Specialistët e mjedisit të bashkisë së Elbasanit kanë nisur kontrollet në qendra shëndetësore e poliklinika për të monitoruar zbatimin e ligjit për ndarjen në burim të mbetjeve spitalore. Kontrolle po ushtrohen edhe ndaj kontratave të këtyre institucioneve me firmat e përpunimit të mbetjeve. Sipas inspektorëve të mjedisit, nuk janë hasur problematika të rënda, por ndërkohë është vërejtur mungesë e bazës materiale në spital e qendrat shëndetësore.
Inspektorati i Mjedisit në Elbasan ka nisur kontrollet në qendra shëndetësore, poliklinika e spitale për të monitoruar ndarjen specifike që duhet kryer për mbetjet spitalore. Kështu, pas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, specialistët kanë dalë në terren, ku po vëzhgohet ndarja e materialeve si aget apo shiringat që të mos përfundojnë në koshat e zakonshëm të mbeturinave, shkruan ora news. Gjithashtu, kontrollit i janë nënshtruar edhe kontratat e institucioneve shëndetësore me firmat e përpunimit te mbetjeve. Sipas inspektores së Mjedisit pranë bashkisë, Aferdita Disha, kontrollet po vijojne me spitalin rajonal te Elbasanit.
Afërdita Disha, Inspektore Mjedisi, Bashkia Elbasan: “Po merret masë administrative deri në gjobë dhe shpresojmë mos të kemi probleme për të shkuar deri në prokurori, pasi janë gjëra shumë të thjeshta që çdo biznes, apo çdo qendër shëndetësore duhet t’i bëjë për të mirën e të gjithë qytetarëve”.
Gjatë kontrolleve, sidoqoftë, është vënë re se në institucionet shëndetësore ka mungesë investimesh si në bazën materiale ashtu edhe në infrastrukturë ku janë të dukshëm muret me lagështire e të palyer, situatë me të cilën përballen edhe qytetarët çdo ditë.