Avokati Spartak Ngjela, në një postim në Facebook ka njoftuar se do të padisë myftiun e Tiranës, Ylli Gurra.
Ngjela shkruan se Gurra i quan shqiptarët turq, ndërsa shton se myftiu ka kryer tre vepra penale, për të cilat do e denoncojë nesër.
I kontaktuar nga Tirana Today, myftiu Gurra është shprehur se nuk ka bërë kurrë një deklaratë të tillë, ndërsa shton se Ngjela mund ta ketë ngatërruar me dikë tjetër.
Gurra shprehet për Tirana Today se pret që avokat Ngjela të kërkojë falje publike për ngatërresën e bërë, ndërsa shton se në të kundërt do ta padisë atë për keqpërdorim të emrit.
Gjithashtu, myftiu Gurra thotë se do të padisë edhe Kastriot Myftarajn për një shkrim të publikuar më 2 shtator, ku e konsideron myftiun “njeri i fshehtë i shërbimit turk në Tiranë”.
“Ndoshta avokati këtë herë duhet të bëjë avokatin e vetes, ai ka keqpërdorur emrin tim pasi unë nuk kam bërë asnjëherë një deklaratë të tillë.
Kërkoj që Ngjela të kërkojë falje publike për ngatërresën e bërë, përndryshe do e padis atë, por edhe Kastriot Myftarajn për një shkrim të bërë para pak ditësh. Duket si një sulmim i menduar, po i fryhet një zjarri me qëllim”, shprehet Gurra për Tirana Today.