Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), deklaroi se vaksinat e miratuara për përdorim në Bashkimin Evropian, sigurojnë efikasitet në mbrojtjen ndaj variantit indian të Covid-19, Delta.
Megjithatë, EMA bëri thirrje për monitorim aktiv nga prodhuesit e vaksinave për të qëndruar vigjilent, shkruan agjencia e lajmeve, Reuters.
“Ka pasur një numër variantesh gjatë muajve të fundit dhe ne presim më shumë, është shumë e rëndësishme që të ketë një monitorim të vazhdueshëm dhe një mbikëqyrje të afërt të efektivitetit të vaksinave të aprovuara.”, tha udhëheqësi i strategjisë së vaksinave në EMA, Marco Cavaleri.
Katër vaksinat e miratuara për përdorim në BE janë: Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. Organizata Botërore e Shëndetësisë, në muajin maj, e ka klasifikuar si shqetësues variantin Delta të koronavirusit.
Një variant etiketohet si i tillë kur duket se është më ngjitës, më vdekjeprurës ose më rezistent ndaj vaksinave ose trajtimeve aktuale.