Nga Laert Miraku/ Ndër shekuj shqiptarët kanë ndjerë në supet e tyre peshën e rëndë të padrejtësive. Në kohën kur kemi qenë të pushtuar padrejtësia vinte nga pushtuesit; në ato pak periudha ku kemi vetëqeverisur padrejtësia e madhe vjen nga klasa politike e cila kontrollon çdo gjë madje dhe sistemin e drejtësisë.
Sot jemi në fazën e diskutimeve për hapjen e negociatave me BE-në dhe qeveria aktuale kërkon hapjen e dritës jeshile duke u mburrur se ka realizuar reformën në drejtësi.
Në Bruksel dhe në kancelaritë ndërkombëtare qeveria ka paraqitur këtë tezë: “Ne bëmë reformën në drejtësi, arritëm të ndryshojmë kushtetutën, t’i miratojmë ligjet kryesore, kemi ngritur strukturat dhe tashmë kemi rezultatet e para”.
Në dhjetor të vitit 2017, kryeministri Edi Rama ia bëri të qartë BE-së se do të shkojë të bëjë martesë më Rusinë nëse nuk do të hapen negociatat me Shqipërinë.
Brukseli është i ndërgjegjshëm që reforma në drejtësi është në hapat e parë të formimit.
Aktualisht kemi një Gjykatë Kushtetuese dhe një Gjykatë të Lartë jo funksionale, një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm që është në proces Vetingun, një KLD që qëndron në detyrë edhe pse ka mbi 8 muaj që duhej të ishte shkrirë, si dhe disa struktura të tjera të sistemit të vjetër që janë ende në detyrë për shkak se nuk janë ngritur strukturat e reja.
KED nuk duhej të niste procedurën për zgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm dhe ende nuk e ka bërë. Ndërkohë, drejtori i Shërbimit Informativ, Helidon Bendo është i komanduar, pa mandat të plotë për të ushtruar funksionin, dhe duke lënë institucione të tilla dhe informacionet që vijojnë nga këto institucione janë gjysmake sepse nuk kanë legjitimitetin e dukur dhe garancinë e duhur institucionale.
Çfarë pritet të krijohet në vijim të cilën kjo reformë nuk e ka realizuar akoma:
a) Krijimi i një strukture të specializuar dhe të posaçme antikorrupsion (SPAK), me polici gjyqësore, prokurori dhe gjykata të shkallës së parë dhe të apelit.
b) Krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit apo një strukturë të ngjashme në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, strukturë e cila do të asistojë SPAK në kryerjen e veprimeve hetimore.
Ajo që është më flagrantja në procesin e reformës është ‘Neni 288’ i Ligjit mbi Organet e Qeverisjes në Drejtësi për të cilin është folur shumë pak deri tani.
Neni 288 i këtij ligji detyron Kuvendin të krijojë komisionin e pavarur për koordinimin, monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit me këto direktiva dhe kompetenca.
1) Jo më vonë se 15 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kuvendi krijon një komision të pavarur për monitorimin e proceseve të përzgjedhjes së kandidatëve dhe të zgjedhjes së emërimit të anëtarëve të organeve të qeverisjes të sistemit të drejtësisë.
2) Komisioni i pavarur miraton rregullat e veprimtarisë së tij. Komisioni ndihmohet në ushtrimin e funksioneve të tij nga administrata e Kuvendit.
3) Komisioni i pavarur bën koordinimin midis institucioneve dhe organeve që zbatoj parashikimet ligjore të këtij ligji, si dhe ndjek ecurinë e zbatimit të parashikimeve ligjore nga institucionet respektive, të parashikuara në ligj, brenda afateve ligjore të parashikuara.
4) Komisioni raporton pranë komisionit të përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend dhe para Kuvendit për ecurinë e zbatimit të ligjit sa herë është e nevojshme
5) Veprimtaria e komisionit të pavarur zhvillohet në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Pyetja në këtë rast është pse nuk është lejuar krijimi i këtij komisioni të pavarur që pas miratimit të ligjit ashtu siç e kërkon edhe kushtetuta?
Përgjigja është e thjeshtë, partitë politike që janë në Kuvendin e Shqipërisë nuk e duan këtë reformë dhe as Vetingun. Ata nuk duan t’i kenë nëpër këmbë ekspertët e që tu thonë se çfarë duhet të bëjnë.
Këtë e konfirmon edhe ambasadori amerikan Donald Lu i cili i jep përgjigje shumë pikëpyetjeve tona. “Politikanët në të majtë dhe në të djathtë kanë frikë nga reforma në drejtësi”, deklaroi Donald Lu në 8 shkurt të këtij viti.
Por çfarë deklaroi më parë Donlad Lu që ndezi zemrat e shqiptarëve se dhe për ata do të vijë drejtësia e munguar. Fillimisht ambasadori u mësoi të rinjve se si të kërkojnë të drejtat e tyre.
“Ju prisni ligje kundër korrupsionit, këmbëngulni për liritë personale në një kohë kur jetoni në demokraci. Nëse ju i kërkoni, qeveria duhet të përgjigjet! Ose ju do ta rrëzoni atë,” thotë Donald Lu duke këshilluar të rinjtë në shtator të vitit 2017.
Disa ditë më pas ambasadori deklaron se katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale në Shqipëri. Pas kësaj Donald Lu fillon dhe flet me emra.
Ambasadori u premtoi shqiptarëve së në rrjetën e drejtësisë së re do të binin “peshqit e mëdhenj” duke filluar nga Janari i viti 2018.
“Shqipëria ka një problem në lidhjen e grupeve kriminale dhe politikanëve. Nëse e mohoni këtë ju lutem të shqyrtoni rastet e Arben Ndokës, Mark Frrokut, Gentian Muhamedit dhe Elvis Rroshit. Presim arrestimin dhe ndjekjen penale të disa peshqve të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm dhe që ky sukses të vazhdojë në vitin 2018 me SPAK e BKH. Populli shqiptar ka fjalën e SHBA-ve”, deklaron ambasadori duke iu dhënë shpresa shumë të mëdha të gjithë shqiptarëve se më në fund po vjen drejtësia e munduar.
Janari iku dhe erdhi shpejt për shqiptarët. Gjithë muajin nuk ra as edhe një “peshk i madh” në rrjetën e drejtësisë shqiptare.
Më 31 janar ambasadori kërkon llogari përse nuk është arrestuar asnjë person i rëndësishëm. Donald Lu shkruan; Drejtuar, politikanëve, policëve dhe prokurorëve. Ne investuam në burimet për t’ju ndihmuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ku janë rezultatet?
Përgjigjen e kësaj pyetje e jep sërish vetë ambasadori në muajin shkurt kur thotë së politikanët nuk duan drejtësinë, por deklarata më e fortë vjen më 30 mars disa ditë më parë.
“Ndiej neveri që disa prej drejtuesve të votuar të këtij vendi, ma merr mendja edhe nga vende të tjera nga rajoni kanë qenë burrat që i shitën këto vajza të pafajshme në skllavëri. Ata duhet të arrestohen dhe të dënohen me të gjithë fuqinë e ligjit,” deklaroi i zemëruar ambasadori Donald Lu.
Në pamje të parë duket sikur kjo deklaratë e fundit s’ka lidhje me reformën në drejtësi, por ja që ka shumë.
Ambasadori ka informacionet e tij për të gjithë emrat që ka përmendur, për fenomenet për lidhjet e politikës me krimin. Çfarë është bërë deri tani, thuajse asgjë. Me të drejtë njerëzit pyesin se përse po zvarritet kaq shumë reforma? Kush e pengon?
Përgjigja është po e njëjta. Ligjvënësit, ata që janë zgjedhur nga populli. Drejtues të votuar që kanë trafikuar dhe femra. Ata që ishin përgjegjësit kryesorë për hartimin, votimin dhe krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë. Drejtësia po pengohet nga ata që e mbajnë peng këtë vend që prej 27 vitesh.
Nuk ka se si të lindë një sistem i ri drejtësie kur personat që kanë mundësi ta krijojnë atë janë të zhytur vetë në korrupsion dhe krime. Pavarësisht punës dhe dëshirës së mirë të SHBA-ve dhe të BE-së për të pasur një shtet ligjor dhe të së drejtës ka diçka që nuk funksionon.
Investimi më i madh kësaj here për reformën ishte te politikanët për t’i bindur ata së duhej realizuar sa më parë kjo reformë. Sigurisht ata po e vonojnë dhe e zvarrisin sa të mundin që ajo të mos realizohet. Edhe nëse të gjitha institucionet e sistemit të ri të drejtësisë krijohen dhe vihen në punë, proces që kërkon shumë vite, serish nuk do të ketë rezultatet që priten. Sepse çdo njëri prej tyre është lehtësisht i shantazhueshëm nga njerëzit e mafies që janë të lidhur me politikën. Sepse politikanët në Shqipëri janë të paprekshëm, aq sa e ndjenë veten zot dhe mund të vendosin për gjithçka dhe gjithkënd.
Gjithçka fillon dhe mbaron me politikën dhe politikanët. Reforma e vërtetë fillon kur shqiptarët të shohin pas hekurave politikanët e sferave më të larta. Kjo reformë nuk funksionon pa reduktuar plotfuqishmërinë e politikanëve. Një goditje e madhe për ta do ishte ndalimi i hyrjes në Amerikë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ky ndalim të bëhet për të gjithë politikanët dhe zyrtarët e lartë të shtetit për të cilët DASH ka informacion për lidhje me krimin dhe para të pista. Të jap informacione dhe t’i bëjë publike për te gjithë ata që kanë transferuar para jashtë vendit.
Nëse bëhet kjo fillojnë dhe ndryshojnë gjerat. Reforma në drejtësi do të jetë funksionale vetëm atëherë kur çdo hetim publikohet në faqet zyrtare të gjykatave dhe prokurorive dhe të jetë i aksesueshëm nga media dhe qytetarët. Me patjetër duhet që çdo seancë gjyqësore të filmohet me kamera dhe të publikohet në faqet internetit të gjykatave. Çdo hetim i mbyllur nga prokuroria duhet të jetë i aksesueshëm nga media dhe qytetarët. Vetëm kështu mund të kemi një drejtësi funksionale.
Historia ka treguar se politikanët që kanë drejtuar në Shqipëri nuk kanë dashur asnjëherë drejtësinë, aq më tepër mbrojtjen dhe shitje e vendit sipas interesave të tyre personale.
Kujtojmë ikjen e Ahmet Zogut në prill të vitit 1939 duke e dorëzuar vendin në duart e fashistëve italianë. Por dhe regjimin diktatorial të Enver Hoxhës i cili ishte i gatshëm të bënte aleancë me çdo shtet mjaftonte që ai të mbante në këmbe regjimin e tij.
Për shkak të pozicionit gjeografik jemi vija ‘e kuqe’ ku ndahet lindja dhe perëndimi. Që prej shpalljes së Pavarësisë shqiptarët kanë qenë me sytë nga Evropa dhe Perëndimi. Lidhja me rusët u bë nga diktatori Hoxha që ai të mbante pushtetin. Hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore i mbrojtën dhe i strehuan shqiptarët dhe jo ‘shteti shqiptar’. Që pas 90-ës shqiptarët nuk i harrojnë asnjë të mirë SHBA-ve. As çlirimin e shqiptarëve të Kosovës nuk kanë për ta harruar. Por këtë herë shqiptarët kanë nevojë për ndihmë. Ata duan që SHBA-të tu tregojnë se kush janë politikanët dhe funksionarët e shtetit që janë të lidhur me krimin.
Shqiptarët kërkojnë drejtësi dhe jo politikanë që kërkojnë të zgjasin sa më shumë pushtetin e tyre duke bërë “martesa” edhe me Rusinë apo vende të tjera. Padrejtësia ndaj shqiptarëve vjen nga politikanët e korruptuar dhe nga gjyqtarët, prokurorët dhe funksionarët e shtetit që janë në shërbim të tyre. Drejtësia për shqiptarët do të vijë me ndihmën e amerikanëve, por vetëm kur partner kryesor të jenë qytetarët. Shqiptarët kërkojnë drejtësi.
(Ky botim mbështetet financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit)