Një video e re që tregon presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan që ka vështirësi në ecje, ka nxitur një polemikë të vazhdueshme për mirëqenien e presidentit, me shumë njerëz që thonë se Erdoganit mund ti duhet të largohet së shpejti nga detyra.
Në pamjet të datës 29 tetor, kur Turqia shënoi 98-vjetorin e themelimit të Republikës Turke, Erdogani shihet duke qëndruar mes flamujve turq në pallatin e tij presidencial, pasi pranoi urimet nga të ftuarit për Ditën e Republikës.
Pas një njoftimi për përfundimin e ceremonisë, Erdogan kthehet majtas për t’u larguar nga salla, duke ecur me vështirësi të dukshme, me këmbët e përkulura dhe trupin duke lëvizur përpara, ndërsa duart e tij mbeten të palëvizshme. Asistentët e tij i heqin me ngut pengesat para tij, për t’i hapur rrugën.
Videoja, e cila doli në internet të hënën në mbrëmje, u pa dhe u komentua nga miliona njerëz brenda disa orësh.
Shumë kujtuan se Erdogan në vitin 2002 i bëri thirrje kryeministrit të atëhershëm Bülent Ecevit të jepte dorëheqjen, kur Ecevi dukej se kishte probleme shëndetësore, duke pretenduar se ai ishte i paaftë për të kryer detyrat e tij si kryeministër. Erdogan ishte në atë kohë kreu i Partisë së tij të sapokrijuar për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), e cila erdhi në pushtet disa muaj pas thirrjes së tij ndaj Ecevit për të dhënë dorëheqjen.
Disa përdorues të mediave sociale pohuan se Erdogan kishte veshur këpucë të dizenjuara posaçërisht për të, që ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit dhe përgjithësisht vishen nga të moshuarit. Kostoja e këtyre këpucëve është rreth 9.000 euro.
Gjatë muajve të fundit, spekulimet janë shtuar për shëndetin e Erdoganit, veçanërisht pasi ai u pa në publik duke pasur vështirësi në të folur dhe në lëvizje.
Në tetor, Steven A. Cook, një ekspert për Lindjen e Mesme dhe Afrikën, shkroi në një artikull në ‘Foreign Policy’ se provat që ngrenë disa pyetje të dukshme për shëndetin e Erdoganit po rriteshin, duke numëruar incidentet e fundit ku presidenti shihet se ka nevojë për ndihmën e gruas së tij. Ai vuri në dukje mundësinë që një tjetër njeri i fortë mund të sundojë një Turqi pas Erdoganit, duke renditur nënsekretarin e Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MİT) Hakan Fidan, Ministrin e Mbrojtjes Hulusi Akar dhe Ministrin e Brendshëm Süleyman Soylu midis kandidatëve të mundshëm për postin.
Pas publikimit të artikullit, Erdogan ndau një video në kanalin e tij Telegram, ku shihet duke luajtur basketboll. Në video ai mban uniformën numër 15 me “R. Tayyip Erdoğan” të shtypur në të. Ai është edhe kapiteni i ekipit dhe shihet duke inkurajuar shokët e tij të skuadrës.
Kritikët e interpretuan si një përpjekje për të hedhur poshtë spekulimet për liderin e Turqisë, sundimi 19-vjeçar i të cilit mund të kontestohet në zgjedhjet e vitit 2023 pasi shumë turq përballen me varfërinë dhe inflacionin, dhe mbështetja nga baza e tij duket se po bie çdo ditë.
Një javë pas publikimit të artikullit të Cook, drejtori i komunikimit të Erdoganit, Fahrettin Altun, bëri një deklaratë në Twitter, duke përshkruar pretendimin në artikullin e Cook që sugjeronte se Erdogan mund të ishte shumë i sëmurë për të kandiduar për rizgjedhje në 2023 si “lajme të rreme”.
“Lajmet e rreme dikur ishin problem në mediat sociale. Duket se edhe mediat kryesore vuajnë nga e njëjta çështje tani. Fakti që edhe organizatat e mëdha përhapin gënjeshtra të tilla, është thellësisht shqetësuese,” shkroi Altun në Twitter.
Burimi i lajmit: Turkish Minute. Përshtatur nga Tirana Today