Autori i plagosjes së Selami Brahimit mbrëmjen e 8 shkurtit në Shkodër dyshohet se është xhaxhai i bashkëshortes së shënjestrës.
Shtetasi me iniciale S.K., është arrestuar në Berlin të Gjermanisë dy ditë pas ngjarjes (10 shkurt) ndërsa pritet ekstradimi i tij në vendin tonë.
68-vjeçari dyshohet se tentoi që të vrasë dhëndrin e shtëpisë, Selami Brahimi kanë pasur konflikte prej vitesh të cilat janë rindezur pas një vdekje brenda familjes.
S. K., dyshohet se ka qëlluar nga një automjet tip Skoda Fabia ngjyrë e bardhë, të cilën e kishte marrë me qira në aeroportin e Rinasit kur ka ardhur drejt Shqipërisë pasi jeton në Itali.
Pas këqyrjes së kamerave të sigurisë automjeti u gjet i parkuar në lagjen “Rus” në Shkodër.
Brenda makinës u gjet arma e zjarrit tip automatik kallashnikov, si edhe 8 gëzhoja, ndërsa një gëzhojë u zbulua në vendin e ngjarjes e cila është e njëjtë më gëzhojat brenda makinës, provë e cila çoi në zbardhjen e kësaj ngjarje.
S. K., u arrestua në Gjermani, por nuk u ekstradua menjëherë pasi është një shtetas me dokumentacione italiane dhe shteti gjerman kërkoi vendim nga një gjykatë shqiptare.
Gjykata e shkallës së parë në Shkodër vendosi ditën e djeshme (11 shkurt) për ekstradimin e 68 vjeçarit nga Gjermania drejt Shqipërisë dhe tashmë pritet ardhja e tij drejt vendin tonë si person i dyshuar për plagosjen.
S. K., njihet si person me precedent dhe rrezikshmëri në Itali ku jeton ndërsa i plagosur Selami Brahimi ka qenë i dënuar në Zvicër për lëndë narkotike për disa vite kohë më parë.
Konfliktet
Sherri nisi pas vdekjes së vjehrrit të shënjestrës, M. K., në janar të këtij viti njëkohësisht vëllai i autorit.
M. K., që prej vitit 2013 nuk fliste me dy vëllezërit e tij. Në 2013-ën vëllai i vogël B. K., vrau në Itali ish-bashkëshorten e tij, O. B., dhe të dashurin e saj Sh. H., ndërsa u dënua nga shteti italian me burgim të përjetshëm. Që prej asaj kohe M. K., ka ndërprerë marrëdhëniet me dy vëllezërit S. K., autori i dyshuar i plagosjes dhe B. K.
Pas vdekjes së M.K., familja e këtij të fundit nuk shkroi në letrën e njoftimit të vdekjes emrat e dy xhaxhallarëve, Bërhanit dhe Sulejmanit. Ky i fundit nga Italia ka debatuar lidhur me këtë çështje duke mos e pranuar dhe duke u ndjerë i fyer, debat në të cilin është përfshirë edhe i plagosuri.
Konflikti mes tyre ka agravuar dhe më 5 shkurt të këtij viti autori i dyshuar ka ardhur nga Italia drejt Shqipërisë ku në Rinasi mori me qira makinën nga ku qëlloi me 10 plumbanë drejtim të Selami Brahimit.
Autori mësohet se ka pritur rreth një orë derisa shënjestra erdhi tek lokali i tij dhe sapo la mbesën e vogël në një pallat qëlloi në drejtim të 60 vjeçarit.
Pasi kreu atentatin, 68 vjeçari u largua përmes doganës së Hanit të Hotit drejt aeroportit të Podgoricës dhe nga aty në Berlin të Gjermanisë ku edhe u arrestua. Tashmë pritet ekstradimi nga autoritetet gjermane pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë në Shkodër.
I plagosuri nuk ka pranuar të rrëfejë ngjarjen duke thënë se nuk e kanë idenë se kush janë autorët dhe se nuk ka asnjë konflikt me askënd, ndërsa pritet dëshmia e S. K., si autor i dyshuar.
Kjo është pista kryesore ku po heton policia përmes informacioneve në rrugë operative sepse deri më tani as të afërmit e tjerë që kanë dijeni dhe janë marrë në pyetje nuk kanë pranuar të dëshmojnë këtë konflikt për efektivët.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/Zbardhet ngjarja e ndodhur 2 ditë më parë, në Shkodër, ku u plagos me armë zjarri shtetasi S. B.
Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit të plagosjes së shtetasit S. B., të kryer më datë 08.02.2024, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat dhe në informacionet e siguruara, identifikuan dhe shpallën në kërkim autorin e dyshuar, shtetasin S. K.,.
Si rezultat i një hetimi intensiv dhe profesional të kryer nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, dhe falë inteligjencës policore, u sigurua informacion se autori i dyshuar kishte udhëtuar drejt Berlinit.
Në kuadër të një operacioni të përbashkët, të koduar “Koordinimi”, të kryer në bashkëpunim me Interpolin dhe me homologët gjermanë, është kapur në qytetin e Berlinit, Gjermani, i shpalluri në kërkim ndërkombëtar shtetasi S. K., 68 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.
Shtetasi S. K. dyshohet si autori kryesor i ngjarjes së datës 08.02.2024, në Shkodër, ku ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të markës “Citroen”, për të vrarë shtetasin S. B., banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.
Ndaj shtetasit S. K., Prokuroria kishte lëshuar një urdhër ndalimi për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sqarojmë se strukturat kundër krimeve të rënda të DVP Shkodër kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën me të cilën është ekzekutuar vepra penale, një AK-47, së bashku me krehra me fishekë, si dhe automjeti i përdorur për transportimin e autorit.
Bashkëpunimi i shërbimeve tona policore me Interpolin është një dëshmi e angazhimit të përbashkët për luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.
Policia e Shkodrës po vazhdon hetimet për të zbardhur të gjithë rrethanat e ngjarjes dhe për të vënë përpara drejtësisë dhe autorë të tjerë të mundshëm të implikuar.