Edi Rama e ka krijuar qeverinë e tij të re, krejtësisht femërore, e cila do të jetë e para në botë me kaq shumë femra ministre. Me 8 shtator ai do ta paraqesë qeverinë e re “Rama 3”, para Asamblesë së PS-së, ku disa prej ministrave të sotëm as që e mendojnë se nuk do jenë më ministra, por emrin e kanë të fshirë në bllokun e Edi Ramës. Atë “bllok” me emra e ruajnë si sytë e ballit Endri Fuga dhe Engjëll Agaçi.
Edi Rama e ka ndarë mendjen për ndryshime drastike në kabinetin e tij qeveritar. Përballë një stuhie opozitare këtë vjeshtë, si dhe kushteve gjermane për reforma dhe bashkëpunim me PD-LSI, ai ka gjetur një zgjidhje të qetë dhe largpamëse: ndryshon rrënjësisht qeverinë.
Të premten, Edi Rama do të mbledhë në Vlorë ministrat e tij, për të vazhduar analizën e këtij viti të parë të punës së Qeverisë, analizë e cila ka nisur që në korrik, në një takim të ngjashëm që u mbajt në Tiranë. Njësoj si herën e kaluar, në këtë mbledhje kryeministri do të jetë vetëm me anëtarët e Qeverisë, të cilët do të raportojnë mbi realizimin e detyrave dhe objektivave, që secili dikaster kishte të përcaktuara kur Qeveria “Rama 2” nisi punën shtatorin e kaluar. Nga kjo mbledhje, kryeministri nuk pritet të dalë me një vendim në lidhje me fatin e ministrave të tij, për të cilët Rama do të vendosë më tutje, në fillim të shtatorit, kur pritet që Partia Socialiste të mbajë dhe mbledhjen e radhës së Asamblesë së saj Kombëtare. Por në “bllokun” e tij e ka skicuar, si në një fletë vizatimi, kokën e sejcilit ministrër që do largojë nga kabineti.
Opozita ka dosje të forta akuzuese për shumë ministra, ndaj me sa duket Edi Rama ka gjetur zgjidhje që shigjetat të mos bien direkt në kabinet, por ti spostojë në sallën e Kuvendit ku sejcili ish-ministër të mbrohet vetë, pavarësisht se asnjë prej tyre që nga dita kur ka marrë çelësat e zyrës, nuk merr frymë pa lejen e kryeministrit.
Megjithat ende nuk ka një datë të saktë se kur do të thirret Asambleja socialiste, por burime nga kjo forcë politike i thanë Top Channel se, ajo pritet të zhvillohet brenda datës 8 shtator. Edi Rama do të vijojë të mbajë në ankth deri në fund, të gjithë anëtarët e Qeverisë, të cilët pritet të mësojnë fatin e tyre “live”, njësoj me publikun, në mbledhjen e Asamblesë, njësoj siç ndodhi gati një vit më parë, kur shtatorin e kaluar, ata që janë sot ministra e mësuan njëherazi me anëtarët e Asamblesë se ishin përzgjedhur nga kryeministri.
Burime që nuk duan të identifikohen thanë për “Koha Jone” se kryeministri e ka piketuar qeverinë e re në shtator të këtij viti, ku do të ketë surpriza. I pyetur me insistim nga “Koha Jonë” se çfarë nënkupton me “surpriza”, njeriu pranë kryeministrit, pasi fërkoi mjekrën e lehtë kryeministrore tha se “nga 13 ministra, 11 prej tyre do jenë femra”. Por vetëm kaq tha personi që rri pranë kryeministrit. Mësohet se në dy ministri, kryeministri do të kalojë zv/ministren si ministre. Por zotëria X, i kryeministrit, nuk sqaroi nëse femrat ministre që janë sot a do të jenë prapë në kabinetin e ri apo do të jenë 11 femra të reja ministre. Nuk tha se cilët do të jenë dy burrat ministra mes këtij seksi femëror ministror. A do të jetë zv/kryeministra Senida Mesi prapë në detyrë apo do të largohet për t’u bërë gati si kandidate për kryetare bashkie në Shkodër ku Edi Rama ka thënë për “Koha Jone”, pak javë më parë, se do ta fitojë bashkinë e Shkodrës. Kryeministri e ka sfidë Shkodrën, pasi kërkon të sfidojë Lulzim Bashën mu në zemrën demokrate, në Shkodër.
Edi Rama tha posaçërisht për “Koha Jone” se “në Elbasan dhe Durrës, PS-ja do të marrë mbi 5 mijë vota me tepër se koalicioni opozitar”. Pra duket se ndryshimi qeveritar është në funksion të zgjedhjeve vendore 2019.
Po kështu zotëria X pranë kryeministrit, nuk sqaroj nëse këto dy burra ministra që do mbeten a do të jenë Fatmir Xhafa, Ditmir Bushati, Niko Peleshi, Damian Gjiknuri apo ndonjë tjetër ministër. Cili mashkull ministër do të jetë si “veshka mes dhjamit” në këtë kabinet ministrash, ku 11 janë femra, apo asnjeri prej ministrave të sotëm sepse mund të marrë dy ministra të tjerë? I njëjti burim tha se një ministër mashkull që shkon shpesh në Uashington dhe mban fijet lidhur me qeverinë amerikane, nuk do të largohet, ndonëse ka akuza nga opozita. Burimi tha se e duan amerikanët, ndaj nuk kemi ç’të bëjmë…
E fundit, cila femër ministre do jetë nga SHBA, prej diasporës shqiptare?
Edi Rama e ka krijuar qeverinë e tij femërore, e cila do të jetë e para në botë me kaq shumë femra ministre. Me 8 shtator ai do ta paraqesë para Asamblesë së PS-së, ku disa prej ministrave të sotëm as që e mendojnë se nuk do jenë më ministra, por emrin e kanë të fshirë në bllokun e Edi Ramës.
Të njëjtat burime tregojnë se do të bëjë shumë ndryshime edhe në drejtuesit e disa agjensive dhe institucioneve qendrore. Një reformë jetike dhe e mirëpritur do jetë ajo që do bashkojë agjensinë e Hipotekave, të Legalizimeve dhe Pronave në një Drejtori. Kjo mbetet gjetje përfekte.
“Rama 3” është projektuar dhe vetëm pritet të shpallet. Endri Fuga dhe Engjëll Agaçi bëjnë “roje” të bllokut te “Rama 3”. Asnjë njeri tjetër nuk ka informacion. Aty janë emrat që ikin dhe ata që do të vijnë me 8 shtator. (Burimi: Koha Jone)