Udhëheqësit e dhunshëm komunistë të së kaluarës, përqafohen ende nga e majta ekstreme, ku idetë e tyre të diskredituara mbeten ende në qarkullim…
Ndërsa sot ekzistojnë grupime të ndryshme neonazistësh, ata nuk priten mirë nga publiku. Nëse bacili i fashizmit nuk ka qenë asnjëherë në gjumë, më së paku duket se kemi ruajtur rezerva të konsiderueshme “antibiotikësh social”, me të cilat mund ta luftojmë atë. S’ka gjasa të shohim ndonjë të ri me uniformën naziste të Reinhard Heydrich. S’do të ketë 100-vjetorë festivë për Marshimin Fashist në Romë dhe ngjitjen e Mussolinit në pushtet.
Megjithatë, 100 vjet nga revolucioni bolshevik i vitit 1917, a mund të thuhet e njëjta gjë për ëndrrën komuniste? Vetëm optimisti më i çartur, mund ta mohojë këtë. Sepse në fakt kudo që të hidhni sytë në botën e sotme, duket se virusi i komunizmit – në çdo lloj tendosje marksiste, socialiste – mbetet i gjallë dhe në gjendje të mirë. Kushtet për zgjerimin e tij, variojnë nga mesatarja në të mira.
Në qershor të këtij viti, rusët u pyetën në një sondazh për të përcaktuar “10 njerëzit më të shquar të të gjitha kohërave, dhe të gjitha kombeve”. Ndoshta nuk është befasues fakti që emri i dytë më i përmendur ishte Pushkini. Edhe më pak e çuditshme, është që poeti kombëtar i Rusisë duhet ta ndante këtë pozicion me të plotfuqishmin aktual të vendit, Vladimir Putin.
Ajo çfarë është më befasuese për çdo të huaj, është se personi që numri më i madh i rusëve e shpalli “personin më të shquar” në historinë botërore ishte Josif Stalini. Është e vërtetë se njeriu përgjegjës për vdekjen (rreth 20 milionë, sipas vlerësimeve më të moderuara) e më shumë njerëzve se cilido tjetër në historinë ruse, ka një rënie të vogël në popullaritet. Këtë vit ai kishte një pëlqyeshmëri prej 38 për qind, nga 42 për qind në një sondazh të vitit 2012.
Megjithatë, ai kryeson sondazhet. Natyrisht, nëse Adolf Hitleri do të mbetej figura më popullore në Gjermaninë moderne, bota do të ishte e shqetësuar. Por me komunistët ka qenë gjithmonë ndryshe. Një admirues i gjeneralit Franko që kundërshtonte Primo de Riveran, nuk është i njëjtë me një trockist që kundërshtonte leninizmin. Ndoshta misteri më i madh i mbetur nga shekulli XX, është se si midis dy binjakëve totalitarë, mbetet e pranueshme që të kesh kaluar një pjesë të jetës tënde duke pasur zili, kopjuar apo kremtuar kataklizmën globale që filloi në vitin 1917.
Vitin e kaluar, qendra kërkimore “Survation” kreu një sondazh për të zbuluar qëndrimet e njerëzve të rinjve britanikë të moshës 16-24 vjeçare. Të anketuarve iu kërkua të shohin një listë emrash, dhe të përcaktonin ata që ishin më të lidhur me “krimet kundër njerëzimit”. Adolf Hitleri përfundoi së pari, me 87 për qind të përzgjedhjeve. Shumë më poshtë (madje edhe poshtë Sadam Husdeini) vinte Josif Stalini, me 28 për qind të të gjithë të anketuarve, që pranonin se nuk kishin dëgjuar kurrë për të.
Ndërkohë gjysma e të rinjve, pranuan se nuk kishin dëgjuar kurrë për Leninin. Dhe ndërsa 8 për qind nuk kishin asnjë informacion mbi Adolf Hitlerin, plot 39 dhe 24 për qind e të rinjve lidhën respektivisht George Ë. Bush dhe Tony Blair, me krimet kundër njerëzimit. Përqindje këto shumë më të larta se sa për Mao Tse-tung (20 përqind) apo Pol Potin (19 për qind).
Dhe shkaku është injoranca e plotë. Nëse u zbulua se të rinjtë dinë kaq pak për këto krime, çdo mësues në botë do të kërkonte pashmangshmërisht rishikimin e një historie, të cilën nuk po e kujtojmë dot më. Por gjithsesi situata është e ndryshme me virusin komunist, që është çliruar në botë një shekull më parë.
Shumëkush është sot më i djeshëm për 6 milionë viktimat e Holokaustit nazist, sesa viktimat e komunizmit. Po cilat janë pasojat e shoqërive kaq amnezike për 20 milionë të vdekurit në Bashkimin Sovjetik? Apo 65 milionë vdekjet e shkaktuara nga përpjekjet për të futur komunizmin në Kinë? Po për 2 milionë të vrarët në Kamboxhia? Miliona të tjerë në Evropën Lindore? Milionat në Vietnam? 2 milionët në Korenë e Veriut? Rreth 2 milionë në të gjithë Afrikën? 1.5 milionë në Afganistan? 150.000 në Amerikën Latine? Për të mos përmendur mijëra vrasjet e kryera nga lëvizjet komuniste jo në pushtet, një numër që gati mund të duket i vogël në krahasim me masakrën zyrtare?
Kush mund ta vëzhgonte këtë kasaphanë – 100 milionë vdekje vetëm në një shekull – dhe të mos shokohej? Kush do të qëndrojë në krye të këtyre 100 milionë tragjedive, dhe sërish të mendojë “Edhe një herë, shokë, megjithëse këtë herë me një theks ndryshe”? Pak do ta bënin këtë me guxim. Natyrisht që ishte historiani i famshëm Eric Hobsbawm, ai që mbeti në Partinë Komuniste edhe pas pushtimeve sovjetike të Hungarisë dhe Çekosllovakisë, dhe u mbulua me turp në vitin 1994, kur deklaroi në një intervistë, se nëse do të ishin të nevojshme edhe 20 milionë vdekje të tjera për të arritur utopinë socialiste të ëndrrave të tij, atëherë le të ndodhte kështu.
Për dekada me radhë, intelektualët e njohur në SHBA, kanë rrëshqitur në llagëmet të pista të kanunit komunist. Noam Chomsky injoronte raportimet e gazetarëve mbi gjenocidin që po ndodhte në Kamboxhia, duke denoncuar krimet e ushtrisë amerikane në Vietnam. Intelektualë të tjerë të shquar, i kanë parë gjithashtu “teprimet” e ëndërrimtarëve marksistë, si një e keqe e domosdoshme për një utopi që nuk u jetësua dot kurrë.
Dhe mes injorancës dhe përpjekjeve të qëllimshme, mbizotëron supozimi se ndërsa autorët e fashizmit kanë pasur gjithmonë qëllim të bëjnë keq, trashëgimtarët e Revolucionit Bolshevik të vitit 1917, synon të sillnin diçka të mirë. Vetëm aksidentalisht, ata shkaktuan zarare të pashembullta. Dhe ndërkohë njerëzit, studentët e të cilëve mund të studiojnë dhe të jetojnë për të korrigjuar këtë pikëpamje, janë duke u zhdukur në histori.
Ndërsa të gjithë i njohim historitë e anti-nazistëve të mirë prej më shumë se 7 dekadash, heronjtë e anti-komunizmit po harrohen. Sondazhi i vitit 2016 me të rinjtë britanikë, zbuloi se 83 për qind e të rinjve s’kishin dëgjuar kurrë për Aleksandër Solzhenicin. Ndërkohë këtë muaj, shërbimi postar irlandez emetoi një pullë të re përkujtimore në kuadër të 50 vjetorit të vdekjes së vrasësit masiv marksist argjentinas, Ernesto Che Guevara.
Ka edhe më tej. Kur Fidel Castro vdiq nëntorin e vitit të kaluar, nuk ishte Kim Jong-un, por Justin Trudeau, kryeministri i Kanadasë, ai që lëshoi një deklaratë përmes së cilës e përshkroi despotin e ndjerë si “një revolucionar dhe orator legjendar”, i cili “kishte bërë përmirësime të rëndësishme në arsimimin dhe kujdesin shëndetësor të kombit të tij ishullor”.
Dy vjet më parë, pasi Jeremy Corbyn u bë udhëheqësi i Partisë Laburiste në Britani, kancelari i tij në hije, John McDonnell, tundi në parlament një kopje të “Librit të Kuq” të Maos për t’u dhënë konservatorëve disa leksione në ekonomi. McDonnell bëri gjithashtu thirrje për një “kryengritje” popullore kundër qeverisë së zgjedhur. Ai tha më vonë, se gjithçka kishte qenë një “shaka”.
E gjitha kjo më sjell ndërmend një debat të famshëm midis George Orwell dhe një stalinisti. Orwell arriti në fund arriti ta bënte stalinistin të pranonte se komunizmi kishte pasur teprime dhe gabime – zitë e bukës, gjyqet politike – në përpjekje për të ndërtuar shtetin që ëndërronte.
Stalinisti u justifikua: “Epo nuk mund të bësh një omletë, pa thyer disa vezë!”. Orwell ia ktheu menjëherë: “Po ku është omleta?”. Kjo pyetje mbetet edhe sot pa përgjigje: Dhe jo vetëm në Rusi, Kubë dhe Venezuelë, por tashmë edhe në Perëndim. Si ndodh që ende po shohim përpjekje për ta zbatuar sërish këtë recetë të tmerrshme, të përgjakshme, e cila synon utopinë, por gjithmonë e shkakton të njëjtën rrëmujë katastrofike dhe të përgjakshme? Ndoshta mënyra e vetme që gjenerata e ardhshme të mësojë tmerrin e eksperimentit komunist, është të përjetojë diçka nga ky i fundit. Por ky do është një bast i rrezikshëm.
Shënim: Douglas Murray është autori i librit “Vdekja e çuditshme e Evropës: Emigracioni, Identiteti, Islami”, publikuar kohët e fundit.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce