Aksidenti tragjik me dy të vdekur e një të plagosur që ndodhi të shtunën në fshatin Bura në Nikël të Fushë-Krujës, ka ardhur pasi shoferi ka humbur ndjenjat.
Humbja e kontrollit të mjetit në kthesë, shkaktoi dy viktima dhe një fëmijë të plagosur. Ekspertë të aksidenteve rrugore dolën në konkluzionin se drejtuesi i mjetit, Islam Malja, 75 vjeç, përpara se të përfundonte disa metra poshtë rrugës, ka bërë lëvizje të çrregullt të automjetit në një distancë prej 30 metrash.
Ata dyshojnë se kjo ka ndodhur pasi drejtuesi ka humbur ndjenjat, duke mos e pasur nën kontroll automjetin. Për pasojë, në kthesën e parë furgoni ka dalë nga rruga, duke përfunduar disa metra poshtë saj.
Aksidenti ka rezultuar fatal për drejtuesin e mjetit Islam Malja dhe pasagjeren Lindita Mjekra, të cilët ndërruan jetë në vend. Ndërsa udhëtari tjetër, djali i viktimës, vetëm 10-vjeç, mbeti i plagosur, pa rrezik për jetën.