Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar të premten që lamë pas në emisionin “Zonë e Lirë”. Ai u pyet nga moderatori Arian Çani për të përcaktuar sipas tij, një sërë gazetarësh dhe analistësh të medies nëse janë ose jo “Kadri”.
Çani iu referua termit që kryeministri përdor kryesisht për njerëzit e medias. Të parin në listë moderatori i ofroi portretin e analistit Andi Bejtja. Ai u përgjigj: “Andi Bejtja ka shkruar 1 nga 10 poezitë më të bukura të shqipes. S’mund të jetë kurrë kadri”.
Ndërkohë më poshtë mund të lexoni poezinë “Atdhedashuri” të Bejtes, të cilën Rama e klasifikoi në dhjetëshen më të mirë.
Atdhedashuri
Në këtë vend ku dembelizmi është virtyt
Ku ka fusha të gjera me vese
Dhe gënjeshtër me këmbë të gjatë
Unë e kam lidhur historinë pas një gomari veshkurtër që mund të jem unë ose vetë heroi ynë Skënderbe
Të cilin Vatikani e kurdisi siç kurdiset një orë me zile, po akrepat i la të mbesin në shekullin e katërmbëdhjetë
Po unë s’mërzitem
As ofendohem,
Europës nuk i mbaj mëri.
Vazhdoj të eci nëpër tym si një Kostandin
Që ngrihet nga varri dhe kujtohet se motër s’ka pasur kurrë;
Duke mallkuar malet e larta krenarë
Që ia marrin frymën detit, i bëhen ombrellë…
Mos kërko nga unë të jem as Rozafë, as Skënderbe, as Kostandin.
E shumta që mund të kërkoni nga unë është të jem Ismail Qemal,
Të ngre flamurin kombëtar në xhep të pantollave bluxhinse
Për të shpallur në paqe e pa bujë
Pavarësinë e Mendjes Time…