Policia italiane ka vënë në pranga 5 shqiptarë të të njëjtit fis, pasi akuzohen për trafik kokaine. “Të veshur bukur, të edukuar, të disponueshëm dhe me sjellje të shkëlqyer”. Kështu i përshkruan policia italiane 5 shqiptarët e një fisi, të cilët janë arrestuar ditën e martë, shkruan varesenews.it.
Shqiptarët ishin vënë në ndjekje prej një viti, ku hetuesit ndiqnin veprimet 5 djemve të cilët shpërndanin kokainë të cilësisë së lartë në Varese të Italisë.
Nga aktiviteti i tyre ditor i shitjes së kokainës thuhet se trafikantët fitonin deri në 5 mijë Euro në ditë.
“Klientët ishin të gjithë italianë dhe u takoheshin me shqiptarët në vende të populluara në mënyrë që të mos binin në sy. Ata përdornin kode dhe asnjëherë nuk e tregonin vendin se ku do takoheshin”, është shprehur shefi i policsë Maurizio Greco.
Sipas mediave italiane të cilat citojnë policinë thuhet se nisja e hetimeve ka filluar pas vdekjes nga mbidoza së një shqiptari. Policia gjeti në telefonin e viktimës disa numra kontakti dhe më pas nisi ndjekjen për shqiptarët.
Policia italianë nuk ka bërë të ditur emrat e shqiptarëve të arrestuar, por vetëm inicialet e tyre që janë: M. L., 34 vjeç, M.O., 30 vjeç, M.A., 33 vjeç X.A., 27 vjeç dhe M.D., 24 vjeç.