Gara për kreun e FSHF-së sa vjen dhe bëhet më e nxehtë, nuk mungojnë akuzat për abuzim apo mbështetjet politike në këto zgjedhje që duhet të ishin plotësisht të pavarura. Bashkim Fino dhe Armand Duka janë duke bërë një garë të fortë dhe tani duket se është kulmi i saj, pasi na ndajnë edhe pak ditë nga zgjedhjet. Kësaj gare i është bashkuar edhe një njeri i sportit, një ish-arbitër në Itali, Shpëtim Hala.
Kandidati Fino pak ditë më parë kishte komentuar edhe mbështetjen që po i jepnim futbollistët kreut aktual, Armand Duka. Ai u shpreh se kjo gjë më le të dyshoj se ata nuk e meritojnë të jenë aty, pasi nuk është pjesë e tyre të përfshihen në këtë garë. Ndërsa tani ka dalë në një konkluzion tjetër dhe është shprehur se nga mesazhet që i kanë ardhur vërtetoi se atyre u është kërkuar ta bëjnë diçka të tillë jo se kanë dashur ta bëjnë. Nga ana tjetër Fino deklaroi se ai ka mbështetje e shumë futbollistëve, por nuk do donte ti bënte publike pasi nuk i shërben askujt.
Këtë e ka bërë në një intervistë për “Gazetën Dita”, ku ka folur mbi disa nga çështjet më të nxehta të ditëve të fundit.
Fushata për kreun e FSHF?
Fushatën e kam marrë me sportivitet. Për mua është një fushatë fair-play. Futbolli është pasioni im dhe mendoj se me platformën që e kam ndryshe nga çfarë ka ndodhur deri tani, shpresoj që anëtarët e Federatës të Futbollit të më votëbesojnë më 7 shkurt.
Komenti i Finos mbi mbështetjen e lojtarëve të Kombëtares ndaj Dukës?
Më vjen keq për qëndrimin e tyre, por është çështja e tyre. Më kanë ardhur mesazhe edhe nga këta futbollistë, të cilët më tregojnë se si ua kanë kërkuar nga Federata. Por, dua të theksoj që ka shumë lojtarë, të cilët më shprehin mbështetjen e tyre, edhe pse nuk është e nevojshme të dalin publikisht.
Platforma?
Kam një platformë me shumë pika. Pikat kryesore janë:
Rikthimi i besimit te publiku, i cili do vijë nëpërmjet luftës ndaj paracaktimeve. Duke pasur një Komision Etike më të përkushtuar, do luftojmë çdo anomali të ndeshjeve, duke i çuar në Prokurori. Gjithashtu, do ketë monitorim edhe të aktivitetit të arbitrave.
Masivizimi i futbollit, i cili së pari vjen me rikthimin e besimit. Më pas me investime, ku kemi planifikuar një fushë të re stërvitore në çdo rreth të Shqipërisë. Investimet do bëhen në mënyrë transparente dhe jo klienteliste, siç ka pasur raste që ka ndodhur.
Zhvillimi dhe fuqizimi i klubeve të futbollit. Sërish me rikthimin e besimit te futbolli, do afrohen sponsorë të rëndësishëm për Kategorinë Superiore dhe jo vetëm, çka nënkupton më shumë të ardhura. Aktualisht, UEFA mbulon 64% të të ardhurave të klubeve, duke treguar se Federata është thuajse inekzistente në këtë aspekt. Në klasifikimin e përgjithshëm të Europës, para nesh ishin edhe vende si Irlanda e Veriut, që kanë një futboll gjysmëamator. Të renditesh në vendin e 52 nga 54 shtete, është një tregues shqetësues, për të cilin do e përmirësojmë patjetër.
Kalimi i pronësisë nga Bashkitë te privati. Është e nevojshme, që duke garantuar më tepër të ardhura për klubet, do ketë edhe më tepër kërkesa që të afrohen investitorë seriozë në futboll.
Krijimi i Ligës Profesioniste dhe Amatore, i cili do i japë klubeve më tepër autonomi në vetëadministrimin e tyre financiar, zgjedhjen e disenjatorit të arbitrave e shumë më tepër.
Kufizimi i mandatit të presidentit, i cili duhet të bëhet në dy zgjedhje të njëpasnjëshme.
Krijimi i Akademisë së Yjeve, i cili konsiston në afrimin e figurave të njohura të sportit tonë. Ata do ndihmojnë jo vetëm në promovimin dhe nxitjen e të rinjve që të merren me sport, por edhe që të rrisin profesionalizmin.
Ndërtimi i pesë stadiumeve të rinj. Një objektiv që do realizohet, në bashkëpunim me shtetin.
Shitblerja e ndeshjeve?
Pastërtia në futboll është një nga pikat kryesore në platformën time. Krejt ndryshe nga çfarë ka ndodhur deri tani, nuk do “mbyllen më sytë” nga anëtarët e Komisioneve për ndeshje, që i dallojnë të gjithë që janë anormale. Do kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me organet kompetente, që kushdo që guxon të paracaktojë ndeshjet e futbollit, të përgjigjet ligjërisht. Nuk duhet që fëmijët tanë të rriten me idenë se një ndeshje futbolli mund të vendoset në tavolinë. Ky është një fenomen, që fatkeqësisht e kemi parë deri tani.
Do të ketë rritje pagash për arbitrat?
Arbitrat do kenë vlerësim maksimal, për aq sa i takon Federatës, pasi kanë një detyrë shumë të rëndësishme në futboll. Por, ajo që nuk do lejohet, është dystandardizimi i arbitrave. Kemi gjyqtarë të aftë që bëjnë ndeshje të shkëlqyera në arenën ndërkombëtare dhe në kampionatin tonë, bëjnë gabime amatoreske, në kufijtë e keqdashësisë. Ky fenomen, padiskutim që do jetë në vëmendjen maksimale tonën.
Dhuna në stadiume?
Do ketë propozime për ndryshime në Kodin e Disiplinës Sportive. Kryesorja është që Komisionet e drejtësisë pranë Federatës të marrin vendime të drejta dhe të mos ketë favorizime të klubeve ose futbollistëve të caktuar, në raste dhunës. Do e luftojmë me të gjithë instrumentet këtë fenomen, duke përfshirë edhe monitorimin më të saktë dhe të detajuar të të gjitha ndeshjeve, në të gjitha kategoritë. Gjithashtu, për mua nuk është e logjikshme, që për një akt dhune të një tifozi, të mbyllen dyert e të gjithë stadiumit. Do ketë propozime për dënime alternative. Na pret një punë e madhe përpara…