjegueshëm mund të jetë fakti i një subjektivizmi të Mërkur Buas për të ngjizur në një tërë lavdinë e së kaluarës së familjes, origjinës së tij të shprehur nëpërmjet stemave heraldike. Duke bërë analizën e tyre brenda fakteve heraldiko-historike, secila stemë ka shpjegimin e saj që e lidh dhe bashkërendon me të tjerat. Përshkrimi që i bëhet stemës së Mërkur Buas në njohjen e motivacionit të kontit na ndihmon të kuptojmë historinë e pjesërisht përkatësinë e stemave përbërëse të shqytit të tij, pasi gjuha heraldike pasqyron deri-diku dhe historinë e familjes që e mban atë; pra një histori e shprehur në simbole.
Megjithatë ka elemente në stemë për të cilat nuk mund të flitet në mënyrë absolute për shkak të zbrazësive të herëpashershme historike që i mbulojnë ato. Në një të katërtën e parë të shqytit ndeshim një ferrëgjatë të artë të kurorëzuar, që është simboli i familjes mbretërore të Francës, i cili vihet në pozicionin e privilegjuar dhe të kryesimit të shqytit për të treguar varësinë e Mërkur Buas me stemat e tij, ndaj kurorës mbretërore franceze të Ludovikut. Forma e vjetër e kryqit të artë patent lidhet me hershmërinë e përqafimit të kristianizmit nga ana e familjes mbretërore në fjalë dhe yjet e arta tetëcepëshe flasin për lavdinë e saj në mbrojtje dhe në udhërrëfim drejt krishtërimit.
Në një të katërtën e dytë një shqipe e artë, flatrëshpalosur dhe e kurorëzuar tregon se kemi të bëjmë me simbolin e familjes të despotëve të Angjelokastrës, të cilët siç dihet kryesoheshin nga Gjin Bua Shpata e pasuesit e tij. Në një të katërtën e tretë të shqytit nga përshkrimi që i bëhet stemës së Mërkur Buas në njohjen e motivacionit të kontit tregohet për një krahinë të Bregut të quajtur “Boyena” që tregon origjinën e zotëruesve të stemës. Përshkrimi në motivacion nuk ndihmon në përcaktime të sakta për të, por duke u nisur nga vizioni heraldik kemi të bëjmë me një krahinë bregdetare, ndofta-ndofta kemi të bëjmë me stemën e sunduesve Bua të Moresë, të cilët mund ta kenë thirrur vendin ku kanë jetuar me emrin e tyre Buena.
Në një të katërtën e katër të shqytit, ku tregohet një krah me mëngë të kuqe, i cili futet nga e majta e shqytit, duke mbajtur në dorë katër vitore (bolla) të blerta, është stema e hershme e Buajve, të cilën Mërkur Bua, në përshkrimin që i bën stemës së tij në njohjen e motivacionit të kontit, e lidh me hershmërinë e historisë së lavdishme të familjes Bua që është pasardhëse e denjë e lavdisë së mbretit Pirro të Epirit (në një legjendë për Pirron e Epirit tregohet se ai mbyti me shtrëngimin e dorës një gjarpër kur ishte fëmijë). Flitet dhe për një lidhje midis mbiemrit të Buajve me emrin e simbolit në këtë stemë (bolla).
Më 1490 Buajt i gjejmë në Librin e Artë të familjeve fisnike në ujdhesën e Korfuzit, asaj kohe nën Republikën e Venedikut, ku më 1622 shquhet fisniku Petro Bua, i cili kryeson një përfaqësi të fisnikërisë së Korfuzit pranë senatit të Venedikut. Fisniku Petro Bua mbante një stemë të artë me majë të blertë, majtas hyn një llërë me byzylyk, në dorë mban një degë të blertë me gjethe, që shoqërohet me dy iniciale P dhe B, që nënkupton Petro Bua. Më pas kjo stemë do të jetë blazoni i Buajve të Korfuzit.
Emblema vjen tek ne vetëm e përshkruar. U botua nga M.D. Sturdza në “Dictionnaire historique et Genealogique des Grandes Familles de Grece d`Albanie et de Constantinople”, Paris 1983. Nga pikëpamja formale ka një ngjashmëri midis stemës së vjetër të familjes Bua dhe asaj të Petro Buas, ndonëse simbolet themelore ndryshojnë: një llërë që futet nga e majta e shqytit e mban me dorë – simbole të ndryshme.
Duke u nisur nga të dhënat heraldike të mësipërme do të thoja se mungesa e dokumentimit të këtyre stemave krahas asaj ku ato paraqiten të bashkëngjitura dhe të përshkruara për Mërkur Buan krijon një paplotësi në historinë e qenësisë dhe interpretimin e tyre. Gjithsesi studimet e mëtejshme heraldike mund të sjellin mendime të reja dhe më të plota për simbolet e familjes më në zë në historinë e gjysmës së dytë të shek. XIV në trevat jugore të Shqipërisë