“The Balkanista”/Kur dëgjova se po realizohej një film i ri i quajtur “Gangsteri shqiptar”, mendimi im i parë ishte se do të qe një shfrytëzim i lirë i Shqipërisë, që vetëm sa do të përforconte një paragjykim negativ mbi të. Pas filmave të tillë si “Taken”, që i përdorën shqiptarët si koka turku për të portretizuar njerëzit e këqij dhe karaktere psikopatike të neveritshme, u shqetësova se ky film do të synonte të bënte të njëjtën gjë. Por jam e lumtur të raportoj se e kisha gabim.
Pasi bisedova për disa javë me disa nga aktorët dhe regjisorin Metju Braun nëpërmjet mediave sociale, isha kurioze t’i takoja ata në Tiranë. Para premierës që do të jepet në Prishtinë më 11 tetor, dhe në Tiranë më 18 tetor, Metju dhe aktori kryesor Xhon Rezaj, kanë ndërmarrë një turne promovimi, për të marrë imazhe dhe tingujt të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe për t’u lidhur me audiencën e tyre në terren.
https://www.youtube.com/watch?time_continue=4&v=rPcJVbf18vI
U takova me ta në një mbrëmje të martën në LaVeen, Tiranë, ku konsumuam disa gota, për të kuptuar më shumë se kush është historia prapa “Gangsterit shqiptar”. Xhon Rezaj është një person shumë energjik. Me një aksent të trashë të anglishtes njujorkeze, ai porosit uiskin e tij me theksin shqiptar, dhe ndez një cigare.
Është i ngrohtë, miqësor dhe i pashëm, por ka një nga ato fytyra, nga ku ju mund të imagjinoni jetën e tij të vështirë, dhe unë zbulova më shumë rreth filmit. Nuk qe e vështirë të kuptoja, se pse ai ishte një zgjedhje e përkryer për rolin.
Duke më rrëfyer historinë e tij personale, ai më shpjegoi se si i kaloi vitet e tij të hershme në malet e Shqipërisë së veriut, jo shumë larg nga kufiri malazez. Ishin vitet 1970, një kohë kur kthetrat e ftohta të komunizmit kontrollonin çdo pjesë të vendit, dhe ku çdo qytetar jetonte nën shtypjen e Enver Hoxhës dhe lakejve të tij.
Pastaj, një natë, familja e Xhonit vendosi të largohej nga shtëpia dhe të udhëtonte nëpër male për në Malin e Zi. Nëse do të ishin kapur do të qëlloheshin në vend, ose do të burgoseshin për pjesën e mbetur të jetës së tyre. Ndaj nuk është e vështirë të përfytyrosh, se sa të dëshpëruar duhet të kishin qenë ata, për ta ndërmarrë në sy një rrezik të tillë.
Ai nuk mban mend shumë gjëra nga udhëtimi, përveç faktit që nëna e tij e mbajti në krahë për 13 orë, dhe duke ecur në dëborë arritën të sigurt matanë kufirit. “Nuk mbaj mend të kem qenë i frikësuar, mendoj se isha tepër i ri për t’u frikësuar. Por mbaj mend se isha ngrirë i gjithi”- më thotë duke qeshur, dhe vërvitur cigaren në gojë.
Ai u rikthye në Shqipëri disa vjet më parë, dhe vizitoi për herë të parë fshatin e tij që nga ajo natë fatlume. Ai më shpjegoi se ndërsa nuk e kujtonte mirë fshatin që gjeti, ndaloi instiktivisht jashtë shtëpisë që dikur kishte shtëpia e familjes së tij, duke e kuptuar se atje kishte nisur historia e tij.
Në atë moment të veçantë, ai s’kishte dëshirë të kthehej për të jetuar në vendin e tij, por duke parë se si është tani, dhe duke dëshiruar një ritëm të ndryshëm të jetës nga rrugët e Nju Jorkut, ai flet me entuziazëm mbi dëshirën për t’u kthyer në vendlindje.
“Unë po plakem, kjo nuk është më jetë për mua. Dua të ngadalësoj pak, dhe të gëzoj atë që më ka mbetur. Ndaj jam duke menduar të rikthehem”- thotë ai. Personazhi i Xhonit është ai i Leonit, një shqiptari që është i detyruar të mbijetojë në rrugët e Bronksit, një lagje famëkeqe në Nju Jork për shkak të kriminalitetit të theksuar.
Pasi ka dalë nga burgim i gjatë, ai ka shansin të lajë hesapet me njeriun që e arrestoi dhe e plasi pas hekurave të burgut. Ndërsa historia përfshin dhunën, krimin dhe gjërat tipike që lidhen me jetën e gangsterëve, ai nxiton të shpjegojë se nuk është duke e lavdëruar këtë stil jetese.
Qëllimi i tij, ashtu edhe i skenaristit dhe regjisorit Metju është të tregojë realitetin, një histori të vërtetë të luftës për mbijetesë, me të cilën janë përballur dhe përballen shumë emigrantë pas mbërritjes së tyre në Amerikë. Xhoni më thotë se ai pasur një diskriminim të vazhdueshëm nga policia dhe pjesëtarët e tjerë të shoqërisë amerikane, bazuar thjesht në mbiemrin e tij shqiptar.
”Policia të vihet pas, sapo sheh qe ke një mbiemër shqiptar. Dhe kjo ndodh gjatë gjithë kohës”. Ndërsa askush nuk sugjeron që një jetë plot krim dhe dhunë ia vlen, kjo është një histori e mbijetesës dhe përpjekjeve për t’ia dalë, që është fatkeqësisht realiteti për kaq shumë njerëz, pavarësisht nga kombësia e tyre.
Ndërsa Xhoni nxiton të vërë në dukej se historia nuk ka të bëjë me të, ai shpjegon se edhe mund të ketë lidhje me shumë njerëz që i njeh, ose me shumë njerëz që mund t’i njohë audienca. Personazhi i Leonit, është dikush që ka marrë një shuplakë të fortë në lojën e jetës dhe herë pas here është detyruar të bëja gjëra që ishin më pak se ideale, thjesht nga dëshpërimi dhe dëshira për të mbijetuar.
Ndërkohë Metju vë në dukje se kjo nuk është thjesht një film tipik gangsterësh, por se është përpunuar me kujdes për të qenë një realizim i mirë kinematografik, në një formë të tillë që do të ekspozojë realitetin e egër të jetës së vërtetës, dhe historitë aktuale dhe të vërteta që ndodhin në komunitetin shqiptaro-amerikan në Broks të Nju Jorkut.
Unë isha kureshtare të kuptoja se si Metjut, i lindi ideja për të realizuar një film mbi botën e nëndheshme të krimit shqiptaro-amerikan, dhe ajo që nisi si një ide për t’u përqendruar mbi një histori, që nuk kishte ndonjë diçka me tepër sesa historitë e mafies italiane, evoluoi në diçka shumë më personale.
Ai më tregoi për vështirësitë e infiltrimit në botën e krimit, por zhytja e tij në kulturën e krimit ishte një përvojë frymëzuese, çka e bindi se kishte zgjedhur rrugën e duhur. “Kjo ishte ajo që duhej të bëja, e dija se duhej të zhytesha i gjithi në atë realitet. Ky ka qenë procesi ynë i çmendur që nga dita e parë!”.
Më pas ai shpjegon se gjatë 18 muajve të kërkimeve dhe kohës së mëvonshme të filmimeve, ka kultivuar një afrim të thellë me Shqipërinë, shqiptarët dhe kulturën e tyre. Ndërsa diskutojmë mbi dashurinë tonë të përbashkët për ngrohtësinë dhe forcën që mbizotëron në komunitetin shqiptar, ai ndihet shumë i emocionuar.
Ashtu si unë, miqësitë që ka ushqyer, mikpritjen që ka marrë, dhe përvojat që ai ka zhvilluar për shkak të këtij vendi dhe popullit të saj, janë diçka që i erdhi shumë papritur. Ndërsa lidhja e tij dhe pasioni me shqiptarët u forcua, u bë gjithnjë e më shumë e rëndësishme për të, të rrëfente histori të vërteta – nëna e Xhonit shfaqet në trajlerin e filmit, shumica e miqve të tij tani janë shqiptarë dhe për të ishte e rëndësishme që premiera e filmit të shfaqet në fillim në
Kosovë dhe Shqipëri, dhe më pas në SHBA.
Kur i pyes për reagimin që kanë marrë deri tani, ata fillojnë të flasin menjëherë me ngazëllim dhe entuziazëm. Përpjekja e tyre, është mirëpritur ngrohtësisht nga shqiptarët në Ballkan, si dhe në komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork. Ata madje kanë zgjedhur të përdorin muzikantët shqiptarë Unikkatil dhe Ledri Vula për të krijuar fonogramën, si për të theksuar më tej përkushtimin, respektin dhe dashurinë e tyre ndaj komunitetit shqiptar.
Mejtu më thotë se tashmë ka në projekt një tjetër film që është në fazën e post-produksionit, dhe ka shumë ide për të treguar më shumë histori rreth Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Ndërsa biseda jonë kalon mbi atë se sa po e shijon kohën e tij në Shqipëri, ai më tregon një sekret se ai dhe bashkëshortja e tij, aktorja kryesore Eshli C.Uilliams, po konsiderojnë mundësinë e zhvendosjes në Shqipëri.
Unë qesh dhe i them atij se ky është një reagim mjaft normal, dhe se Shqipëria ka fuqinë ta bëjë këtë për njerëzit, ndërsa me urimin në shqip “gëzuar” në dollinë e fundit, u them atyre se Tirana i ka bërë tashmë të vetët.
Kodet dhe traditat e lashta, besa, respekti, e vërteta, realiteti, miqësia dhe lufta janë fjalët kryesore që më bënë përshtypje kur përfunduam intervistën tonë. Kam shpresë se ky film do të jetë një sukses, dhe ndërsa në fillim isha në mëdyshje për konceptin dhe përmbajtjen e tij, pas takimit me këta njerëz, mund të shoh dhe ndjej emocionin e fortë që ka përshkuar krijimin dhe filmimin e kësaj historie. Mezi pres që ta shoh këtë film, dhe mezi pres të shoh se çfarë kanë rezervuar për ne në të ardhmen.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce