Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka zhvilluar një takim me krerët e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin. Në fokus të këtij takimi kanë qenë disa pika të rëndësishme, mes tyre ndalimi i lojërave të fatit, që hyn në fuqi që më 1 janar 2019.
Po ashtu, u diskutua mbi masat e marra për mbarëvajtjen e ndërrimit të vitit.
Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Lleshaj në takimin e sotëm me krerët e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin
Mirëmëngjesi
Arsyeja e organizimit të këtij takimi në fund të vitit ka të bëjë me një detyrë shumë të rëndësishme e cila fillon në minutat e parë të vitit 2019. Dhe konkretisht bëhet fjalë për fillimin e një detyrimi shumë të madh që organet e Policisë së Shtetit kanë në zbatim të ligjit 75/2018, bëhet fjalë për ndalimin e lojërave të fatit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Siç jeni në dijeni ligji 155/2015, i ndryshuar me atë 75/2018 parashikojnë ndërprerjen e veprimtarisë së lojërave të fatit, duke filluar nga data 1 janar 2019. Dhe 1 janari fillon në orën 00.00, pra jo kur gdhihet, por që në 00.00 të datës 1 janar 2019, në territorin e vendit ndalohen disa veprimtari të lojërave të fatit si: bastet sportive, baste për gara në pistë, lojërat elektronike në distancë. Po ashtu ndalohen reklamat audiovizive për bastet sportive, publiciteti në median e shkruar, në shtypin sportiv, në faqet elektronike të tyre etj..
Me rëndësi të madhe është të kuptohet fakti që Policia e Shtetit, në rastin e këtij ligji është strukturë e ngarkuar drejtpërdrejt me zbatimin e tij. Unë jam informuar nga strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit lidhur me masat që janë marrë ndërkohë nga Policia e Shtetit për krijimin e hartave të detajuara të vendndodhjes dhe për të dhënat e mbledhura nga strukturat e Policisë së Shtetit lidhur me veprimtarinë e këtyre subjekte që zhvillojnë veprimtari në fushën e lojërave të fatit në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Po ashtu jam i informuar mirë për masat e mira që janë marrë nga strukturat e Policisë së Shtetit lidhur me njoftimin, kontaktimin e pronarëve dhe me masat paraprake për ndërprerjen e veprimtarisë, ashtu sikurse jam edhe i informuar për faktin se shumë pronarë të lokaleve apo të subjekteve të kësaj fushe kanë marrë masa ndërkohë për ndërprerjen e aktivitetit, për mbylljen, apo për zbatimin e të gjithë detyrimeve të tjera ligjore.
Por nga data 1 janar kjo veprimtari bëhet veprimtari e paligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe ndalimi i saj bëhet, siç thashë më parë, detyrim i rëndësishëm për Policinë e Shtetit.
Nga data 1 janar 2019, çdo lokal ku ushtrohet në mënyrë të hapur, apo edhe të kamufluar veprimtari e lojërave të fatit, dhe basteve sportive duhet të konsiderohet si parcelë kanabisi dhe si e tillë duhet trajtuar dhe si e tillë duhet të jetë e gjithë qasja e Policisë së Shtetit ndaj këtyre aktiviteteve, nëse ka mbetur ende ndonjë në funksion.
Në këtë këndvështrim, e plotë dhe e pandashme do të jetë përgjegjësia ligjore e të gjithë zyrtarëve shtetërorë, duke filluar nga ata të Policisë së Shtetit dhe zyrtarëve të tjerë që kanë përgjegjësi për administrimin e zonave ku kryhet kjo veprimtari e paligjshme.
Drejtuesit e Policisë së Shtetit, punonjësit e administratës tatimore, apo të administratës vendore do të vihen përpara përgjegjësisë ligjore në çdo rast të konstatimit të shkeljeve apo paligjshmërisë në zonat e tyre të përgjegjësisë.
Zbatimi me rigorozitet të lartë i këtij ligji do të thotë që në radhë të parë të bëhet një goditje ndaj një veprimtarie kriminale, e cila sjelle efekte të jashtëzakonshme e të dëmshme, kryesisht në fushën e pastrimit të parave. Nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje do të bëhet një dekurajim i rëndësishëm i manisë për të përfituar në mënyrë të paligjshme dhe të papunë; do të kontribuohet në lehtësimin e plagëve të mëdha sociale që janë krijuar nga varësia ndaj lojërave të fatit; do të pësojë goditje të rëndësishme fenomeni i korrupsionit, si dhe do të inkurajohet puna e ndershme dhe investimet në veprimtari të ndershme, si në fushën e prodhimit, edhe në atë të shërbimeve.
Për t’u realizuar kjo veprimtari duhet të shtohen në mënyrë të ndjeshme kontrollet, por po në të njëjtën mënyrë duhet të shtohen edhe bashkëpunimi me institucionet dhe sidomos me qytetarët, të cilët kanë kanale të mjaftueshme për të komunikuar, për të raportuar, për të denoncuar, nëse veprimtari të kësaj natyre do të jenë edhe në vitin në vijim.
Në fakt ky ishte një mesazh kyç që doja ta përcillja për ju, por edhe për publikun. Kjo është arsyeja pse ne kemi ftuar edhe mediat që të jenë të pranishme, sepse mesazhi duhet që të përcillet i qartë për të gjithë publikun.
Meqenëse jemi mbledhur, dua të trajtoj shkurtimisht edhe dy-tre probleme, që kanë rëndësi për ditët që do presim, sidomos menaxhimin me kujdes dhe me cilësinë e duhur të festave, që janë në prag, festës së Vitit të Ri. Për këtë do të thotë që shtohen, ashtu siç është urdhëruar nga Drejtori I Përgjithshëm, që shtohen shërbimet e Policisë së Shtetit, kryesisht në pikat e kalimit kufitar, në akset kryesore rrugore të vendit dhe në vendet e tjera të grumbullimit masiv.
Një vëmendje e shtuar duhet të adresohet ndaj personave që janë kërkim ose atyre me rekorde të shumta kriminale. Ndalimi i mjeteve të rrezikshme piroteknike prej të cilave janë dëmtuar me qindra e mijëra shqiptarë ndër vite, janë shpenzuar sasi të paarsyeshme financiare si dhe është ushqyer një kulturë e krejtësisht jonormale e festës nën zhurmë është prapë një detyrë e rëndësishme.
Unë jam i informuar që serioziteti i angazhimit të strukturave të policisë dhe strukturave të tjera tatimore ka sjellë që ky fenomen pothuajse të ketë ndjerë një tkurrje ose një reduktim të plotë, por është e rëndësishme që edhe në orët në vijim të merren masa për ta mbajtur nën kontroll për arsye se jo rrallëherë ka ndodhur që bashkë me zhurmën e fishekzjarreve apo të mjeteve të tera piroteknike, janë përzierë edhe zhurma e armëve dhe për këtë arsye duhet që të gjitha strukturat e policisë, sidomos ato të qarqeve ku është krijuar një traditë e pashëndetshme, e dëmshme, e rrezikshme e përdorimit madje dhe të armëve për të festuar, të frenohet, të neutralizohet, të eliminohet përfundimisht.
Dhe e gjitha kjo bëhet në funksion të krijimit të një situate normale edhe në ditët e festave në vendin tonë. Gjithashtu rëndësi merr edhe çështja e rikonceptimit të rolit të Policisë Rrugore. Ju keni marrë tashmë detyra dhe ka filluar zbatimi i një koncepti të ri për policimin në rrugët e vendit, i cili nënkupton jo prita e postblloqe në rrugët e tij, por vetëm patrullim të kujdesshëm dhe fokusim vetëm në problemet kryesore. Duhet të vijojë edhe në ditët në vazhdim e në vijueshmërinë e vitit 2019 përdorimi masiv i teknologjisë së monitorimit. Po ashtu duhet të fillojë menjëherë në vitin 2019 dërgimi i gjobave në rrugë postare për të eliminuar në maksimum çdo lloj “debati” apo negociatash midis punonjësve të Policisë Rrugore dhe qytetarëve që kapen në shkelje. Ky fenomen duhet të marrë fund dhe të aplikohet ajo praktikë që aplikohet në të gjitha vendet normale ku gjobat dërgohen në rrugë postare dhe punonjësit e policisë nuk hyjnë në negociata, në debate me shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor.
Një çështje e rëndësishme me të cilën do të merremi që në muajin janar të vitit 2019 është ajo që ka të bëjë me hapjen e Policisë së Shtetit për specialistë të rinj, kryesisht atyre që vijnë nga universitetet e vendit. Ndryshimet e fundit në ligjin për Policinë e Shtetit kanë hapur mundësi që Akademia e Sigurisë të fillojë menjëherë procesin e rekrutimit të të rinjve, që kanë mbaruar me rezultate të larta studimet universitare në degët Ekonomi, Financë, Informatikë, Elektronikë dhe Jurisprudencë.
Në muajin janar do të bëhet shpallja e thirrjes për aplikime për në Akademinë e Sigurisë për këtë kategori të diplomuarish dhe po në muajin janar do të zhvillohen konkurset përkatëse dhe menjëherë më pas fillon dhe kursi i Oficerit të Policisë Kriminale me këta të rinj, që kanë përfunduar universitetet e vendit në degët e sipërpërmendura.
Të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, ju të nderuar drejtues të tyre, jeni të thirrur që të kontribuoni në njoftimin, në identifikimin, në inkurajimin e personave të përshtatshëm dhe të interesuar për t’iu bashkuar radhëve të Policisë së Shtetit, të cilët siç thashë kanë përfunduar me rezultate të larta studimet në degët e përmendura më sipër. Është e rëndësishme që të kemi një shpërndarje sa më të mirë gjeografike. Prandaj kërkesa është drejtuar ndaj jush, që ju të inkurajoni studentë nga qarqet, nga rrethet, nga qytetet tuaja në mënyrë që të kemi një shpërndarje të mirë gjeografike të të gjithë atyre që marrin pjesë në konkurs apo që fitojnë të drejtën për t’u arsimuar dhe për të filluar detyra të rëndësishme në fushën kryesisht të policisë kriminale, ku dhe mangësitë në specialitet e sipërpërmendura janë të konsiderueshme.
Gjithashtu po në muajin janar do të fillojmë një program të rëndësishëm, që të ka bëjë më trajtimin e familjeve të oficerëve të policisë të rënë në krye të detyrës. Janë një numër i madh, tragjikisht i madh familjesh, fëmijësh jetimë të kolegëve tuaj që kanë dhënë jetën për të plotësimin e misionit të Policisë së Shtetit dhe këto familje, këta fëmijë meritojnë një trajtim përherë e më të mirë. Nuk them se nuk ka pasur trajtim, trajtimi ka qenë, kujdesi ka qenë, por hapësira për t’u përmirësuar në këtë fushë është përherë e madhe dhe në muajin janar ne do të fillojmë një cikël takimesh me të gjithë familjet e policëve të rënë në krye të detyrës me qëllim që të identifikohen edhe më qartë, edhe më thellë, nevojat, problemet e tyre dhe pastaj të ndërtohet një program i detajuar për adresimin e tyre, kryesisht në fushën e edukimit, arsimimit të fëmijëve të tyre, në fushën e punësimit të bashkëshorteve të tyre, në fushën e plotësimit të kushteve për strehim, pra tre elemente të rëndësishëm që ne duhet të gjejmë se s’bën një zgjidhje dinjitoze për të gjithë ato familje, të cilëve u detyrohemi shumë dhe për të cilët do të angazhohemi shumë. Takimi do të përfundojë në muajin janar dhe në muajin shkurt do të jetë gati programi i detajuar për çdo familje.
Sigurisht që unë jam i ndërgjegjshëm që Policia e Shtetit përballon një volum të jashtëzakonisht të madh punësh dhe detyrash, vetë kjo e fundit që përmenda: numri i lartë i punonjësve të Policisë që kanë dhënë jetën në krye të detyrës është treguesi më i kuptimplotë i peshës, i rolit, i përgjegjësisë dhe i meritave të mëdha që Policia e Shtetit ka dhe vijon të ketë për të ardhmen e vendit tonë, dhe në këtë kuptim, në këtë kontekst edhe detyrimet e shtetit përballë policisë janë shumë të mëdha dhe ne do të marrim masa të vijueshme për të vijuar e thelluar më tej programet e mbështetjes dhe trajtimit për punonjësit e Policisë së Shtetit në një kuptim shumë të gjerë ato do të jenë të pari mbështetje në fushën e trajnimit, edukimit, kualifikimit të mëtejshëm të të gjithë strukturave të Policisë së Shtetit dhe në këtë aspekt do të kemi risi të mëdha në vitin 2019 e në vijim, ku të gjithë punonjësit e policisë së shtetit do të përfshihen në këtë program, pra edukimi, trajnimi për të bërë të mundur që ata të mos jenë vetëm njerëz që qëndrojnë rrugëve të Shqipërisë në shërbim, por të marrin krahas shërbimit të marrin dhe dozat e domosdoshme të arsimimit, kualifikimit në mënyrë që të jenë përherë të përditësuar dhe në nivelin më të lartë të trajnimit dhe të arsimimit.
Një çështje tjetër e rëndësishme ka të bëjë me trajtimin ekonomik dhe financiar sigurisht që trajtimi ekonomik dhe financiar është ai më i ndjeshmi, më i prekshmi dhe më konkreti, është bërë punë jo e vogël në vitet e kaluara për ta përmirësuar trajtimin ekonomik dhe financiar të Policisë së Shtetit por mendojmë se ka ardhur koha për impulse të reja në këtë fushë dhe në vitin e ardhshëm ne do të kemi komunikime të tjera me ju dhe me strukturat tuaja vartëse, të cilat do të adresojnë pikërisht nevojat e reja të Policisë së Shtetit për një trajtim më të përshtatshëm financiar në të gjitha aspektet e tij: si paga, shtesat mbi pagë, trajtimi i orëve shtesë e të tjera radhë. Por kështu ndërhyrje të tjera të mëdha do të bëhen në fushën e pajisjes me uniforma dhe me pajisje të tjera për Policisë së Shtetit, do të aplikohen format të tjera, ato që aplikohen edhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian që kanë të bëjnë me një qëndrueshmëri në furnizimin me uniforma dhe me një skemë të re që do të adresojë më shumë vijueshmërinë dhe kjo do të realizohet, të paktën siç janë deri tani ato arsyetimet kryesore shkojnë në drejtim të dhënies së parave për uniformat dhe punonjësit e policisë do ta sigurojnë vetë ata, do ta blejnë vetë atë, pranë njësive të licencuara.
Një çështje tjetër po aq e rëndësishme mbetet modernizimi i Policisë së Shtetit. Ne e dimë që kemi një polici të vogël, shumë të vogël madje krahasuar me vende të tjera të rajonit apo të Evropës dhe masat për modernizmin e saj, pra futjen e teknologjisë në mënyrë masive do të jenë ato masa që do të na ndihmojnë për të kompensuar disi numrat e limituar që kemi në fushën e policisë së Shtetit, pra futjet e teknologjive kryesisht teknologjive të monitorimit, kamera, sensorëve, droneve, etj., do të jenë aspekte të rëndësishme të cilat do të na mundësojnë që të kompensojmë mangësitë në burime njerëzore, pra numrat e pamjaftueshëm që kemi.
Duke përfunduar më lejoni që t’ju falënderoj të gjithëve për punën dhe angazhimin e madh që keni dhënë gjatë vitit 2018, angazhim i cili materializohet në shifra shumë inkurajuese në luftën kundër krimit, sidomos kundër krimit të organizuar, në fushën e luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave si dhe në aspekte të tjera ku Policia e Shtetit ka mbajtur një barrë të madhe, por dhe ku ka siguruar dhe respekt të madh të qytetarëve, një besim të madh të qytetarëve të këtij vendi dhe besoj që dhe në vitin e ri që fillojmë së shpejti, Policia e Shtetit do ta vijojë këtë angazhim të rëndësishëm, do të thellojë veprimtarinë e saj në të gjitha ato fushat kryesore, të cilat do të na mundësojmë që ne të shkruajmë me punën tonë, një kapitull suksesi, i cili do të na mundësojë që vendi ynë t’i afrohet me sukses dhe me dinjitet hapjes së negociatave të anëtarësimit të BE që priten të ndodhin në vitin 2019 dhe ku policia e Shtetit, struktura të tjera të Ministrisë së Brendshme kanë një rol të dorës së parë për të luajtur.
Ju uroj të gjithëve ju dhe familjeve tuaja gëzuar Vitin e Ri dhe suksese në punën tuaj të mëtejshme.