Përzgjedhja e një çifti shqiptar për emrin e vajzës së tyre ka habitur jo pak gjermanët. E vogla mori emrin Krefelda, një emër ky i qytetit Krefeld, ku erdhi në jetë.
Prindërit e foshnjës janë nga Kosova. Ata deshën ta pagëzojnë vogëlushen sipas emrit të qytetit. Kjo pasi, shqiptarët janë pritur përzemërsisht kur kanë ardhur nga Kosova.
Krefelda u lind në klinikën Helios Krefeld dhe peshonte 4 kg e 630 gramë. Nëna e saj ka qëndruar e vetme gjatë lindjes në sallë dhe e ka përballuar lindjen shumë mirë.
Gruaja nuk mundi të shoqërohej nga bashkëshorti, Flamuri, pasi ky i fundit duhej të kujdesej për 2 djemtë Elamin 5 vjeç dhe Enisin 2 vjeçar.
Por, autoritetet e qytetit Krefeld kanë njoftuar se një emër i tillë nuk lejohet, bazuar në të drejtën e emrit. Për këtë arsye, zyra civile e qytetit ka hedhur poshtë këtë vendim të çiftit shqiptar. Pas këtij refuzimi, prindërit janë pajtuar me emrin e ri, Elda për foshnjën e tyre.