Aleati dhe ish-këshilltari i fushatës elektorale të Donald Trump, Roger Stone, është arrestuar në Florida. CNN raporton se këshilltari special Robert Mueller ka listuar së paku 7 akuza në adresë të Roger Stone, ish keshilltari i presidentit amerikan, Donald Trump.
Roger Stone, një aleat i rëndësishëm i presidentit Donald Trump, është arrestuar nën akuzat për pengim dhe ndikim ndaj dëshmitarëve, si dhe dhënie të deklaratave të rreme. Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Hetuesit Special.
“Stone u arrestua sot në Florida, pas ngritjes së akuzës nga një grup gjyqtarësh më 24 janar në Washington DC”. Kështu ka deklaruar një zëdhënës i Robert Muellerit, i cili është duke e hetuar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA, dhe lidhjet e mundshme të saj me fushatën e Donald Trumpit.
Në akuzën e Muellerit thuhet se gjatë verës së vitit 2016, Stone ka folur me zyrtarët e lartë të fushatës së Trumpit për faqen “Wikileaks” dhe për informatat që kjo faqe mund t’i ketë për ta dëmtuar fushatën e kandidates Clinton. Ai ishte kontaktuar nga zyrtarët e fushatës së Trumpit, të cilët e kishin porositur të bëjë hulumtime për publikimet e ardhshme të kësaj faqeje, e cila në dokument identifikohet si “Organizata 1”.
Në këtë dokument thuhet se Stone, i cili ka qenë për një kohë të gjatë këshilltar politik i Trumpit, ka bërë deklarata të rreme të shumëfishta për veprimet e tij në lidhje me faqen “Wikileaks”, dhe se e ka mohuar posedimin e fakteve për këto veprime. Ai gjithashtu akuzohet për përpjekjet për ta bindur një dëshmitar që të japë dëshmi të rreme, për t’i ruajtur informatat që do të ndikonin drejtpërdrejt në hetime”, shkruan “The Guardian”.