Zbardhen detaje të reja në lidhje me megaoperacionin e zhvilluar ditën e sotme në Kosovë, ku autoritetet sekuestruan 400 kg kokainë brenda një kamioni, pasi kishte kaluar nga porti i Durrësit.
Mësohet se kamioni në të cilën u kap sasia e konsiderueshme, është në pronësi të kompanisë “MC Foods”. Kjo kompani ka seli në Kosovë por edhe në Kavajë, teksa rezulton të jetë në pronësi të dy biznesmenëve, Izet Sheqiri nga Kosova dhe Bledar Habili nga Shqipëria.
Sasia e kokainës u sekuestrua nga Policia e Kosovës, në një depo në Lipjan. Sasia e drogës që është transportuar përmes portit të Durrësit, raportohet të jetë 2.2 tonë që kap vlerën e mbi 6 miliardë eurove.
Operacioni për sekuestrimin e kësaj ngarkese të konsiderueshme lënde narkotike është kryer në bashkëpunim nga policia shqiptare, kosovare dhe ajo italiane, të cilët janë sinjalizuar nga DEA amerikane.
Si u bë e mundur sekuestrimi i kokainës?
Kamioni ishte i mbushur me mish, ku pakove dhe kontenierëve u është vendosur çip. Me të mbërritur konteineri në Durrës, policia shqiptare ka konstatuar drogën, por nuk ka ndërhyrë duke e lejuar që të kryheshin procedurat, për të zbuluar se cili do të ishte destinacioni final i tij. Më tej është njoftuar edhe policia e Kosovës, e cila ka ndërhyrë, duke bërë edhe sekuestrimin e sasisë së madhe të drogës.