Grahma e rëndë e plehërave në dekompozim e sipër kutërbon lagjet e qytetit të Durrësit. Për të pestën ditë rradhazi në qytetin bregdetar makina e plehrave nuk qarkullon që të grumbullojë mbetjet për t’i dërguar në vendgrumbullimin e tyre të fundit për të mbyllur kështu ciklin.
E gjitha kjo ndodh tani, jo vetëm në mesin e sezonit turistik, por njëkohësisht në ditët më të nxehta të vitit kur temperaturat në hije kanë kapur kuotat e 40 gradëve Celcius. Temperaturat e larta nuk e ndihmojnë aspak situatën duke përkeqësuar aromën nëpër rrugët e qytetit.
Jo vetëm shqisa e të nuhaturit e pëson në këtë rast, por dhe shqisa e të shikuarit përcjell në tru një peisazh aspak prej qyteti turistik.
Në disa lagje që ndodhen disi larg qendrës së qytetit, banorët kanë zgjedhur zjarrvënien si mënyrë vetjake e të zgjidhurit të problemit.