Blutë e Fierit kanë bërë të mundur zbardhen e vjedhjes së një karburanti dhe tentativën për vjedhje të dy karburanteve të tjerë. Falë hetimeve është bërë e mundur ndalimi i autores si dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i saj. Policia citon se të dy janë kushërinj. Po kështu është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe arma me të cilën autorët, nën kërcënimin e saj, kryenin vjedhjet.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër pronës dhe pasurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, falë punës operative e hetimore të mirëorganizuar, bënë të mundur zbardhjen e tre ngjarjeve të ndodhura këtë muaj në Qarkun e Fierit, ku dy persona nën kërcënimin e armës, gjatë orëve të vona të natës shkonin për të vjedhur pika të ndryshme karburantesh.
Nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, u ndalua një prej autorëve të dyshuar, shtetasja Anna Malaj, 31 vjeçe, banuese në fshatin Visokë, Mallakastër.
Gjithashtu u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, dhe po punohet për kapjen e shtetasit E.G, 22 vjeç, banues në fshatin Belinë, Patos.
Të dy këta shtetas( kushërinj), nën kërcënimin e armës, në datën 02.07.2018, në Levan, kanë vjedhur një pikë karburanti, ku kanë marrë shumën prej 30,000 lekësh të reja.
Në datën 07.07.2018, në Mallakastër, nën kërcënimin e armës kanë tentuar të vjedhin një pikë karburanti, por pasi janë ndeshur me punonjësin e karburantit, janë larguar.
Në datën 15.07.2018, në lagjen “1 Maji” Fier, në bashkëpunim, duke kërcënuar me armë gjahu teke, kanë tentuar të vjedhin një tjetër pikë karburanti.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
Automjeti me të cilin qarkullonin për të kryer vjedhjet.
1 armë gjahu teke dhe 6 fishekë.
1 palë doreza dhe 4 targa mjeti të falsifikuara.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.