Franca është eliminuar nga Kampionati Evropian ”Euro 2020”, por më shumë se 240,000 tifozë kanë nënshkruar një peticion, për të detyruar UEFA-an që të përsërisë ndeshjen e tyre ndaj Zvicrës, në fazën e 1/8-ave.
Sipas rregullave, portierët duhet të mbajnë të paktën njërën këmbë në vijën e portës në rastin kur goditet një penallti, por tifozët francezë janë ankuar, duke u shprehur se Yann Sommer nuk e respektoi rregullin gjatë goditjes së Kylian Mbappe, e cila u prit nga zviceriani, shkruan Marca.
Siç është raportuar nga media të ndryshme si RTL Sport, mijëra persona kanë nënshkruar një peticion përmes faqes Les Lignes Bougent, që ndeshja të përsëritet.
Pavarësisht se Franca kryesoi me rezultatin 3-1, Zvicra arriti të barazojë duke e dërguar ndeshjen në kohën shtesë dhe më pas drejt penalltive, ku Mbappe nuk mundi të dërgojë topin në rrjetë.
UEFA nuk duket se është e gatshme të bie dakord për përsëritjen e lojës, pasi ata janë të sigurt se gjyqtari dhe zyrtarët e VAR morën vendimin e duhur.